2 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Ndikimi i Kinës në Afrikë paraqet kërcënim në rritje, paralajmëron gjenerali amerikan

Më të lexuarat

Gjenerali i lartë i Shteteve të Bashkuara për Afrikën po paralajmëron se një kërcënim në rritje nga Kina mund të vijë jo vetëm nga ujërat e Paqësorit, por edhe ato të Atlantikut.

Në një intervistë për agjensinë Associated Press, gjenerali amerikan Stephen Townsend tha se Pekini po kërkon të ndërtojë një port të madh, të aftë për të pritur nëndetëse apo luftanije në brigjet perëndimore të Afrikës. Gjenerali Townsend tha se Kina u është drejtuar vendeve që shtrihen nga Mauritania deri në jug të Namibisë, me synim krijimin e një strukture detare. Nëse realizohet, kjo do t’i mundësonte Kinës të ketë luftanije në Atlantik dhe Paqësor.

“Ata po kërkojnë një vend ku mund të riarmatosin dhe riparojnë anijet luftarake. Një bazë e tillë bëhet ushtarakisht e dobishme në konflikt,” tha gjenerali Townsend, i cili kryeson Komandën e SHBA për Afrikën. “Ata kanë kohë që po e krijojnë këtë në Djibouti. Tani po hedhin vështrimin në bregdetin e Atlantikut dhe duan të krijojnë një bazë të tillë atje.”

Paralajmërimet e gjeneralit Townsend vijnë ndërsa Pentagoni po e zhvendos vëmendjen nga luftërat kundër terrorizmit gjatë dy dekadave të fundit, tek rajoni i Indo-Paqësorit dhe kërcënimet e fuqive të mëdha si Kina dhe Rusia. Administrata Biden e sheh rritjen e shpejtë të ndikimit ekonomik dhe fuqisë ushtarake të Kinës, si sfidën kryesore të sigurisë afatgjatë të Amerikës.

Komandantët ushtarakë amerikanë në mbarë globin, përfshi disa që mund të humbasin trupa dhe burime për të forcuar rritjen ushtarake në Paqësor, kanë paralajmëruar se rritja e agresivitetit së Kinës nuk po ndodh thjesht në Azi. Ata argumentojnë se Pekini po zgjeron masivisht ndikimin ekonomik mbi vendet e Afrikës, Amerikën e Jugut dhe Lindjen e Mesme dhe po kërkon të ketë baza dhe prani ushtarake atje.

“Kinezët po dominojnë ndaj Shteteve të Bashkuara në disa vende të Afrikës”, tha gjenerali Townsend. “Projektet portuale, përpjekjet ekonomike, infrastrukturore dhe marrëveshjet dhe kontratat e tyre do të çojnë në një prani më të madhe në të ardhmen”.

Baza e parë detare jashtë Kinës u ndërtua vite më parë në Djibuti në Bririn e Afrikës dhe Pekini po e zgjeron vazhdimisht kapacitetin e saj. Gjenerali Townsend tha se rreth 2,000 ushtarakë janë në bazë, duke përfshirë qindra marinsa që merren me sigurinë.

“Ata me siguri kanë armë dhe municione. Kanë automjete të blinduara luftarake. Ne mendojmë se së shpejti do të vendosin helikopterë atje përfshi potencialisht helikopterë sulmues,” tha gjenerali Townsend.

Për një kohë të gjatë, shumë menduan se Kina po punonte për të krijuar një bazë detare në Tanzani, një vend në bregun lindor të Afrikës, që ka pasur një marrëdhënie të fortë dhe të gjatë ushtarake me Pekinin. Por gjenerali Townsend tha se duket se nuk ka ende ndonjë vendim për këtë.

Ai tha se ndërsa Kina është përpjekur shumë për të patur një bazë në Tanzani, ky nuk është vendi për të cilin shqetësohet më shumë tani.

“Është në anën e Oqeanit Indian,” tha ai. “Do të doja që ajo të ishte në Tanzani, jo në Atlantik. Bregu i Atlantikut më shqetëson shumë,” tha gjenerali, duke treguar distancën relativisht më të shkurtër nga bregu perëndimor i Afrikës për në SH.B.A.. Një bazë në brigjet veriore të Afrikës në Atlantik mund të jetë shumë më afër SHBA sesa janë objektet ushtarake të Kinës nga brigjet perëndimore të Amerikës.

Më konkretisht, zyrtarë të tjerë amerikanë thonë se kinezët kanë vëzhguar vende për një port në Gjirin e Guinesë.

Raporti i Departamentit të Mbrojtjes i vitit 2020 mbi fuqinë ushtarake të Kinës, tha se Pekini ka gjasa të ketë shqyrtuar mundësinë e shtimit të objekteve ushtarake për të mbështetur forcat detare, ajrore dhe tokësore në Angola. Raporti vuri në dukje se sasia e madhe e naftës dhe gazit të lëngshëm natyror të importuar nga Afrika dhe Lindja e Mesme, i bëjnë këto rajone të një rëndësie të lartë për Kinën gjatë 15 viteve të ardhshme.

Henry Tugendhat, analist i politikave në Institutin Amerikan të Paqes, tha se Kina ka shumë interesa ekonomike në bregun perëndimor të Afrikës, përfshi peshkimin dhe naftën. Kina gjithashtu ka ndihmuar në financimin dhe ndërtimin e një porti të madh tregtar në Kamerun.

Ai tha se çdo përpjekje nga Pekini për të ndërtuar një port detar në bregdetin e Atlantikut do të ishte një zgjerim i pranisë ushtarake të Kinës. Por dëshira për qasje në oqean, tha ai, mund të jetë kryesisht për përfitime ekonomike, në vend të atyre ushtarake.

Townsend dhe komandantë të tjerë ushtarakë rajonalë parashtruan shqetësimet e tyre rreth Kinës gjatë seancave dëgjimeve kohët e fundit në Kongres. Ai, së bashku me admiralin Craig Faller, kreu i Komandës Jugore të SHBA dhe Gjeneralin Frank McKenzie, kreu i Komandës Qendrore të SHBA, po kërkojnë të mbajnë forcat e tyre ushtarake, avionët dhe pajisjet e mbikëqyrjes ndërsa Pentagoni vazhdon të shqyrtojë ndryshime në garën e fuqisë ushtarake.

Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin po kryen një rishikim të pranisë globale për të përcaktuar nëse fuqia ushtarake e Amerikës është e pozicionuar atje ku duhet dhe në shifrat e duhura, në të gjithë botën për të ruajtur dominimin global. Ky rishikim pritet të përfundojë në fund të verës. /voa

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit