Kanë mbërritur në aeroportin e Rinasit dy helikopterë nga Holanda dhe një nga Çekia, pjesë e mbështetjes që Bashkimi Evropian po i jep Shqipërisë për zjarret.
Shefi politik i delegacionit të BE, Alexis Hupin tha se ndërhyrja me helikopterë për shuarjen e zjarreve do të nisë të shtunën.
“Jemi këtu për të mbrojtur jetët e njerëzve që po preken nga këto zjarre dhe gjithashtu bukuritë e natyrës shqiptare. Nesër fillon puna me helikopterin”, tha ai.
Holanda ka dërguar në ndihmë të Shqipërisë dy helikopterë Chinook, që mund të lëshojnë deri në 10 mijë litra ujë dhe janë në gjendje të fluturojnë në vende të vështira me një ekuipazh prej 47 ushtarësh.
Ndërsa Çekia ka dërguar një helikopter të specializuar për fikjen e zjarreve, pjesë e policisë. Ministri i Jashtëm çek, Jakub Kulhanek thotë se vendi i tij ndihet krenar që i është përgjigjur thirrjes së Shqipërisë për ndihmë.
Drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes Civile, Haki Çako tha se situata nga zjarret ka qenë e rënduar veçanërisht në gadishullin e Karaburunit, pikërisht në kufi me Parkun Kombëtar të Llogarasë.
Pikërisht nisur nga kjo situatë, Shqipëria i kërkoi ndihmë BE-së për të përballuar vatrat e rrezikshme të zjarrit.
Vendi ynë përveç dëmeve të mëdha në pyje dhe materiale, ka shënuar dhe një humbje jete nga zjarret. Një person humbi jetën në Gjirokastër në tentativë për të shpëtuar banesën nga flakët.