Zyra Britanike e Statistikave Kombëtare (ONS) ka shpallur rezultatet e një sondazhi me 3.000 njerëz
Sipas statistikave zyrtare, 87 për qind e njerëzve në Britani të Madhe kanë ndjerë rritjen e kostos së jetesës dhe 43 për qind kanë pasur vështirësi në pagesën e faturave të energjisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zyra Britanike e Statistikave Kombëtare (ONS) ka shpallur rezultatet e një sondazhi me 3.000 njerëz që përfshinë periudhën ndërmjet nëntorit të vitit të kaluar dhe marsit të këtij viti, të titulluar “Ndikimi i rritjes së kostos së jetesës në Britani”.
Në deklaratë thuhet se 87 për qind e të anketuarve mendojnë se kostoja e jetesës është rritur në muajin mars dhe kjo normë ishte 62 për qind në nëntor të vitit të kaluar.
Në deklaratë thuhet se 43 për qind e të anketuarve kanë pasur vështirësi në pagesën e faturave të energjisë deri në muajin mars, ndërsa 30 për qind kanë deklaruar se kanë vështirësi në pagesën e kredisë për banim apo pagesën e qirave të shtëpive.
Në deklaratë, theksohet se 43 për qind e të anketuarve kanë theksuar se nuk do të mund të kursejnë në 12 muajt e ardhshëm.
Inflacioni në vend është në nivelin më të lartë në 30 vitet e fundit
Inflacioni në Mbretërinë e Bashkuar, i cili u rrit me 7 për qind me bazë vjetore në muajin mars, ka arritur nivelin më të lartë të 30 viteve të fundit.
Sipas ekspertëve, inflacioni pritet të rritet më tej në periudhën e ardhshme për shkak të rritjes së kufirit të sipërm të faturave të energjisë në vend më 1 prill.
Si rezultat i vlerësimit të bërë nga agjencia britanike e inspektimit të energjisë Ofgem në intervale 6-mujore, nga 1 prilli ka hyrë në fuqi vendimi për të rritur kufirin e sipërm të çmimit që kompanitë e energjisë mund të reflektojnë në faturat e konsumatorëve nga një total prej 1.277 sterlinë në vit me një rritje prej 54 për qind në 1.971 sterlinë.
Analistët e sektorit energjetik në vend raportojnë se kufiri i sipërm që mund të zbatohet për faturat vjetore të konsumatorëve, duke reflektuar rritjen e kostove të energjisë, mund të rritet edhe një herë në tetor të këtij viti, deri në 2.600 sterlinë në total në vit.
Në vend, taksat bashkiake që qiramarrësit duhet të paguajnë çdo muaj për banesat e vlerësuara me një kosto mesatare janë rritur me të paktën 2,4 për qind në 3,7 për qind në rajone të ndryshme të vendit.