2 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Në 30 qershor u zbatua një grusht i ndyrë shteti. Shqiptarët zyrtarisht janë në tirani

Më të lexuarat

Nga Shinasi Rama –
(Aktivist i Lëvizjes së Dhjetorit ’90, profesor në universitetin e Nju Jorkut SHBA)
Zgjidhjet mbas grushtit të shtetit me zgjedhje: Hitlerizim i mëtejshëm apo përmbysje??
Grushti i shtetit është në thelb vendosja e vullnetit të një pakice institucionale mbi ligjin dhe mbi vullnetin politik të shoqërisë. Votimet e djeshme janë një hap përpara përmbylljes së grushtit të shtetit dhe hitlerizimit të metejshëm të jetës politike dhe shoqërore në shtetin shqiptar. Pakica e ndjeshme jo vetëm që deklaroi fitore, por edhe shpalli se do të vazhdonte në rrugën e vet të hitlerizimit të shtetit, pra, të lënies të interesit shtetëror e kombëtar në vullnetin e një njeriu. Ky akt flagrant, në rastin e shtetit shqiptar, do të thoshte Carl Schmitt “është fundi i shtetit Hegelian.” Zgjedhjet që ndodhën në shtetin shqiptar treguan qartë se pakica sektare e organizuar si Rilindje e ka marrë kontrollin e plotë të PS, dhe jo më me kryetarllëk e me vulë por edhe me mbështetje. Sepse zgjedhjet treguan se PS është një strukturë e konsoliduar. Ajo ka mbështetje të fortë në tre moshat votuese. Dallohet rritja e mbështetjes në brezin e ri që po e zëvendëson të vjetrin. Ama këta të rinjtë janë egërsira politike, arrivistë pragmatistë dhe të pandalshëm në etjen e tyre për të thithur nga shteti.

Sot Shqipëria zyrtarisht ka një Führer, një kleiner Führer, një individ që kontrollon të gjithë institucionet, pa pyetur për interes kombëtar e shtëtëror. Se cfarë njeriu është e tregon ajo shprehja e Prof. Dr. Gjergj Mullaga, “Ngrihu Enver Nga Ai Varri, Se Në Dorë E Ka Marrë I Marri.” Me një djallëzi e cmenduri të paparë, dhe me vullnet të vetin mbi ligjin që bën cfarë don ai me shtetin, me kombin, me interesat jetike dhe me të ardhmen ky individ me probleme të përhershme dhe të pasqaruara në lidhje me drogën dhe psikikën e vet si dhe ata që e ndjekin si qole, realizuan grushtin më të ndyrë të shtetit në historinë boterore. Pa ushtri, pa institucione, me brekushe, i droguar, me një masë të coroditur enveristësh të vjetër dhe zagarësh të rinj të stërvitur me bursa rrugëve të botës, dhe në shërbim të sindikatës ndërkombëtare të krimit ky individ dhe ata që e lëvizin si pupazzo përdorën një pakicë të organizuar që punon vetëm për një rrogë nga shteti për të kapur të gjithë institucionet e shtetit. Në Shqipëri nuk ka më Republikë. Në Shqipëri, mbas këtij grushti shteti ka një Tirani despotike të një sekti që kontrollon si PS ashtu edhe PD.
Tirani është vendosja e vullnetit të një individi, sado solomonian të jetë ai, mbi ligjin. Dhe në rastin e shtetit shqiptar, qartësisht dosjet e shumta tregojnë se tirania është vendosur mbi ligjin. Në këtë shtet humben e shpërdorohen në një vit 1.2 miliardë dollarë nga buxheti I shtetit (25% e buxhetit vjetor) dhe askush nuk dënohet. Kjo është Tirani. Humbet një gjyq ndërkombëtar për 124 milionë Euro për tekat e kryeministrit dhe askush nuk dënohet apo konsiderohet përgjegjës, dhe bile avokatët që mbrojtën të huajin kundër shtetit shqiptar janë pjesë e shtetit shqiptar. Kjo është Tirani dhe vjedhje. Dëbohen gjysëm milionë shqiptarë dhe hidhen në rrugët e botës, dhe askush nuk preket. Kjo është Tirani dhe pastrim etnik. Asnjë gjykatës nuk e justifikon dot pasurinë, dhe askush nuk hyn në burg. Kjo është Tirani dhe padrejtësi. Paguhen me qindra milionë dollarë në arbitrazhe e gjykime dhe askush nuk e thotë nje fjalë.

 

Kjo është Tirani dhe hajni. Administrata fryhet nga 107 000 vetë që duhet të ketë nominalisht në 160 000 vetë dhe të gjithë ndjehen mirë se hanë një kafshatë bukë. Kjo është Tirani dhe korrupsion. Vendi është plantacion droge dhe pikë trafikimi dhe institucionet e policia janë pjesë e strukturës kriminale. Kjo është Tirani dhe kriminalizm. Borxhi i shtetit që ka shkuar mbi 10 miliardë po rritet mesatarisht me 1 miliardë dollarë në vit dhe nuk ka reagime. Kjo është Tirani dhe vjedhje. Koncesionet, 263 të tilla, që po jepen arbitrarisht dhe me metoda kriminale e kanë lënë peng të ardhmen e shqiptarëve edhe për 13-25 vite të tjera. Kjo është Tirani dhe krim kombëtar. Institucionet që duhej të ishin jetike për funksionimin e shtetit, si Gjykata Kushtetuese, as nuk ekzistojnë, as nuk mund të konstituohen, por edhe kur ekzistojnë si Kontrolli I Lartë I Shtetit nuk janë funksionale dhe p organikën e duhur. Kjo është Tirani dhe shkatërrimi I shtetit ligjor. Ekzistojnë dosje publike dhe në sirtarët e shërbimeve të shteteve të ndryshme që implikojnë që nga krimet seksuale, rough sex ku iu mbesin femrat në dorë dy figurave publike, tek korrupsioni I hapur, vjedhja e votave, keqadministrimi I shtetit, shkelja e ligjit, dhe abuzimet e panumërta. Kjo është tirani dhe despozitëm. Institucionet e ndryshme nuk respektojnë praxis ligjor që e bën të detyrueshëm dekretin që del në Fletoren Zyrtare. Kjo është Tirani dhe kapje e shtetit. Kapen ministra, të afërm të tyre, dhe një lukuni me mafiozë e kriminelë të përfshirë në trafiqet ndërkombëtare të drogës dhe askush nuk e thotë një fjalë. Përkundrazi këta maskarenj të japin edhe leksione morali. Kjo është Tirani dhe zvetënim I shoqërisë. Kur nuk mundesh me iu kundërvue kësaj sjelljeje, dhe kur nuk ke mekanizma që kontrollojnë, shtërngojnë e dënojnë sjelljen e politikanëve, kjo është tirani. Percarja kombetare ne katundarë e qytetarë, në Gege e ne Toske, ne Ortodokse, Katolike e Muslimane eshte e qëllimtë dhe kriminale. Kjo është Tirania dhe teknika e dsaj ‘përcaj e sundo.’ Tirania nuk ka brirë. Tirania është thjesht vendosja e vullnetit të një njeriu që interpreton ligjin. Mirëpo në Shqipëri, me sjelljen e institucioneve, të partive, dhe të strukturave duket se e kemi kaluar tiraninë dhe jemi në fazën kur ligji është vullneti i tiranit. Dhe kjo strukturë quhet despotizëm.

 

Tani, me këmbënguljen e strukturës sektare për të vendosur despotizmin shoqëria shqiptare ka dy rrugë e vetëm dy rrugë. Njëra rrugë është hitlerizimi I mëtejshëm dhe vazhdimi I këtij eksperimenti kriminal që e kthen shtetin në vegël të oligarkisë dhe të sindikatës ndërkombëtare të krimit që përdorin këtë individ të zvetënuar dhe të degjeneruar në të gjithë drejtimet për të arritur kapjen e sundimin e një kombi të coroditur e e në gjendje cmendurie kolektive sic janë shqiptarët. Hitlerizimi i metëjshëm është shkatërrimi i të gjithë kundërshtarëve, vendosja e kontrollit të fshehtë mbi institucionet e shtetit, ruajtja e një fasade të moralshme, por me mekanizma të dyfishtë që mundësojnë shfrytëzimin maksimal, dhe të pakundërshtueshëm të shtetit e të kombit shqiptar nga sindikata ndërkombëtare e krimit. Kjo arrihet përmes veglave që strehohen në partitë politike, në OJQ dhe në institucionet kyçe të shtetit. Një pakicë e organizuar e drejton të gjithë shoqërinë shqiptare drejt një gjendjeje kur për bukën e gojës bëhen krimet më monstruoze dhe më të pafalshme që e çojnë situatën në një skllavëri permanente sepse ata që janë pronarët kontrollojnë çdo gjë, gjithkënd, dhe gjithkund.
Zgjidhja e dytë është kundërvënia ndaj tiranisë. Mirëpo në këtë shtet skllevërish nuk kanë mbetur shumë vetë me karakter dhe me dinjitet për të qëndruar bashkë kundër të keqes. Të gjithë mendojnë se i dinë të gjitha dhe se bota sillet rrotull tyre. Strukturat që duhej ti kundërviheshin moralisht këtij projekti janë në shërbim të parisë dhe të sektit ose janë të zhvlerësuara deri në maksimum nga sjellja e tyre e mëparshme dhe kriminale kur ishin në krye të shtetit. Diskreditimi i partive kundërshtare, jo vetëm pse janë palë e oligarkisë dhe parisë së Tiranës, por edhe sepse janë të lidhura vetë me interesat jo shqiptare dhe me sindikatën ndërkombëtare të krimit e ka futur gjendjen në një qorrsokak të frikshëm. Çdo kundërshtar i kësaj tiranie ose kompromentohet, ose degjenerohet ose dëbohet ose sistematikisht persekutohet dhe izolohet. Me nje strukturë shërbimesh e policore relativisht besnike dhe e mirëstërvitur si qenë policie dikur, me një media të kontrolluar tërësisht e deri në fund nga palët e oligarkisë, me një strukturë familjesh mafioze që terrorizojnë lagje e qytete të tëra pa ndëshkim, dhe me mbështet e profesionalizëm nga sindikata ndërkombëtare e krimit, tirania nuk duket se ka kundërshtarë të aftë dhe të përkushtuar për vendosjen e rendit të duhur shoqëror.

 

Në këtë kontekst, vetmja zgjidhje është ajo që është parashtruar në Manifestin Politik të Bleta Shqiptare. Pa shumë mëdyshje, dhe pa modesti, kisha thënë se zgjidhja është dhënë qartë edhe në librat e mi dhe të kolegëve. Ama duke e ditur se më parë bëhen bashkë një grusht me pleshta se një tufë intelektualësh që meditojnë nga ballkonet dhe kafenëtë e Tiranës, dhe se kur të trokasësh në derën e dikujt për votën do të pyesë më së pariu se cfarë ben ti për të dhe për familjen e tij, dhe se njerëzit janë të pazotët të lidhin zgjidhjen që iu shërtben të gjithëve me interesin e tyre personal, shpresat janë të pakta se do të pranohet si zgjidhje. Mendoj se në vend të arsyes do të dalin, të ushtyr nga paria dhe nga sindikata ndërkombëtare e krimit shumë demagogë dhe sharlatanë që do të drejtojnë njerëzit si gjtihnjë në rrugën e gabuar dhe pa krye. Nga kjo natyrisht përfiton vetëm tirania, por ky është fati i I njerëzve dhe i ideve. Nuk mbin fara e grurit në asfalt.
Ajo që është më e mundshme është një zgjidhje e tretë. Duke qenë se hitlerizimi do të vazhdojë me ngadalë por me siguri, atëherë zgjidhja më e ngjashme është izolimi dhe pritja që sistemi do të bjerë nën peshën e zullumeve të veta. Të huajt do ta kthejnë atë vend në një kamp përqendrimi. Tirania do ta kthejë atë vend në një kamp përqendrimi. Pastrimi etnik dhe I kundërshtarëve do të cojë në një gjendje kur do të mbesin një grusht skllavopronarësh dhe shumë skllevër. Dhe me cdo trandje, tirania dhe despotizimi do të bëhen edhe më të fortë, edhe më të djallëzuar, edhe më të sofistikuar. Sepse ata që ju kanë blerë dhe ju kanë pronë, I kanë përgatitur si qentë e policisë dikur, brezat që duhet të marrin pushtetin dhe të vazhdojnë sundimin në shërbim të tyre. Për ju, do të ketë gjithmonë Eine Führer, Eine kleiner Führer, që për momentin sundon dhe pastaj ia lë vendin pasardhësit dhe shkon të jetojë me pasurinë që e merr si shpërblim për shkatërrimin e kombit shqiptar. Skllevër, bij skllevërish se meritoni, se liri s’doni. Kur të luftoni për lirinë, dhe ta kuptoni se liria vjen përmes shtetit tënd dhe për të duhet paguar çdo çmim, atëherë do të bëheni njerëz e ndoshta edhe komb modern.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit