Nga: ardhmeriaonline
Në shoqërinë e melekëve
Në këtë artikull të shkurtër, do të sjellim disa ide se si mund të jemi gjatë gjithë kohës në shoqërinë e melekëve, krijesave më të mira të Zotit. Është mirë që këto ide, t’ua mësojmë dhe fëmijëve tanë, me qëllim që ti lidhim me botën e melekëve. Kështu, melekët i kemi më pranë, në rastet e mëposhtme:
1 – Kur vizitojmë të sëmurët.
Transmeton Ebu Daud, se Ali ibnu Ebi Talib ka thënë:”E kam dëgjuar të dërguarin e Zotit a.s të thotë:”Çdokush që viziton një të sëmurë në mbrëmje, shoqërohet nga shtatëdhjetë mijë melekë të cilët kërkojnë falje për të gjer në mëngjes. Kushdo që viziton një të sëmurë në mëngjes, do të shoqërohet nga shtatëdhjetë mijë melekë, të cilët kërkojnë falje për të gjer në mbrëmje.” (Ibnu Daud)
2 – Kur flemë të pastër, me abdes.
Thotë profeti Muhamed a.s:”I pastroni këto trupa, u pastroftë Zoti! Çdokush që fle i pastër, bashkë me të do të flerë dhe një melek. Sa herë që lëviz në orët e natës, meleku do të lutet:”O Zot, fale robin Tënd, pasi ai ka fjetur i pastër!” (Taberanij)
Në një hadith tjetër, Profeti a.s thotë:”Kushdo që bie në shtrat i pastër, shoqërohet nga një melek, i cili në mëngjes do të lutet:”O Zot, fale robin tënd filanin pasi ka fjetur i pastër!”
3 – Pjesëmarrja në kuvendet e dijes dhe aty ku mësohet Kuran.
Transmeton Ebu Hurejre, Zoti qoftë i kënaqur me të, se Profeti a.s ka thënë:”Zoti ka melekë të veçantë të cilët shëtisin rrugëve, në kërkim të kuvendeve të dijes dhe përkujtimit të Zotit. Nëse gjejnë njerëz duke përmendur Zotin, ata thërrasin njëri-tjetrin:”Ejani se e gjetëm atë që kërkonim!” Mandej, i rrethojnë njerëzit me flatrat e tyre gjer në qiellin e dynjasë.” (Buhari dhe Muslim)
Në një hadi tjetër të transmetuar nga Tirmidhij, Ebu Darda thotë:”E kam dëgjuar të dërguarin e Allahut a.s të thotë:”Melekët i ulin flatrat e tyre ndaj atij që kërkon dije, si formë kënaqësie për atë që po bën.” (Tirmidhij)
4 – Regjistrimi i atyre që marrin pjesë në namazin e xhumasë.
Transmeton Ebu Hurejre se i dërguari i Allahut a.s ka thënë:”Ditën e Xhuma, melekët qëndrojnë tek dera e xhamisë dhe shënojnë emrat e atyre që hyjnë njëri pas tjetrit. Kur imami ngjitet në minber, ata i mbyllin regjistrat dhe ulen për të dëgjuar predikimin.” (Buhari dhe Muslim)
Gjithashtu, ata shënojnë edhe fjalët e mira dhe të dobishme të njerëzve. Transmeton imam Buhari se Rufa’a ibnu Rafi ka thënë:”Një ditë, qëndronim në rreshta duke u falur pas të dërguarit të Zotit. Kur ai ngriti kokën nga rukuja dhe tha:”Semiallahu limen hamide” një burrë nga pas shtoi:”Rabbena ve lekel hamd kethiren mubareken fihi.” Pasi përfundoi namazi, Profeti a.s pyeti:”Kush ishte ai që foli?” Burri ngriti dorën dhe tha:”Unë.” Profeti a.s tha:”Pashë tridhjetë e ca melekë të cilët haheshin kush e kush ta shkruajë i pari.” (Buhari)
5 – Alternimi i melekëve.
Zoti ka caktuar melekë të cilët shëtisin rrugëve në kërkim të vendeve ku përkujtohet Zoti, ku falet namazi i xhumasë dhe namazet me xhemat. Disa prej tyre vijnë dhe të tjerët largohen. Ata u bashkëngjiten njerëzve, kryesisht gjatë namazit të sabahut dhe të iqindisë. Transmetohet se Ebu Hurejre ka thënë:”Zoti ka caktuar melekë të cilët alternojnë vizitat tek ju, melekë të natës dhe melekë të ditës. Ata bashkohen në namazin e sabahut dhe të iqindisë. Mandej, ata që kanë qëndruar natën me ju, ngjiten në qiell ku i pyet Zoti, edhe pse e di mirë:”Si i gjetët robët e Mi?” Ata përgjigjen:”I gjetëm duke u falur dhe i lamë duke u falur.” (Buhari dhe Muslim)
6 – Zbresin kur besimtarët lexojnë Kuran
Ka melekë të posaçëm të cilët zbresin nga qielli kur në tokë lexohet Kuran. Transmeton Berra ibnu Azib se një burrë lexoi suren Kehf. Sakaq, kafsha që kishte në shtëpi filloi të shqetësohej dhe turfullonte. Pas pak, një re e mbuloi nga sipër. Kur këtë ia tregoi të dërguarit të Zotit a.s, ai i tha:”Lexo o filan! Ajo është Sekina, e cila zbret kur lexohet Kuran.” (Muslim)
7 – I përcjellin të dërguarit të Zotit selamet (përshëndetjet) tona.
Transmeton Abdullah ibnu Mesudi, se i dërguari i Zotit a.s ka thënë:”Zoti ka caktuar melekë shëtitës në tokë, të cilët më përcjellin përshëndetjet (salavatet) e umetit tim.” (Nisaij, Daru Kutni)
8 – Përgëzojnë besimtarët.
Kështu, melekët e përgëzuan Zekerijan a.s për lindjen e djalit të tij Jahja a.s. “engjëjt e thirrën (Zekerijan): “Allahu të jep lajmin e mirë për Jahjain”. (Al Imran, 39)
Por kjo nuk është e kufizuar vetëm për profetët dhe të dërguarit e Zotit, pasi melekët i përgëzojnë edhe besimtarët. Transmetohet nga Ebu Hurejre se i dërguari i Zotit a.s ka thënë:”Një burrë vizitoi një vëlla të tij nga një fshat tjetër. Zoti dërgoi një melek në rrugë, i cili e pyeti:”Për ku je nisur?” Burri u përgjigj:”Jam nisur të vizitoj një vëlla timin në filan fshat.” Meleku e pyeti:”Mos kërkon ti kthesh një nder që të ka bërë?” Burri iu përgjigj:”Jo, por thjesht sepse e dua për hir të Zotit.” Atëherë, meleku i tha:”Unë jam dërguar prej Zotit, që të them se Zoti të do ashtu siç e do ti vëllain tënd.” (Muslim)
9 – Pjesëmarrja në varrimin e njerëzve të mirë
Kur vdiq Sad ibnu Muadh, i dërguari i Allahut a.s tha:”Për këtë burrë është tronditur edhe Arshi i Allahut. Për nder të tij, janë hapur dyer e qiellit dhe shtatëdhjetë mijë melekë kanë marrë pjesë në namazin e xhenazes.” (Nisaij)
10 – Pjesëmarrja në natën e Kadrit.
“Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit. E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj. Engjëjt dhe Shpirti (Xhebraili), me lejen e Zotit të tyre, zbresin në këtë natë, me të gjitha vendimet. Paqe është ajo deri në lindjen e agimit.” (Kadr, 1-5)
…
Rating: 5.0 of 5. 2 vote(s).