5.9 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

Ne Myslimanët!

Më të lexuarat

Për ne, pyesni Shamin dhe kopshtet e tij, pyesni Irakun dhe palmat e tij, pyesni Andaluzinë dhe tokën e saj.
Pyesni Egjiptin dhe luginat e tij, pyesni gadishullin dhe shkretëtirat e tij, pyesni mbarë botën dhe të gjithë ata që e banojnë.
Pyesni fushat e gjera të Afrikës, tokat e të huajve dhe stepat e Kaukazit. Pyesni provincat e Konchit (Iranit), brigjet e rivierave dhe luginën e Danubit.
Pyesni për ne çdo copëz toke dhe çdo pjesëz poshtë këtij qielli. Të gjithë do ju tregojnë për trimërinë, sakrificën, gjurmët, lavditë, njohuritë dhe artin tonë.

Ne Myslimanët!

Kush tjetër e ka ujitur kopshtin e lavdisë veç gjakut tonë? Kush tjetër e ka zbukuruar kopshin e trimërisë veç trupave të dëshmorëve tanë? A ka njohur bota njerëz më fisnik apo më bujarë se ne?! Më të dhembshur apo më të mëshirshëm se ne?! Më të ndershëm dhe më të mëdhenj se ne?! Më të përparuar dhe më të ditur se ne?!
Ne ishim që mbartëm fanarin udhëzues ndërkohë që bota kishte humbur në natën e injorancës dhe u thamë banorëve të tokës: Kjo është rruga!
Ne i vendosëm peshoret e drejtësisë në një kohë kur mbi kokat e njerëzve ishte ngritur kamzhiku i tiranisë.
Ne i ndërtuam dijes shtëpinë që aty të gjente strehë, në një kohë kur njerëzit e kishin përzënë nga shtëpitë e tyre.
Ne shpallëm barazinë mes njerëzve në një kohë kur njerëzit adhuronin mbretërit dhe i hyjnizonin të parët e tyre.
Ne, zemrat i ngjallëm me iman (besim), mendjet i ngjallëm me dituri, ndërsa njerëzit i ngjallëm me liri dhe qytetërim.

Ne Myslimanët!

Ne ndërtuam Kufën, Basran, Kajron dhe Bagdadin. Ne ngritëm qytetërimin e Shamit, Irakut, Egjiptit dhe Andaluzisë. Ne themeluam shtëpinë e Urtësisë, Shkollën Nidhamije, Universitetin e Kortobës dhe atë të Ez’herit.
Ne ndërtuam xhaminë Emevite në Damask, Xhaminë e shkëmbit në Palestinë dhe Sameranë në Irak. Ndërtuam Al Zahran, Al Hambran, Xhaminë Blu dhe Taxh Mehal në Indi.
Ne i mësuam të gjithë banorët e tokës, ne ishim mësuesit dhe ata ishin nxënësit tanë.

Ne Myslimanët!

Prej nesh doli Ebu Bekri, Umeri, Nured Dini dhe Salahuddini. Prej nesh doli Halid Ibën Velidi, Tarik Ibën Zijadi, Kutejbe Ibën Muslim, Kasimi dhe Mbreti edh Dhahir.
I yni ishte Buhariu, Taberiu, Ibën Tejimije, Ibën Kajim, Ibën Hazmi dhe Ibën Halduni.
I yni ishte Gazaliu, Ibën Rushdi, Ibën Sina dhe Razi. I yni ishte Halili, Xhahidhi dhe Ebu Hajani. I yni ishte Ebu Temami, Mutenebiu dhe el Meari. I yni ishte Meabedi, Is’haku dhe Zirjabi.
I yni ishte çdo khalif shembëlltyrë që përfaqësonte vlerat e larta njerëzore.
I yni ishte çdo komandant i cili qëndronte si shpatë e zhveshur prej shpatave të Allahut.
I yni ishte çdo dijetar që mes njerëzve gëzonte pozitën e kokës ndaj trupit. Tanët ishin me qindra e mijëra njerëz të mëdhenj.

Ne Myslimanët!

Forca jonë qëndron në imanin tonë, krenarinë e fitojmë në fenë tonë dhe në sigurinë që kemi me Zotin tonë. Ligji ynë është Kurani, prijësi ynë është Profeti dhe udhëheqësi që na drejton është hyzmeqari jonë. I dobëti mes nesh që ka të drejtë për diçka konsiderohet i fortë tek ne, ndërsa i forti ynë është përkrahës i të dobëtit. Të gjithë jemi vëllezër që duhemi për Allah, jemi të barabartë para dinit të Allahut.

Ne Myslimanët!

Sunduam dhe drejtësinë e treguam, ndërtuam dhe mbizotëruam, çliruam dhe depërtuam. Ne ishim të fortit e drejtë sepse në luftë vendosëm ligjet e mëshirës dhe në kohë paqeje ligjëruam rregullat e drejtësisë. Ne ishim më të mirët që gjykuam dhe ishim zotërinjtë e çlirimtarëve.

Ne ngritëm qytetërim i cili ishte plot begati dhe mirësi, qytetërim i shpirtit dhe trupit, dinjitetit dhe lumturisë dhe kështu begatia dhe freskia përshkoi mbarë njerëzimin. Atë e ujitëm me gjakun tonë dhe e ndërtuam mbi kafkat e dëshmorëve tanë.
A ka mbetur në tokë ndonjë vend pa patur një shehid që dha shpirtin në rrugën e Islamit dhe imanit (besimit)?!

“Ngjarje nga Historia” Ali Tantavi fq 19-22.
Përktheu: Fatjon Isufi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit