7.3 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

Në Islam nuk ka shenjt.

Më të lexuarat

Nga: Dr. Aid el Karni

Në Islam nuk ka shenjt.

Islami erdhi me të vërtetën, me fisnikërimin e njeriut. Islami u dha njerëzve gradat që u takojnë, luftoi trillimin, idhujtarinë dhe ekstremizmin, duke ia dedikuar madhështinë, lartmadhërinë dhe plotfuqinë Allahut një të Vetëm, deri në atë pikë sa i Dërguari ynë a.s. thoshte: “Mos e teproni me madhërimin tim, siç e tepruan të krishterët me madhërimin e Isait, të birit të Merjemes. Në fakt unë jam rob i Allahut dhe i Dërguari i Tij. Thoni (për mua) rob i Allahut dhe i Dërguar i Tij”. Ai zemërohej, nëse dikush e tepronte në lavdërimin e tij, gjë të cilën sahabet (shokët e tij) e mësuan dhe kjo i bëri që të jetojnë qartësisht dhe kthjelltësish, njësues të Zotit të tyre, njohës të së drejtës së të Dërguarit të tyre a.s., të pacenuar nga teprimi dhe lajkatimi, saqë Ibn Abasi r.a. për disa persona që u takonin atyre që e tepruan në bazimin tek fjalët e Ebu Bekrit dhe Umarit r.a., u tha: “Afër do të jetë kur mbi ju do të zbresin gurë nga qielli. Unë them: “Allahu dhe i Dërguari i Tij ka thënë”, ndërsa ju më thoni: “Ebu Bekri dhe Umari kanë thënë”.
Pas këtyre njerëzve erdhën gjenerata, që përgjatë brezave e tepruan me dijetarët, krerët dhe evliatë e tyre, aq sa i shenjtëruan ata. Dikush arriti deri aty, sa filloi të bënte tavaf (të rrotullohej për derman) rreth varrit të dijetarit apo evlia-ut, disa kërkuan prej tyre furnizim, shpëtim, përmbushjen e nevojave dhe daljen nga problemet, gjë që pa dyshim është idhujtari e hapur dhe humbje e qartë. Dikush tjetër i konsideroi fjalët e dijetarit të tij si të ishin Kuran që lexohet dhe në këtë degradim normal ndihmoi fakti që dijetarët e tyre i pranuan këto tepri dhe heshtën karshi kësaj të keqeje, saqë unë kam parë prej “dijetarëve të së kotës”, që pranojnë prej ndjekësve të tyre t’ua puthin këmbët, gjunjët, duart dhe kokën, duke qëndruar kokëlartë si të ishin gjarpërinj të ngrehur. Ka prej këtyre pasuesve të verbër, që u thurin dijetarëve të tyre, vjersha të tepruara dhe u japin atribute hyjnore, madje edhe zotësie, “Allahu i vraftë, si shmangen nga e vërteta!”. [Munafikun: 4]
Dhehebiu ka përmendur se disa prej këtyre kanë thënë: Nuk shpëton kush i thotë dijetarit të vet: Si?, ose Përse?. Nënkuptohet se synimi i tyre është, që pasuesit të jenë “Të shurdhër, memecë dhe të verbër, andaj ata nuk kthehen (nga ajo rrugë e tyre e keqe)”. [Bekare: 18]
Ne në Islam i vlerësojmë dijetarët, i respektojmë dhe i madhërojmë ata, por nuk e teprojmë në dashurinë e tyre, nuk i konsiderojmë fjalët e tyre se ato janë kumtime kategorike të padiskutueshme, por fjalët e tyre i vëmë në kandarin e Kuranit dhe Sunetit (Traditës Profetike).
S’ka të sosur çudia ime me ata persona, me të cilët nëse debatojmë për ndonjë çështje dhe u sjellim argumentin, na polemizojnë bazuar në fjalët e dijetarit të tyre, sikur fjalët e tij të ishin shpallje e zbritur. Ky ekstremizëm dhe kjo tepri ku po jeton kombi ynë, është rezultat i dobësisë, ligështisë dhe shkumëzimit të saj. Kjo tepri ka marrë rrjedhën e vet në aspektin e diturisë, politikës dhe shoqërisë. Gjejmë shumë shtete, që kanë harruar edhe emrin e shtetit të tyre, e kanë neglizhuar tërësisht vatanin dhe janë përqendruar vetëm në emrin e qeverisësit, si flet ai, si ha, si pi, si fle, si zgjohet dhe si u buzëqesh masave popullore? Media dhe arsimi janë angazhuar me këtë “simbol”, me këtë udhëheqës të pazëvendësueshëm, kalorës të ëndrrave të kombit, begati të epokës, ndërtues të lavdisë së të parëve dhe të fundmëve, sekret të Zotit ndër njerëz.
Tepria dhe ekstremizmi arriti deri në shndërrim të evliave në idhuj, ithtarët e të cilëve bekohen me qimet, thonjtë, veshjet, pështymën dhe stërkalën e tyre në ujë dhe vaj, me fërkimin e varrit të tyre dhe tavafin (rrotullimin në kërkim të dermanit) përreth kubeve të varreve të tyre. Kësisoj u venit drita e njësimit të Allahut, shkoi bukuria e fesë së çiltër, u shuan dritat e Mesazhit, iku lulëzimi i Islamit; teksa shumë prej dijetarëve qëndrojnë të heshtur përballë këtyre ligësive.
Vizitova xhaminë e Husejnit kohë më parë. Pasha Allahun, aty gjeta gjëra, prej të cilave syri s’i përmban lotët, gjeta kërcim në natën e mevludit (ditëlindjes së Profetit a.s.) që nuk është se ka argumentet për të, këngë dhe muzikë përbri xhamisë, rrahje kraharorësh, bërtitje dhe britma, thirrje dhe klithma, njerëz që thoshin: O gjyshi i Husejnit na shpëto, na ndihmo!
Pashi Allahun, a është kjo prej Islamit, a bazohet kjo gjë në argumentet e Kuranit dhe Sunetit (Traditës Profetike), apo kemi të bëjmë me idhujtari (politeizëm), humbje dhe trill. Pasha Allahun, nëse këta persona do i shikonte dikush nga jomyslimanët, do të tallej me ta, do t’i vinte në lojë, do neveritej prej Islamit dhe do merrte arratinë prej tij.
I Dërguari i Allahut ia dedikoi dhe përkushtoi njësimin vetëm Allahut, të Pashoq, duke mbrojtur anët e konstruktit të njësimit hyjnor, duke evituar nga njësimi i Allahut çdo rrugë idhujtarie apo bidati (risie dhe shpikje të pabazë në fe), deri edhe në të folur. Profeti a.s. mbajti një qëndrim të prerë refuzues kundrejt nomadit, që i tha: “U bëftë ajo që do Allahu dhe do ti!”, duke i thënë atij: “Mjerë për ty! A më bërë mua rival me Allahun?! Përkundrazi, (bëhet) çfarë do Allahu, i Vetmi”.
Në momentet e agonisë së tij të vdekjes, Profeti a.s tha: “O Allahu ynë, mos e bëj varrin tim idhull që adhurohet!”
O myslimanë! Përkushtojani njësimin vetëm Zotit tuaj, dilni nga errësirat e idhujtarisë, bidatit dhe trillit, mos e teproni në fenë tuaj, mos i shenjtëroni dijetarët tuaj edhe në qofshin të devotshëm e të denjë. E drejta e dijetarit dhe imamit të devotshëm dhe të sinqertë është që të respektohet, t’i jepet pesha dhe grada që i takon, por nën konsideratën se ai është njeri që ha, ec nëpër tregje dhe prej tij mund të burojnë gabime dhe faje. Kurse kjo kotësi që po vërshon në botën islame, ku po shpallet shenjtëria në të katër anët, ku po deklarohet pagabueshmëria e imamit në çdo vend të banuar, kjo është metodologjia e Iblisit (shejtanit), është akademi djallëzore, të cilën e vepruan edhe kombet e tjera të humbura para nesh dhe të cilën po e pasojnë injorantët prej nesh, sikurse ka thënë i Dërguari i Allahut: “Do i pasoni rrugët e atyre që kanë qenë para jush, pëllëmbë për pëllëmbë e kut për kut, edhe nëse hyjnë në vrimën e zhapikut, do hyni në të”.
Dëshira dhe shpresa ime është, që t’i kthehemi burimit të saktë të Kuranit dhe Sunetit (Traditës Profetike), ta lexojmë jetëshkrimin e selefëve dhe tabi’inëve (të parëve të kombit tonë dhe gjeneratës pasuese të tyre), t’i kthehemi çiltërsisht besimit tonë të drejtë dhe fesë sonë korrekte, t’i pastrojmë mendjet dhe shpirtrat tanë nga pisllëku i trillit, nga ndyrësia e idhujtarisë, nga poshtërsia e shirkut (bërjes shok Allahut), nga fëlliqësia e bidatit (shpikjes së pabazë në fe).
Allahu i Lartësuar thotë: “S’është e drejtë dhe as i takoi ndonjë njeriu, të cilit Allahu i ka dhënë Librin, Urtësinë dhe profetësinë, t’u thotë njerëzve: ‘Bëhuni robërit e mi  e jo të Allahut (adhuromëni mua dhe jo Allahun)”! Por (ai ju thotë njerëzve): ‘Bëhuni dijetarë të mësimeve të Zotit, ngase u keni mësuar njerëzve Librin (hyjnor) dhe e keni studiuar atë”. [Ali Imran: 79]
 
Perktheu: Altin Torba

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit