-5.4 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë vazhdon trendi pozitiv në ekonomi

Më të lexuarat

Maqedonia e Veriut dhe Kosova janë vendet e vetme në rajonin e Ballkanit Perëndimor në të cilat ka trende pozitive të rritjes së ekonomisë për dallim nga shtetet tjera në rajon, tek të cilat ka ngadalësim, ndërsa në Shqipëri ritmi i rritjes ekonomike parashikohet të ngadalësohet, u theksua sot në prezantimin e raportit të rregullt gjysmëvjetor ekonomik të Bankës Botërore (BB) për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Raportin e Bankës Botërore në Shkup për vendet e Ballkanit Perëndimor e prezantuan Marco Mantovanelli, drejtor i Zyrës së BB-së në Shkup, Sanja Maxhareviq – Shujster, ekonomiste e lartë dhe Bojan Shimbov, ekonomist në BB.

Drejtori i Zyrës së BB-së në Shkup, Mantovanelli, duke theksuar se në rajonin e Ballkanit Perëndimor ka ngadalësim të përgjithshëm të shkallës së rritjes ekonomike tha se Maqedonia e Veriut dhe Kosova janë përjashtime dhe se në të dy vendet trendi pozitiv i ekonomisë vazhdon.

“Lidhur me rritjen, lajmet janë gjithnjë e më pak pozitive për rajonin. Shohim një ngadalësim të përgjithshëm të shkallës së rritjes ekonomike, në raport me vitin e kaluar, me dy përjashtime, Maqedonia e Veriut ku trendi pozitiv në ekonomi vazhdon nga viti 2017 dhe Kosovë. Këto janë dy ekonomi të cilat vazhduan të rriten në raport me vitin e kaluar, por shohim ngadalësim në pjesën tjetër të rajonit”, theksoi Mantovanelli.

Ekonomisti në BB, Bojan Shimbov, nga ana tjetër tha se pret që rritja rajonale të jetë më e dobët se vitin e kaluar.

Lajmi i mirë është se rënia e rritjes është e përkohshme dhe se sipas vlerësimeve të BB-së rajoni në aspektin global në vitin 2020-21 do të vazhdojë të rritet me shkallët prej 3.6 dhe 3.8 për qind theksoi Shimbov duke shtuar se sipas vlerësimeve në Maqedoninë e Veriut rritja në vitin 2021 pritet të arrijë deri në 3.3 për qind.

“Ritmi i rritjes ekonomike në Shqipëri parashikohet të ngadalësohet në 2.9 për qind”

Ritmi i rritjes ekonomike në Shqipëri parashikohet të ngadalësohet në 2.9 për qind në vitin 2019, për shkak të reduktimit të prodhimit të energjisë elektrike, sipas raportit të BB-së, ndërsa pavarësisht ngadalësimit të ritmit të rritjes ekonomike, krijimi i vendeve të punës u forcua dhe papunësia pësoi ulje.

“Tregu i punës vijoi të përmirësohet, dhe papunësia arriti një nivel të ri të ulët historik prej 11,5 për qind në qershor 2019. Konsolidimi fiskal, përmirësimi i efikasitetit të shpenzimeve publike dhe reformat strukturore janë thelbësore për një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe të barabartë”, thuhet në raport.

Në raport më tej theksohet se rënia e kërkesës nga vendet partnere të tregtisë së jashtme mund të sjellë ngadalësim të ritmeve të rritjes ekonomike në periudhë afatshkurtër dhe afatmesme.

“Nxitja e rritjes ekonomike gjithëpërfshirëse kërkon gjithashtu kushte më të mira për zhvillimin e sektorit privat, të tilla si përmirësimi i mjedisit të biznesit dhe rritja e aksesit në financim, sigurisë së energjisë dhe kapitalit njerëzor”, thuhet më tej në raportin e Bankës Botërore.

“Kosova shënoi rritje ekonomike prej 4 për qind”

Menaxheri i Bankës Botërore për Kosovën, Marco Mantovanelli, ka deklaruar se Kosova ka pasur rritje ekonomike prej 4 për qind, krahasuar me vitin 2018 që ishte një rritje prej 3.8 për qind.

Pavarësisht kësaj rritje të vogël, Mantovanneli kërkoi që të ketë rritje më të shtuar ekonomike, pasi siç tha ai pjesëmarrja në fuqinë punëtore të të rinjve vazhdon të mbetet e ulët dhe “gjysma e popullsisë në moshë punë mbeten pa një vend pune”.

“Në Kosovë ka progres por jo mjaftueshëm kur e shohim faktin se 60 për qind e të rinjve nuk janë aktive apo nuk kërkojnë vend pune, duhet të bëhet shumë më shumë rritje ekonomike”, tha Mantovanelli.

Ai shtoi se “për vitin 2019 rritja ekonomike parashikohet të arrijë në 4 për qind, krahasuar me 3.8 për qind në vitin 2018, e shtytur nga konsumi, eksportet e shërbimeve dhe investimet”.

Mantovalleni theksoi se Banka Botërore parasheh që rritja për vitin 2020-2021 do të jetë e pasigurt, rritje e cila do të mund të shkojë vetëm në 4.2 për qind.

Prezantimi i sotëm ishte edicioni i 16-të i vargut të raporteve për gjendjen e ekonomive në vendet e Ballkanit Perëndimor – Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, Kosovës, Bosnjë e Hercegovinës, Malit të Zi dhe Serbisë./AA

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit