0.1 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Në Kosovë një vrasje e rëndë kushton vetëm 12 vite burg

Më të lexuarat

20 herë e kishte goditur me thikë madje as vajzën e tyre të mitur e cila në tentim për ta ndihmuar të ëmën, nuk ishte kursyer, duke u plagosur edhe ajo në shuplakë të dorës. Në prehrin e saj nëna, viktimë e këtij akti barbar, kishte ndërruar jetë. Por çuditërisht, përkundër këtyre rrethanave, vrasësi i Zejnepes nuk u dënua më shumë se 12 vite…

Dënimi i ulët i N. Berishës nga Suhareka, për vrasjen e gruas së tij Zejnepe Berishës, ka shkaktuar një valë zemërimi te të afërmit, organizatat joqeveritare që përfaqësojnë gratë, qytetarët dhe jo vetëm. Gjykata Themelore e Prizrenit dje (më datën 13. 04. 2017), ia shqiptoi dënimin prej 12 vitesh N. Berishës për vrasjen me paramendim të gruas së tij, akt që kishte ndodhur në prani të fëmijëve të tyre të mitur. Salihe Bytyqi, nënë e të ndieres, në moshë të shtyrë, përkrah familjarëve të tjerë, e mbështetur edhe nga pjesëtarë të shoqërisë civile, protestoi sot në Sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë, duke kërkuar edhe njëherë që drejtësia të vihej në vend.

1. Historia e një çifti me probleme

N. Berisha dhe Zejnepe Bersha Bytyqi, sipas të afërmit të kësaj të fundit Mefail Paçarizi, qenë martuar pak muaj pas përfundimit të luftës, në vitin 1999. Ndërsa familjet kosovare në përgjithësi, po ballafaqoheshin me vështirësi të ndryshme socio-ekonomike, martesa e tyre nuk pat qenë e bujshme – rrëfen për Gazeta e Re Paçarizi. Mirëpo problemet e çiftit janë shfaqur qysh në vitet e para të martesës. Tashmë i dënuari Berisha, karakterizohej si njeri me probleme dhe raporte të këqija me rrethin familjarë.

2. Zejnepja kishte raportuar plot 16 herë në polici, për dhunë familjare

Nga 2001/02 deri në vitin 2015-të e ndjera kishte raportuar për dhunë familjare në polici hiç më pak se 16 herë. Pra N. Berisha ishte recidivist ‹‹gjë të cilën nuk e ka marr parasysh gjykata›› – thotë Paçarizi. N. Berisha karakterizohej si njeri i zymtë, pa prirje për t’u socializuar dhe aspak i shoqërueshëm. Ai nuk ishte i dhunshëm vetëm ndaj të ndjerës, Zejnepes, por edhe ndaj fëmijëve të tij.
‹‹Shpeshherë i nxirrte nëpër borë e shi, zbathur›› – duke ushtruar mbi ta jo vetëm torturë fizike por edhe psikologjike. Për këtë shkak, në listën e dëshmitarëve të prokurorisë ka qenë edhe vajza e madhe – rrëfen Paçarizi.

3. Fati i fëmijëve

Në ditën e vrasjes vajza e madhe nuk ishte më shumë se 15 vjeçe, ndërsa djali, si fëmija më i vogël, ishte vetëm 6 vjeçar.
Rrëfimi i të afërmit të së ndjerës, zbulon detaje tronditëse. Sipas tij fëmijët: ‹‹…e kanë pa nanën e tyne të përgjakun›› – ndërsa vajza e madhe kishte bërë përpjekje që t’i dilte krah nënës së tij, por N. Berisha nuk e kishte kursyer as atë duke i shkaktuar një plagë në dorën e saj.
‹‹Ajo (Zejnepja), ka ndërruar jetë në prehrin e saj (vajzës)›› – vijon Paçarizi. Ndërsa vajza tjetër e trembur kishte ikur nga shtëpia, dy fëmijët e tjerë kanë dalë në oborr duke mos qenë në gjendje të gjykojnë e aq më pak të ndërmarrin ndonjë vendim.
Pas vrasjes së të ëmës, ata i kishin larguar nga vendi i krimit dhe për disa kohë i kishin marr nën përkujdesje të afërmit e N. Berishës. Por muaj më vonë, ishin transferuar në Sos Fshatin e Fëmijëve ku edhe qëndrojnë aktualisht.

4. Dënimi qesharak nga ana e gjykatës

Ky është një dënim absurd, proteston Hajrie Berisha, motra e të ndjerës. Ajo së bashku me nënën dhe familjarët e tjerë, të mbështetur nga shoqëria civile në një protestë të organizuar sot në sheshin Zahir Pajaziti, kërkuan që të rishqyrtohet dënimi, duke kërkuar një dënim më të ashpër, respektivisht të merituar të vrasësit N. Berisha.
Adelina Berisha, përfaqësuese e rrjetit të grave kujtoi që për këto vepra, do të duhej shqiptuar një dënim kapital.
Krimet kaq të rënda sipas organizatorëve të protestës dhe natyrisht familjarëve, nuk duhet të kalojnë pa e marr dënimin e merituar, nëse institucionet duan që ‹‹krimi të mos lulëzoj në Kosovë››.
Siç është bërë e ditur rasti do të rishikohet nga instanca më të larta gjyqësore dhe fajtori mund ta marr dënimin e merituar, prandaj edhe kërkesa e familjarëve për ta çuar drejtësinë në vend është kaq e zëshme./Gazetaere.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit