0.7 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Ndryshimet në qeveri, pse dhe për ç’duhen?

Më të lexuarat

Redi Shehu

 

Protestat studentore përshpejtuan procesin e ndryshimeve ne qeveri dhe e kushtëzuan atë. Nëse përpara në 2017 mendohej të hiqeshin bashkë me Tahirin edhe Bushati dhe Nikolla (u lanë për shkak të samiteve të NATO-s dhe maturës shtetërore), shuplaka studentore jo vetëm përshpejtoi proçesin por edhe e kushtëzoi atë duke e detyruar për një ndryshim thelbësor të qeverisjes me shtatë ministra të hequr dhe dy ministra të paralajmëruar. Pyetja që shtrohet është: a është e barazvlefshme një shuplakë e marrë studentore me një milion shuplaka elektorale të dhëna në zgjedhje? Kur u dhanë një milion shuplaka, u ndërtuar qeveria e re. Kur u morr një shuplakë e vetme në dhjetor, u bë pothuaj qeveria e re përsëri. Pra, shuplaka ka përfaqësur delegjitimitetin politik të një qeverisjeje si në rastin elektoral e si në rastin e protestave. Në këtë kuptim ne mund t’i konsiderojmë ndryshimet e bëra si dhe ikjen e ministrave si delegjitimim të qeverisjses.

Ndryshimet ndodhën edhe për të restauruar figurën e dëmtuar të kryeminstrit. Ai u merakos që të pozicionohej me studentët; tha “jam në balle të protestës”. Vërtet, nga presioni studentor ai u vu në ballë të protestes duke hequr më shumë ministra se sa vetë studëntet do të hiqnin po të kishin diçka në dorë. Këtë e bëri për ta kategorizuar veten brenda grupit “ne, studentët” dhe per t’u distancuar me grupin “ata, qeveria”. Ky është rasti i parë unikal, në dijeninë time, kur një kryeministër në pushtet bëhet opozitë me veten, e në të njëjten kohë del në protestë ndaj vetvetes. Duke u distancuar me kategorinë “ata, qeveria”, ai tenton të shkarkonte përgjegjësinë e gjithë kësaj kohe. Kjo nuk është e drejtë. Të pakten të tregohet i sinqertë dhe të thotë që shuplaken që mora do e përdor kundra arrogancës, talljes, nënçmimit të tjetrit, dhe pse jo, mendjemadhësisë. Nëse do të vepronte në këtë formë, atëherë do të kishim ndonjë arsye për të besuar se ai do ta përmirësojë veten dhe qeverisjen.

Ndryshimi është thelbësor në numra, por në cilesi duhet parë Ajo që mund të thuhet është se karaktersitikat e këtij ekipi nuk i kalojnë tiparet e një ekipi teknicienësh duke e transformuar ironikisht qeverinë në një “lëvizje pothuaj apolitike” gati-gati studentore, nga mungesa e peshës së figurave të mëdha politike të së majtës. Ishte mjet dhe formë për t’u forcuar politikisht në Kongresin e PS-së në fund të marsit dhe për ta konfirmuar veten si lideri i vetëm i kësaj partie, pas tronditjes së dhjetorit.

Ndryshimet ishin një mesazh i fortë, bile ai shprehet: “Ju ftoj të gjithëve që ndryshimet në qeveri t’i shikoni si një reflektim të një kapërcimi të domosdoshëm për ta kthyer këtë mandat në një fitore që do na çojë në mandatin e tretë”. Ai thotë se: ”studentët na dhanë mundësinë për të lexuar se cila është rruga për në mandatin e tretë, jo për vete por për Shqipërinë’’.

Pra studentët, në konceptin e kryeministrit, qenkan çelësi i fitores. Këtu pastaj jemi me të dyja këmbët në atë që unë e quaj “hipokracia shqiptare”, ku hipokrizia e kthyer në sistem është alibia për të mbuluar mungesën e demokracisë tonë. Demokraci që nuk është gjë tjetër, veçse gjërat zhvillohen për hir të asaj që duhet të bëhen dhe jo për shkak të thelbit të tyre.

Ironia është se të hequrit si ministra do të hidhen në fushatë si motora elektoralë: Gjiknuri në Vlorë, Bushati në Shkodër, Nikolla diku etj. Si ka mundësi që njerëz të përfolur do të mund t’u flasin njerëzve në fushatë? A do ta sabotojnë ato fushatën? Them jo, sepse Rama ka bërë një lëvizje të zgjuar, pasi të përfolurit janë më të interesuar që pushteti i majtë të vazhdojë, duke qenë se e shohin si mjetin mbrojtës për veten, krahasuar me një pushtet tjetër që mund të vinte dhe t’i fuste në telashe juridike.

Protestat treguan se ka një keqvendosje mes politikës dhe partitizmit në Shqipëri, që prej kohësh ka zënë shtresa dhe po kalçifikohet brenda ndërgjegjes qytetare të secilit, duke e bërë më konfuz kuptimin mbi ngjarjet politike. Partitë tona konsiderohen si sipërmarrje, të cilat nuk duhen humbur, por duhen mbajtur me çdo kusht për të garantuar vazhdimësinë e pushtetit politiko-ekonomik. E kjo mund të arrihet vetëm brenda një fasade demokracie, e cila në thelb është hipokrizi për të certifikuar mungesën e standardeve demokratike në të.

Ndryshimet në qeveri, pikërisht këtë duhet të tregojnë, që kjo iniciativë shënon daljen nga hipokracia dhe transformimin nga partitizëm në politikë të pastër dhe shtet të së drejtës. Për ta provuar këtë, ministrat e rinj kanë shumë punë për të bërë. Kryeministri po ashtu duhet të tregojë që shuplaka që ka ngrënë, do shërbejë për diçka.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit