5.9 C
Pristina
Friday, December 20, 2024

Ndryshim profetik

Më të lexuarat

Nga: Dr Selman Aude

Ndryshim profetik

Ndryshimi më i madh në histori, ishte sa i paqtë dhe i qetë, aq dhe i thellë dhe i palëkundur.
Profeti Muhamed a.s, i ndryshoi bindjet, sjelljet dhe traditat sociale, me bindje, zemërbutësi, dhembshuri dhe dashuri. Ai e përdori forcën vetëm në kuadër tepër të ngushtë.
Trembëdhjetë vitet në Mekë, ishin vite persekutimi ndaj tij dhe myslimanëve.
Beteja e Bedrit u zhvillua krejt rastësisht, pa përgatitje.
Beteja e Uhudit ishte për vetëmbrojtje.
Beteja e Hendekut ishte për vetëmbrojtje.
Marrëveshja e Hudejbijes ishte një pakt, të cilin disa myslimanë e interpretuan si dobësi.
Marrja e Mekës u arrit pa derdhur asnjë pikë gjaku, motoja kryesore ishte:”Shkoni se jeni të lirë!”
Ai u dha të drejtat të persekutuarve, u dha lirinë skllevërve, i ktheu dinjitetin njeriut dhe nderoi femrën.
Ai u hoqi pushtetin elitave dhe tiranëve me shumë pak sakrifica.
Habitesh kur lexon se si profeti Muhamed a.s e shuajti zakonin e hakmarrjes të përhapur mes fiseve arabe.
Habitesh se si arriti të krijojë një mentalitet të ri, të çliruar nga imitimi i verbër, falli dhe magjitë.
Habitesh se si arriti të ndërtojë barriera psikologjike tek ithtarët e tij, kundër gjithçkaje që i përket periudhës së injorancës:
Shthurjes së injorancës
Fanatizmit të injorancës
Kanuneve të injorancës
Krenarisë së injorancës
Një herë, ai e etiketoi Ebu Dherin me fjalët:”Ti ke akoma mbetje nga koha e injorancës”.
Ai nuk njohu kompromis me paganizmin, cilat do qofshin sakrificat, nuk rreshti së renduri për ta shembur në mendjet e njerëzve dhe zemrat e tyre, duke ndërtuar monoteizmin paralelisht.
Ai hyri në Mekë për të kryer vizitën e planifikuar një vit më parë, edhe pse Qabeja rrethohej nga 360 idhuj të ndryshëm. Asnjërin prej tyre nuk e theu, pasi rindërtimi dhe vendosja e tyre sërish rreth Qabes, ishte një proces i lehtë, ndoshta edhe më madhërishëm për ata që vazhdonin tu besonin këtyre idhujve. Ai nuk i prishi idhujt veçse pasi e çliroi Mekën, vetëm pasi kishte rrënjosur bindjen e monoteizmit në mendjet e ithtarëve dhe njerëzve të tjerë, saqë dikush nga mekasit tha:”Nëse do kishin sado pak pushtet, nuk do të na kishin lënë në baltë (për idhujt)”.
Durimi dhe maturia e profetit Muhamed a.s manifestohej qartë në komunikimin me paganët e Mekës, me të cilët përdori të gjitha metodat e vetëpërmbajtjes dhe zemërgjerësisë. Kjo, edhe pse e keqtrajtonin, fyenin dhe manifestonin agresivitet si ndaj tij, asht udhe ndaj myslimanëve të tjerë, burra apo gra qofshin.
Kurse në Medine, ai jetoi pranë hebrenjve, paganëve, mynafikëve dhe besimtarëve me besim të dobët, të cilët e shoqëruan gjer në fund të jetës. Surja Huxhurat iu shpall nga fundi i vitit të nëntë të hixhretit dhe ajo i paralajmëron shtresat e mësipërme lidhur me etikën e ulët që përdornin në komunikimin me profetin Muhamed a.s, si ngritja e zërit, përgojimi, etiketimi me nofka, mendimi i keq etj… ajeti mbyllet me:”Arabët e shkretëtirës deklarojnë: “Ne besojmë”. Thuaju: “Ju nuk keni besuar! Por më mirë thoni: ‘Ne përulemi’, pasi besimi ende nuk ka hyrë (si duhet) në zemrat tuaja. E, nëse i bindeni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, nuk do t’ju pakësohet asgjë prej veprave tuaja. Sigurisht, Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.” (Huxhurat, 14)
Profeti Muhamed a.s ndërroi jetë, ndërkohë që parzmoren e kishte lënë peng tek një hebre, për ushqimin që kishte blerë për familjen e vet. Shitblerja, si për Profetin a.s ashtu dhe për këtë hebre kishte qenë e dobishme. Këtu del në pah thelbi i bashkëjetesës, pra, kur kupton se interesi yt mund të jetë dhe interesi i dikujt tjetër dhe anasjelltas.
Është një mësim shumë i vyer për brezat e ardhshme, që Medineja, kryeqyteti i Islamit, të dëshmojë për këtë diversitet dhe bashkëjetesë të çmuar, prej ku njerëzit mësojnë metodën e komunikimit të modelit të tyre sublim, me bashkatdhetarët e tij nga fetë e tjera.
Ligji islam, përgjatë historisë, ua ka garantuar të drejtat të gjitha feve dhe sekteve të ndryshme, duke e ruajtur strukturën sociale. Ai nuk u impononte ndryshimin e sektit apo fesë, pasi besonte se dialogu konstruktiv mbetet mënyra më e mirë.
Por kur kjo strukturë prishet për shkak të konflikteve të ushqyera nga politika, të stimuluara nga xhahilë fanatikë dhe për shkak të dritëshkurtësisë, shpërthejnë përplasjet në të katër anët, harrohen fqinjët për të cilët Profeti a.s porosit që të respektohen, edhe nëse i përkasin fesë tjetër. Tradita profetike na sjell modele të gjalla të mënyrës se si e trajtonte Profeti a.s fqinjin e tij hebre.
E në konflikte dhe përplasje, niveli i ndërgjegjësimit dhe arsyetimit pëson tërheqje pas, njerëzit rendin të paragjykojnë padrejtësisht njëri-tjetrin dhe janë të gatshëm të zgjedhin skenarët më të rëndë, duke iu kthyer primitivizmit.
Intelektualët e kuptojnë që kjo është diçka emergjente dhe se reflektimi i kthjellët është i mundshëm, sidomos pasi të qetësohet situata dhe njerëzit të fillojnë të mendojnë për interesat dhe jetesën e përbashkët. Prandaj dhe Amr ibnul As i vlerësonte romakët me fjalët:”Janë njerëzit që kthjellohen më shpejt pas një fatkeqësie!”
Këtu, ai përmend një tipar të ndërgjegjes së tyre kolektive, se dinë si ti kapërcejnë tensionet, luftërat dhe përplasjet, duke u ulur për dialog dhe bisedime.
Pikërisht këtë e vumë re në Evropë pas dy luftërave botërore, ku popujt e kontinentit u drejtuan nga globalizmi, bashkimi i tregjeve dhe ndërtimi i BE, si një nga institucione më të mëdha.
Ndërkohë, disa vende zhyten gjithmonë e më shumë në konflikte, për shkak të zakonit të gjakmarrjes dhe armiqve të vjetra, të cilat ua kultivojnë dhe brezave të rinj nëpërmjet poezive dhe miteve të shumta.
Fërkimet dhe konfliktet mund të marrin natyrë sektare, partiake, politike dhe ideologjike, duke i ndarë njerëzit edhe në marrëdhëniet mes tyre, ky është islamik e ai laik.
 
Përktheu: Elmaz Fida

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit