-1.6 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Në prag të emërimit të myftiut të Shkupit

Më të lexuarat

Pas pensionimit – sipas deklaratës zyrtare të BFI-së – të myftiut të deritanishëm të Shkupit, Rexhep ef. Jusufi, popullata myslimane në Maqedoni, e posaçërisht ajo e Kryeqytetit, presin me interesim të madh emërimin e myftiut të ri. Në ceremoninë përcjellëse dhe lamtumirëse, tash të ish myftiut Rexhep ef. Jusufut, Reisu-l-Ulema i BFI-së të RM-së, H. Sulejman ef. Rexhepi, në fjalimin e tij dhe në prezencën e të gjithë myftinjve, e çmoi lart angazhimin edukativ të prof. Jusufit si profesor të gjuhës arabe në medresenë e Shkupit, por në të njëjtën kohë e pranoi edhe dështimin e tij në organizimin e myftinisë së Shkupit gjatë 22 muajve të kaluar.
Vetë pamja vizuale e ceremonisë flet qartë se sa është larguar kryesia e BFI-së nga kultura dhe tradita e këtij institucioni më të lartë fetarë. Në vend që ceremonia të mbahet në një xhami qendrore, në prezencë të imamëve të Shkupit dhe xhematlinjve, ku edhe vet myftiu të japë lamtumirën dhe ajo t’i dedikohet popullatës myslimane, duke i radhitur rezultatet veprimtarisë së tij, ajo ceremoni mbahet në një lokal, dhe ku myftiu nuk e thotë as edhe një fjalë të vetme. Në vend që dhurata t’i dorëzohet (sipas video-incizimit ishte kostum) në një paket të veçantë, ajo jepet njësoj sikur njeriu blen diçka në çarshi. Kështu u përcjell myftiu. Shkurt thënë, në mënyrë shumë “fshatareske” dhe aspak dinjitoze për një myfti të Shkupit!
Ky është niveli ku ka arritur bashkësia jone fetare islame në kryeqytetin tonë Shkupi.
Por, Shkupi nuk është një qytet dodiso. Ai është epiqendra e Islamit në jug të Ballkanit. Kah Shkupi orientohen Tetova e Struga, Prishtina e Prizreni, Tirana e Elbasani, Novi Pazari e Presheva. Por, edhe më gjerë, zërin e Shkupit e dëgjojnë edhe Sarajeva edhe Stambolli, edhe Brukseli edhe Mekja.
Shkupi është vendbanimi i Ishak Çelebiut, i cili ka qen Kadi në Sham, në Kryeqytetin e Sirisë, është i Hasan Fehmi efendiut, i cili ka qenë myfti i Kosovës. Shkupi është vendbanimi i hafëzëve, ulemave, myderrizëve, hoxhallarëve e tologëve me famë në histori. Ai është vendveprimi i Ataullah efendiut, i Fetah efendiut, i hfz. Bedri efendiut, i hfz. Ibrahim efendiut, i hfz. Shaban efendiut, i hfz. Mehmed efendiut, i hfz. Prof. Dr. Bekir Sadak-ut, i hfz. Idriz efendiut e shumë ulemave të tjerë, që kanë dhënë shumë në drejtimin dhe orientimin e popullatës myslimane të Shkupit. Në kohën moniste Shkupi e ka furnizuar Sarajevën, Novi Pazarin dhe Prishtinën me hafëzë dhe vaizë. Shkupi është i mbushur me njerëz, gra dhe burra, të devotshëm, me takvallëk, me edeb dhe kulturë islame. Shkupi është rojtari i identitetit fetar dhe kombëtarë gjatë shekujve. Për ruajtjen e identitet islam, hoxhallarët e Shkupit kanë përjetuar tortura dhe burgje.
Edhe pse shkupjanët karakterizohen me urtësi, durim dhe butësi, ata, kur lind nevoja, munden edhe të revoltohen, rebelohen dhe në ngrihen këmbë. Prandaj çdo prekje e vijës së kuqe, në të cilën popullata është afruar, do të shkaktojë përplasje dhe do të ketë pasoja të ashpra.
Periudha e kaluar, pothuajse një çerekshekull, është dëshmitare e dekadencës, periudha e organizimit katastrofal të jetës zyrtare të Islamit, periudha e zhdukjes së dritës së kulturës islame në qarqet e institucionit të BFI-së. Kjo periudhë, në histori, do të mbahet mend se Islamin institucional e ka ruajtur populli e jo institucioni, i cili, sipas Kushtetutës, është rojtari institucional i fesë. Ky institucion është i kidnapuar dhe uzurpuar nga një person, pavarësisht se rreth tij shihen edhe shumë kokrra të tjera.
Me përjashtimin e myftiut të parafundit, Ibrahim efendiut, dhe me pensionimin e myftiut të fundit, Rexhep efendiut, ka ardhur koha për një fillim të ri – ka filluar të shihet drita në fund të tunelit.
Tash është koha për caktimin e një lideri të myslimanëve të Shkupit, i cili do të jetë hoxhë, teolog i diplomuar dhe me gradë akademike, i njohur me devotshmëri dhe rezultate të shumta, gjegjësisht imam, myfti dhe efendi me plotkuptimin e fjalës. Duhet të vijë një myfti-efendi, i cili është nga Shkupi, i cili e njeh Shkupin, Karshiakën dhe Dervenin, i cili e njeh Çarshinë, esnafët, popullin. Ai duhet të jetë një myfti-efendi i cili do të ecë në rrugët e qytetit, në pazar dhe Çarshi dhe do t’i vizitojë xhamitë me shall dhe xhybe, i cili do t’i prijë namazit të sabahut, xhumasë dhe teravive, i cili do të mbajë hytben e xhumasë, ligjërata, derse, vaze dhe nasihate në xhamitë e qytetit dhe fshatrat e Shkupit.
Nga përvoja dhe eksperienca e tij teologjike, ai duhet të japë fetva, të publikojë tekste shkencore dhe të komunikojë me mediumet. Ai duhet të jetë myfti-efendi i cili do ta ngrejë nivelin e kolegëve të tij, si në aspektin material, ashtu edhe intelektual. Duhet të jetë njeri me kalibër mbiregjional, i cili do të jetë i aftë që në Tiranë, në Stamboll, në Sarajevë, në Mekë, por edhe sheshin e Shkupit të flasë shqip, turqisht, boshnjakisht, arabisht dhe maqedonisht.
Duhet të jetë një myfti-efendi i cili ka potenciale për të vënë njësoj ura bashkëpunimi edhe me Lindjen edhe me Perëndimin, me mysliman dhe me të krishterë, edhe me hoxhallarët edhe me xhematlinj, edhe me qytetarët edhe me fshatarët. Duhet të jetë myfti-efendi i cili do ta ngrejë zërin kundër sharjeve dhe fyerjeve në lokalet e BFI-së, kundër keqpërdorimin e mallit të myslimanëve dhe kundër dembelisë së punëtorëve. Ai do të duhet të ishte njeri i cili me dinjitet do ta fillojë pastrimin e institucionit prej çdo gjëje që kundërshtohet me Sheriatin dhe me Kushtetutën e BFI-së, si dhe që do ta hapë rrugën e reformave institucionale.
Shkurt thënë, myfti duhej të ishte një njeri i cili nuk është jabanxhi mihrabit, i minberit dhe i kursisë që prej ditëve të medresesë e deri më tani. Vetëm një myfti i tillë nga këto vende do ta merrte furnizimin dhe fuqinë morale për të vepruar në shërbim të Islamit dhe të gjithë shkupjanëve, madje edhe ma gjerë!
Shkupi dhe shkupjanët e meritojnë një myfti me një profil të këtillë! Dhe, Shkupi e ka këtë potencial.

Mynih, 26.04.2017
Hfz. Dr. B. Benjamin Idrizi
Imami nga Shkupi në Qendrën Islame në Penzberg të Gjermanisë
Kryter i Forumut Islamik të Mynihut

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit