1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Në kërkim të utopisë për KMSH-në! – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Disa nga pyetjet më skeptike që bëjnë shumë besimtarë, madje edhe hoxhallarë janë se:
Nëse gylenistët largohen nga KMSH-ja, kush do ta marrë drejtimin e saj?
Kush na garanton ne, se atë nuk e marrin erdoganistët, që mund të jenë më keq se gylenistët?
Kush na garanton ne, që nuk e marrin xhemati i këtyre apo atyre, që janë kështu e ashtu?
Kush na garanton ne, se ata që do të vijnë nuk bëhen të këqij si këta dhe nuk largohen kurrë prej aty?

Duke qenë se nuk ka dhe s’ka se si të ketë një përgjigje që qetëson këto dilema sa normale, por edhe demoralizuese, atëherë këtyre pyetjeve retorike iu përgjigjen po të njëjtët persona, duke thënë: Le të rrinë këta që janë, se mirë janë! E kështu ndryshimi nuk vjen.

Sigurisht, që megjithëse i kuptoj shqetësimet e të gjithë atyre që i thonë haptazi ose i kanë në mendje këto pyetje, më vjen keq ta them se e keni gabim arsyetimin që bëni.

Së pari, njeriu është i obliguar nga Zoti të bëjë atë që ka mundësi, në kohën edhe epokën që ai jeton. Ai përpiqet të ndryshojë gjërat për mirë, dhe kur ia arrin kësaj, mundohet të ngrejë një strukturë dhe sistem të atillë, që do t’i rezistojë sa të mundet kohës. Por, njëkohësisht ai e lut Allahun t’i japë jetëgjatësi sa më të madhe dhe vazhdimësi të mirës që ai la pas. Këtë kanë bërë të gjithë profetët dhe përmirësuesit, kush më shumë e kush më pak, për aq sa kanë mundur dhe kanë ditur.

Së dyti, çdokush që i ka dhënë hakun një projekti të mirë, aq sa ka mundur dhe ka ditur, nuk është përgjegjës për atë që ndodh pas tij. Ai do të merret në llogari dhe do të marrë shpërblimin ose ndëshkimin, për atë që ai ka bërë mirë ose keq dhe që ka ndikuar edhe më pas, por jo për atë që prishet pas tij prej të tjerëve. I Dërguari i Allahut la pas një brez të artë njerëzish, që qenë shtylla të Islamit, i mësoi ata se si të sillen dhe i këshilloi si të mos sillen pas tij. Por ata, edhe pse ishin njerëzit më të mirë pas profetëve, nuk ishin engjëj, kështu që edhe pse Profeti (alejhi salatu ue selam) i pati paralajmëruar që pas tij të mos luftonin mes tyre dhe të ruheshin nga fitnet, ata përsëri ranë në këtë sprovë. A vallë mos ishte përgjegjës i Dërguari i Allahut për këtë gjë?! A ka guxim njeri të thotë, mes muslimanëve, se ai nuk e bëri punën si duhet, për shkak të problemeve që ndodhën dekada pas vdekjes së tij?! Kush mendon kështu, të bëjë teube!

Së treti, kush mendon se nëse nuk arrihet perfeksioni i rregullimit dhe përmirësimit të një institucioni, që do të zgjasë i mirë deri Ditën e Kiametit, ose së paku disa shekuj apo disa dekada, përndryshe ai nuk duhet bërë fare, ky njeri e kupton ose jo, jeton me një mendësi utopike. Ideologjia marksiste këtu tek ne, por edhe ideologjitë moderniste utopike në përgjithësi, kanë projektuar në mendësinë e njerëzve se po u ndreqën gjërat për së mbari, ato nuk prishen më, derisa të ketë jetë kjo botë! Sigurisht, që një pikëpamje e tillë gjen mbështetje edhe tek feja, por jo tek Islami. P.sh. në Krishterim ka një besim, i cili thotë se ardhja e dytë e Mesisë (Isait a.s.) jo vetëm që do të sjellë lumturinë dhe mbarësinë, por do të zgjasë për njëmijë vjet. Sigurisht që ne si muslimanë besojmë në begatinë dhe lumturinë e asaj kohe, por nuk besojmë se kjo botë do të bëhet e përsosur dhe do të zgjasë aq gjatë, sepse ai është vetëm një moment shumë i shkurtër historik, pas së cilit shumë shpejt do të vijë Kiameti. Dhe Kiameti nuk bëhet, vetëm se kur të ngelen njerëzit më të këqij në këtë botë dhe sigurisht që ata nuk bëhen brenda ditës të tillë. Kështu që për një mendësi të tillë nuk ka vend në Islam.

Së katërti, ndryshimi dhe përmirësimi nuk është një rrugëtim i një brezi që ka një fillim dhe një fund, që kush e arrin atë, u heq barrën të tjerëve. Jo. Çdo brez, madje çdo individ ka sprovat dhe garën e tij në jetë, e cila nuk ka një cak fundor, vetëm se vdekjen e tij personale. Kështu që ashtu siç askush -sipas Islamit- nuk trashëgon meritat dhe sevapet e paraardhësve të tij tek Allahu, ashtu edhe askush nuk merr gjynahet e pasardhësve të tij, nëse janë ata që janë fajtorë për to dhe jo ai.

Së pesti, përsa i përket KMSH-së, e kemi thënë dhe stërthënë për vite me radhë dhe po e rithemi për ata që kanë harruar ose nuk kanë qenë të vëmendshëm, apo nuk e kanë lexuar, se ajo që ne kërkojmë është vendosja e institucionit përfaqësues të muslimanëve në shina normale përfaqësimi, duke rregulluar statutin e tij dhe duke e zbatuar atë me korrektesë. Ajo që ne kërkojmë është që njerëzit që vijnë në krye të KMSH-së të jenë njerëz dinjitarë, të zgjedhur nga xhemati, përmes një procesi të drejtë, transparent dhe gjithëpërfshirës. Dhe kështu të vazhdojë për aq sa ta ketë shkruar Zoti, ku ndryshimi dhe përmirësimi është gjithmonë një proces që nuk është kusht të arrihet menjëherë dhe as me një person, por së paku të krijohet mundësia që xhemati dhe hoxhallarët të kenë hapësirën ligjore dhe praktike të ndryshojnë përmes zgjedhjeve drejtuesit e tyre, sa herë që duhet. Por ndërkohë, në kushtet ku jemi, kjo është totalisht e pamundur, për më tepër që kemi të bëjmë jo thjesht me një klikë uzurpuese, por me një sekt okult, hermetik, ekstremist, përjashtues, me agjenda të errëta transnacionale, që lojalitetin e tyre e kanë jo ndaj parimeve të fesë dhe këtij vendi, por mbi të gjitha, ndaj kultit të tyre gylenist ndërkombëtar.

Së gjashti, ne e dimë se ku jetojmë dhe çfarë kulture dhe mentaliteti kanë njerëzit në këtë vend, ndaj dhe nuk presim të bëhet nami pas largimit të uzurpatorëve dhe se çdo gjë të shkojë ashtu siç duhet, se nuk do të ketë shkopinj nën rrota, sabotime, apo edhe ndërhyrje e të tjera probleme, por kjo nuk na pengon kurrsesi të bëjmë përpjekjen tonë, sepse për këtë do të shpërblehemi tek Allahu dhe jo për suksesin apo dështimin, të cilin vetëm Ai e ka në dorë.

Së shtati, në çdo ndryshim që ndodh ka gjithmonë shpresë për mirësi. Sigurisht, ndryshimi nuk është qëllim në vetvete, ama e mira nuk vjen vetvetiu, por përmes ndryshimit dhe përpjekjes për mirë vjen edhe e mira.

Kush i beson kësaj kauze dhe kësaj logjike që parashtrova, le të na bashkohet në këtë fushatë sensibilizimi dhe ndërgjegjësimi, përndryshe, le të mos na bëhet pengesë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit