HUMUS (AA) – Një marrëveshje e armëpushimit u arrit në veri të krahinës Homs, që është një nga katër zonat e jokonfliktuale në Siri, raporton Anadolu Agency (AA).
Në Homs mësohet se opozitarët ushtarakë një ditë më parë në kuadër të procesit në Astana kanë arritur një dakordim me forcat e regjimit të Bashar al Asadit.
Ushtarakë opozitarë dhe përfaqësues civilë në rajonin Dar el-Kebir në pjesën periferike të Homs-it e cila ndodhet nën kontrollin e opozitarëve, kanë zhvilluar një takim me zyrtarë rusë të cilët përfaqësojnë delegacionin e regjimit.
Në tekstin e memorandumit të mirëkuptimit që ka arritur të sigurojë gazetari i AA-së vërehet se është arritur marrëveshje për armëpushimin dhe dërgimin e ndihmave humanitare në rajon.
Ndër të tjera mësohet se opozitarët i kanë dorëzuar delegacionit rus edhe listën ku ndodhen emrat e 12.147 të arrestuarve të cilët ndodhen në burgjet e regjimit.
Fatih Hassun, përfaqësuesi i Komitetit të Lartë të Negociatave të opozitarëve për rajonin Homs, në një deklaratë për AA tha se “Kjo marrëveshje është kryer në kuadër të qëllimit të takimit në Astana. Grupet që kanë nënshkruar, përfaqësojnë delegacionin negociator të opozitarëve. Ne e miratojmë këtë.”
Afërsisht 250 mijë civilë që jetojnë në pjesën periferike të Homs-it, që prej 5 vitesh ndodhen nën rrethimin ushtarak të regjimit.
Ky rajon u shpall “zonë jokonfliktuale” nga vendet garantuese Turqia, Rusia dhe Irani në takimin e katërt me temë Sirinë, që u mbajt me 3-4 maj në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana.
Rusia me 3 gusht kishte njoftuar shpalljen e armëpushimit në Homs, por më pas u mësua se në tekstin e marrëveshjes së armëpushimit në rajon ndodhej firma e vetëm njërit prej grupeve opozitare ushtarake.
Pas kësaj Ushtria e Lirë Siriane kishte njoftuar se nuk e pranonin këtë marrëveshje dhe se do ta rinegocionin sërish këtë.