Lituania do të dërgojë në Kosovë nëntë oficerë nga Ekipi i Reagimit të Shpejtë dhe Kundërgoditjes i Shërbimit të Sigurisë Publike për të ndihmuar vendin në përgatitjet për zgjedhjet parlamentare të muajit të ardhshëm.
Oficerët lituanezë do të marrin pjesë në aktivitetet e Forcës Evropiane të Xhandarmërisë (EUROGENDFOR) dhe Misionit të Sundimit të Ligjit të Bashkimit Evropian në Kosovë (EULEX) për të siguruar stabilitet dhe siguri në rajon, njoftoi të premten Shërbimi i Sigurisë Publike, raportojnë mediat lituanaze, përcjellë Telegrafi.
“Duke pasur parasysh rreziqet e mundshme të sigurisë, EULEX kërkoi zyrtarisht nga EUROGENDFOR që të vendosë një njësi të re policore”, thuhet në deklaratë.
“Njësia, që do të veprojë si një përgjegjëse e dytë për sigurinë, do të sigurojë që policia e Kosovës të ketë gjithë mbështetjen e nevojshme në rast trazirash të mundshme”, shtohet më tej.
Oficerët lituanezë, të cilët pritet të nisen të dielën, do të punojnë krah për krah me homologët e tyre nga Franca, Italia, Portugalia dhe Polonia.
Zgjedhjet parlamentare në Kosovë janë planifikuar për më 9 shkurt.
Lituania do të dërgojë gjithashtu edhe 30 ushtarë në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë, tha të premten Ministrja e Mbrojtjes, Dovile Sakaliene.
“Një nga vendimet e marra është rritja e mandatit për operacionin e NATO-s në Kosovë; ne planifikojmë të kontribuojmë me një njësi të përmasave të një toge”, tha Sakaliene pas takimit të Këshillit të Mbrojtjes së Shtetit.
“Kjo është veçanërisht e rëndësishme për partnerët tanë gjermanë. Duam të forcojmë bashkëpunimin në këtë fushë dhe të tregojmë aftësinë tonë për të marrë pjesë në operacione ndërkombëtare, sepse nuk mund të marrësh pa dhënë”, shtoi ajo./Telegrafi/