-1.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Në cilat vende janë ndaluar qeset plastike?

Më të lexuarat

Duke dashur të pakësojnë mbetjet e panevojshme, disa vende i kanë ndaluar qeset plastike. Ta pranojmë, qeset plastike janë gjithandej. Mund të duken si mënyrë e lirë për të transportuar gjëra, por planetin po e dëmtojmë rëndë e në mënyra të shumta.

Sipas Institutit të Politikave të Tokës, në të gjithë botën përdoren rreth 1 trilion qese plastike në vit. Problemi është që këto qese përmbajnë polietilen që nuk mund të tretet në mënyrë biologjike. Kjo do të thotë që nëse nuk riciklohen, kthehen në atë ndotjen që shohim përgjatë rrugëve apo duke pluskuar në ujë. Kjo sjell probleme të rënda jo vetëm për ne dhe mjedisin, por për kafshët dhe jetën e egër.

Rreziqet

Disa nga rreziqet që sjellin qeset plastike:

  • Kafshët, zogjtë, peshqit, bagëtia e shumë gjallesa të tjera i marrin si ushqim ose si material për të ndërtuar foletë, duke bërë kështu që të helmohen, të mbyten, të ngecin nëpër to apo t’u bllokohen zorrët. Të gjitha mund të jenë fatale.
  • Meqë nuk janë të tretshme në mënyrë biologjike, qeset plastike mund të qëndrojnë përgjithnjë. Disa thonë që mund të qëndrojnë mbi tokë për më shumë se 500 vite, por dhe në këtë rast ato kthehen në grimca të vogla, të quajtura mikroplastika, të cilat prodhojnë lëndë helmuese që ndotin tokën e madje edhe prodhimin ushqimor për njerëzit.
  • Për shkak të peshës së lehtë, qeset i merr era nga koshat e nga landfillet. Më pas mund të bllokojnë lumenjtë, të dëmtojnë tokat bujqësore e të bëhen burim për miza.
  • Qeset plastike prodhohen duke përdorur naftë, një burim jo i rinovueshëm që mund të përdoret për shumë gjëra të tjera.

Si rrjedhojë, disa shtete apo qytete kanë marrë masa për t’i ndaluar totalisht. Disa i detyrojnë përdoruesit të paguajnë për qese plastike, që të shmanget përdorimi. Le t’i shohim se cilat janë këto vende.

Bota po lufton kundër qeseve plastike

Ka shumë vende e krahina që i kanë ndaluar qeset plastike ose u kanë vënë taksa për përdorimin, ndaj lista e mëposhtme nuk është e plotë. Thjesht jep një ide të shqetësimit që ka shkaktuar ky problem botëror, dhe se çfarë po bëhet si kundërpërgjigje.

Afrika

Afrika e ka marrë shumë seriozisht problemin e qeseve plastike. Më shumë se 15 vende në kontinent e kanë ndaluar përdorimin ose kanë vënë taksa. Ndalimi i parë u bë në vitin 2003, në Afrikën e Jugut, pasi qeset plastike u quajtën si “lulja kombëtare”, ngaqë shiheshin në çdo degë peme e në çdo shkurre. Çfarë trishtimi! Ja disa nga vendet në Afrikë që i kanë ndaluar ose kanë vendosur taksa:

  • Kenia
  • Mali
  • Kamerun
  • Tanzania
  • Uganda
  • Etiopia
  • Malavi
  • Marok
  • Afrika e Jugut
  • Ruanda
  • Botsvana

Por për shkak të tregut të zi, njerëzit vazhdojnë t’i përdorin në mënyrë të paligjshme. Është e vështirë të mblidhen statistika të rregullta në Afrikë për se sa i dobishëm ka qenë ndalimi. Menjëherë pas ndalimit, përdorimi i qeseve në Afrikën e Jugut ra me 90%, por prodhuesit e paligjshëm u shtuan.

Azi

Para lojërave olimpike të vitit 2008, Kina i ndaloi qeset e holla plastike dhe nisi t’u kërkojë bizneseve të vënë çmim për më të trashat. Qeveria kineze tha se kjo e ka ulur përdorimin me dy të tretat. Vende të tjera në Azi që kanë vënë ligje janë Bangladeshi, Kamboxhia, Hong Kongu, Kina, Indonezia, Malajzia dhe Tajvani.

Australia

Australia nuk ka një ligj ndalimi në të gjithë vendin, por shumë shtete kanë nisur t’i ndalojnë, që nga Territoret e Veriut, Australia Jugore dhe Tazmania.

Europa

Europa ka qenë shumë aktive në luftën kundër qeseve plastike. Në vitin 1994, Danimarka ishte vendi i parë që vuri taksë. Nga 800 milionë, numri i qeseve zbriti në 400 milionë në vit. Irlanda nisi të vërë taksa në vitin 2002, dhe përdorimi i qeseve ra me 90%. BE ka thënë se do ta ulë përdorimin e qeseve plastike me 80% deri në 2019. Kjo do të thotë që duhet të ketë mirëkuptim nga të gjitha shtetet. Vende të tjera që kanë marrë masa, janë:

  • Angli
  • Itali
  • Uells
  • Skoci
  • Gjermani

Amerika e Veriut

Fatkeqësisht, SHBA-të nuk kanë ndërmarrë ende ndonjë ndalim të qeseve plastike. Megjithatë, Meksika dhe disa provinca të Kanadasë kanë nisur disa masa. Shumë shtete në SHBA, gjithashtu, kanë vendosur ta marrin situatën në dorë. Në vitin 2014, Kalifornia u bë shteti i parë që ndaloi qeset plastike dhe vuri pagesë. Të tjera zona janë përpjekur t’i luftojnë me ndalime, taksa ose me programe të veçanta riciklimi, si:

  • Havaji
  • Uashington DC
  • Siatëll
  • Mein
  • Nju Jork
  • Rhode Island
  • Porto Riko

Amerika e Jugut

Disa zona në Amerikën e Jugut, si Brazil, Kili e Kolumbia kanë marrë masa për të ulur përdorimin e qeseve plastike, si përdorimi i trastave të tretshme biologjikisht dhe zbatimi i programeve të riciklimit. Megjithatë, edhe këtu është e vështirë të kesh statistika që tregojnë se sa mirë janë zbatuar.

Po unë? Si mund të ndihmoj?

Kjo na jep pyetjen e madhe: si mund të ndihmojmë unë e ti? Shon Hamond, Zëvendës Drejtor i Politikave te Këshilli Mjedisor i Miçiganit thotë se asgjësimi i qeseve plastike është hap i nevojshëm për të ulur ndotjen në plan afatgjatë. Zëvendësim i qeseve me trasta të ripërdorshme, ose ruajtja e qeseve plastike për t’i përdorur dhe herë të tjera, mund të ndikojë shumë me uljen e ndotjes. Hapi i parë dhe më i thjeshtë është të ripërdoren qeset që keni, qofshin plastike apo prej cohe. Kjo do ta ulte shumë numrin e tyre. Mosdhënia falas, por me pagesë, ka ndikuar që të ulet përdorimi. Tani që qeset po gjendjen në të gjitha rrugët ujore, është e nevojshme të merren masa sa më kreative për t’iu adresuar këtij problemi të gjerë shoqëror.

Hamond thotë gjithashtu se duhet pasur parasysh dhe “mantra” e vjetër, “pakëso, ripërdor, riciklo”: “Blini më pak, përdorini gjërat disa herë, dhe pastaj futini për riciklim, në vend që të hidhen në landfille. Bëhuni pjesë e pastrimeve vullnetare në zonën tuaj ose ndërmerreni vetë nismën për t’i organizuar. Përpjekja tjetër është të njoftoni ligjvënësit tuaj e t’u bëni të qartë që doni zgjidhje për këtë ndotje”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit