-2.4 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Në 93 vjetorin e Kongresit të I-rë Mysliman Shqiptar

Më të lexuarat

U mbushën plot 93 vjet nga themelimi i Komunitetit Mysliman Shqiptar, si një bashkësi që do të përfaqësonte zërin e besimtarëve myslimanë në Shqipëri, zërin e myslimanëve në trojet shqiptare, madje, në mjaft raste, edhe zërin e mbarë shqiptarëve.

Ai që shënoi pikënisjen drejt institucionalizimit të bashkësisë islame ishte Kongresi i Parë i mbajtur më 24 shkurt deri më 12 mars 1923, që hodhi themelet e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Prej asaj date, besimtarët myslimanë shqiptarë do t’i dilnin vetë për zot përhapjes dhe ruajtjes së traditës së bukur të besimit islam.



Ndërtesa e Komunitetit Mysliman, e ndodhur mbrapa xhamisë Sulejman Pasha në Tiranë, të dyja të shkatërruara nga komunizmi. Foto Marubi, 1938.

Myslimanët patën një rol të padiskutueshëm dhe vendimtar në formimin e shtetit shqiptar. Me të njëjtin zell dhe me përgjegjësinë më të madhe ata themeluan Komunitetin Mysliman Shqiptar, në përputhje të plotë me të gjitha parimet e fesë islame, e cila ishte përvetësuar në formën e vet më të bukur dhe më të drejtë nga udhëheqësit myslimanë. Myslimanët e këtij vendi arritën që një pjesë të mirë të cilësive të besimit t’i shndërronin në pjesë integrale të traditës sonë, madje pjesë të pandarë të identitetit kombëtar.

Parime të tilla si: besa, mikpritja, bujaria, toleranca etnike dhe fetare, ruajtja e farefisnisë, harmonisë familjare etj., që janë ndër normat themelore të etikës islame, u përvetësuan nga mbarë shqiptarët pa dallim feje e prejardhjeje dhe sot ndoshta janë nga të paktat gjëra me të cilat ne vazhdojmë të krenohemi përpara botës.



Vendimi për themelimin e Medresesë së Naltë në Tiranë më 1924

Personalitete të tilla si: Haxhi Vehbi Dibra, Hafiz Ali Korça, Hafiz Ibrahim Dalliu, Hafiz Sabri Koçi, e qindra të tjerë, funksionarë të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, kanë qenë përherë ndër përfaqësuesit më të shkëlqyer të qytetarit, familjarit, prijësit, shokut dhe bashkëkombësit shembullor, lëvrues dhe praktikues të traditave më të bukura të fesë sonë dhe të këtij populli.

Në vitet e para të formimit të vet, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ishte jo vetëm flamurtar i promovimit të edukatës dhe moralit të lartë shoqëror, por edhe pararojë e një institucioni të mirorganizuar që përbënte një model për institucionet e tjera shtetërore dhe më gjerë, që natyrshëm kishin shumë nevojë për modele të mira.

Një hap shumë i rëndësishëm dhe i studiuar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë ishte hapja e medresesë. Ajo çka e bën të veçantë këtë shkollë, nga shumica e simotrave të saj në botë në atë kohë, është koncepti i mësimdhënies në to. Komuniteti Mysliman gërshetoi në Medrese së bashku me lëndët fetare edhe ato shkencore dhe bëri përpjekjet maksimale që profilin dhe nivelin arsimor në Medrese ta mbante në standardet më të larta të kohës, çka e bënte medresenë një ndër shkollat më të mira asokohe.

Një tjetër fushë e rëndësishme ku Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dha një kontribut të pazëvendësueshëm, është edhe ajo e letrave, kryesisht me revistën “Zani i Naltë”, por jo vetëm. Gati 16 vjet të jetës së saj, revista “Zani i Naltë” botoi një sërë artikujsh që dëshmojnë një pasuri të tërë kulturore, nëpërmjet së cilës pasqyrohet edhe niveli i mendimit teologjik shqiptar gjatë periudhës së pavarësisë.

Për shkak të kohës relativisht të gjatë të daljes së kësaj reviste, mund të thuhet se ajo pati një rëndësi shumë të madhe për edukimin fetar të popullatës shqiptare, por edhe për zgjimin e ndjenjave të patriotizmit, të ngritjes kulturore e arsimore, etj. Revista u angazhua në mënyrë të vazhdueshme në fushën e edukimit, të studimit sociologjik e psikologjik, në formimin e ndërgjegjes kombëtare, në bashkimin dhe vëllazërimin e popullit tonë. Historia e viteve që pasuan, e sidomos me fillimin e

Luftës së Dytë Botërore e më pas, do të ishte shumë e ashpër me besimin dhe besimtarët, sikurse ishte me të gjithë shqiptarët. Vajtimi u bë kaderi i komunitetit më të madh në vend për më shumë se gjysmë shekulli, sepse më shumë se çdokush tjetër dhe mbi çdo torturë fizike, besimtarëve iu mohua përkujtimi i Zotit, iu ndalua besimi, iu ndrydh ndërgjegjja, iu ndërpre komunikimi që ata kishin në çdo namaz, agjërim e haxh me Krijuesin e qiellit e të tokës, Zotin e zemrave të tyre, Allahun e Madhëruar.

Por, ishte e kaluara islame e këtij populli, që zbuti shthurjen totale të shoqërisë sonë prej furtunës komuniste. Qoftë edhe fshehurazi apo me lloj-lloj mënyrash, shumë besimtarë e ruajtën identitetin e tyre, madje një pjesë të riteve i kryenin fshehurazi.

Sot, çdo gjë është ndryshe. Liria e besimit është e garantuar, por plagët që lanë vitet e mohimit mbi brezat, janë edhe më të mëdha se në vitet që ato u shkaktuan.

Mosdija fetare, varfëria, përçarja, tronditja e besimit në Zot dhe në Ditën e Gjykimit, janë ndër plagët më serioze që shoqëria jonë përballet sot dhe njëkohësisht janë sfidat që ne kemi përpara.

Prandaj Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është i vetëdijshëm ndaj misionit të vet vendimtar për rigjallërimin e vlerave të besimit dhe të traditës së bukur islame, me qëllim që Zani i Naltë i Islamit, të zërë vendin që meriton në shoqëri, në familje, por më shumë se kaq, në zemra e në mendje.

Ne më shumë se kurrë, presim ditë pranverore, por dhe duke u përpjekur që çdokush të ketë mundësinë ta shijojë pranverën. Ky është detyrimi ynë ndaj sakrificës së atyre qindra dijetarëve që na lanë amanet traditat më të bukura. Kjo është përgjegjësia jonë ndaj vendit tonë.

Ky është falënderimi ynë ndaj mirësive të Allahut që nuk kanë të sosur…

Prandaj sot Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është përsëri aty, në gjirin e shoqërisë, për të ecur krah për krah me të, që të ushqejë ndjenjat më të pastra, të rrisë e të zgjojë ndjenjën e dashurisë për fenë, njeriun dhe njerëzoren, të frymëzojë shpresa të reja, si dhe të zgjojë e të forcojë te besimtarët besimin e bukur islam./kmsh/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit