Në lidhje me mbi 200 refugjatët e bllokuar në qendrën e pranimit në kufirin jugor dhe verior të vendit, Arif tha se janë duke punuar me Qeverinë për t’u siguruar një strehim tjetër
SHKUP (AA) – Në qendrën e qytetit të Shkupit, sot në mesditë filloi zbatimi i projektit “Tani refugjat – gjithmonë njeri”, ku përmes disa elementeve të ndryshme të vendosura përgjatë rrugës “Maqedonia” shpjegohen vështirësitë e refugjatëve, me synim të rritjes së vetëdijes së publikut për refugjatët, të drejtat dhe novojat e tyre, raporton Anadolu Agency (AA).
Projekti i financuar nga Bashkimi Evropian (BE), organizohet nga Zyra e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR) në Shkup, ndërsa zbatohet nga Qendra për të Drejtat e Njeriut dhe Zgjidhjen e Konflikteve në bashkëpunim me Qendrën për Hulumtime, Edukim dhe Zhvillim (Qendra RED – Shkup).
Përfaqësues i Zyrës së UNHCR-së në Shkup, Mohammed Arif, theksoi se me anë të këtij projekti synojnë t’i afrojnë refugjatët dhe trashëgiminë e tyre me popullatën lokale. Ai poashtu falënderoi Maqedoninë, duke e quajtur shtet që u tregua solidarizues dhe human ndaj njerëzve që ikin nga lufta.
“Obligim i ynë është që t’i tregojmë botës se refugjatët janë qenie njerëzore ashtu sikurse ne. Ata kanë nevojë për të drejtat e tyre themelore. Ndërsa, përgjegjësia jonë morale dhe etike është t’i mbështesim dhe t’i ndihmojmë ata, sepse dje ata jetonin një jetë normale, por sot janë refugjatë për shkak se u detyruan të lënë shtëpitë e tyre për të shpëtuar jetën e tyre. Një ditë, gjithkush mund të bëhet në refugjatë. Ne duhet të tregojmë simpati dhe ndjeshmëri ndaj tyre”, deklaroi Arif.
Në lidhje me mbi 200 refugjatët e bllokuar në qendrën e pranimit në kufirin jugor dhe veriot të vendit, Vinojug dhe Tabanoc, Arif tha se janë duke punuar me Qeverinë e Maqedonisë për t’u siguruar një strehim tjetër, ku do të mund të kalojnë stinën e dimrit.
“Për aq kohë sa refugjatët qëndrojnë në këtë vend, është detyrim i Qeverisë me mbështetjen tonë që të mos ndodhen në një situatë ku do të kalojnë nëpër vështirësi dhe vuajtje”, u shpreh Arif.
Ky instalim i elementeve të ndryshme të refugjatëve do të eksponohet pesë ditë, që nga 21 deri më 25 nëntor. Pastaj, nga 27 nëntori deri më 1 dhjetor do të vazhdojë edhe në qendrën e qytetit të Prilepit, Strumicës dhe Gostivarit.