Omeri i biri i Hatabit kishte organizuar që për Ramazan të ndizen kandila dhe të ndriçohet xhamia. Ai poashtu i kishte tubuar njerëzit që namazin e natës (teravinë) ta falin pas një imami së bashku. Me këtë krijoi një atmosferë të ndritshme uniteti mes muslimanëve. Më vonë, duke parë refleksionet pozitive të këtyre iniciativave të Omerit, Aliu i biri i Ebu Talibit ishte lutur: “Allahu ta bëftë dritë varrin, o Omer.”
Vëllezër dhe motra,
Ndizni kandilat e zemrave tuaja dhe lejoni që nëpërmjet tyre të shihet dhe depërtojë drita e mirësisë. Bëhuni solidarë, zemërgjerë, tolerantë dhe dashamirës.
Gdhendeni sjelljen, zbukurojeni atë me respekt për tjetrin, ngroheni me dashamirësi dhe duani për të tjerët atë që doni për veten. Jepni që të keni, dhuroni që të merrni, duani që të duheni. Kujtoni se: “Çkado që të jepni për vete nga mirësitë, do ta gjeni tek Allahu…” (Kuran)
Tu bësh dritë njerëzve mund të duket gjë e thjeshtë, por, nuk duhet harruar se ka rëndësi dhe vlerë të madhe. Njerëzimi ka nevojë për dritë dhe atë mund ta ofrojë vetëm ai që e ka atë. Secilin prej neve Allahu e ka begatuar me dritën e Vet, të cilën pastaj ne e lëmë të zbehet apo e ruajmë dhe e fuqizojmë. Obligimi ynë është që tu ofrojmë të tjerëve ngrohtësi qe të afrohen dhe të shohon dritën.
Të mendojmë për familjarët, farefisin, fqinjët, njerëzit që i njohim por edhe ata që nuk i njohim. Të gjithëve u kemi borxh që për ta TË NDEZIM KANDILAT E ZEMRËS.
Hoxhe Ekrem Avdiu