2.2 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Ndëshkimi efektiv i fëmijëve

Më të lexuarat

Nga: Dr Xhasim El-mutava

Ndëshkimi efektiv i fëmijëve

Ajo erdhi tek unë dhe më tha se kishte dy fëmijë, njëri gjashtë vjeç dhe tjetri nëntë vjeç. Ishte lodhur nga ndëshkimet e shpeshta që u jepte fëmijëve gjoja për ti edukuar, por asnjë përmirësim nuk kishte vënë re. Çfarë të bëj? Si të sillem me ta? – më pyeti gati me lot në sy. 
Unë e pyeta:”Mirë, ti më thua se i ke ndëshkuar aq herë sa nuk e mban mend, por a e ke provuar ndëshkimin me alternativa dhe zgjedhje?”
Ajo u përgjigj:”Nuk e di fare për çfarë po flet. Hera e parë që e dëgjoj këtë.”
I thashë:”Para se të ta shpjegoj, duhet të dish se çdo stad moshor i fëmijëve, ka problemet e tij lidhur me edukimin e tyre. Pasi ta shpjegoj, do të shohësh se metoda e zgjedhjes së ndëshkimit, është e përshtatshme për çdo moshë dhe jep rezultate pozitive. Por para se ta aplikojmë këtë metodë, duhet të sigurohemi nëse fajin që ka bërë fëmija, e bëri me apo pa vetëdije, me apo pa qëllim. Nëse e ka bërë pa vetëdije dhe pa qëllim, këtu nuk ka përse ta ndëshkojmë, mjafton ti tërheqim vëmendjen dhe ta ndërgjegjësojmë për atë që bëri. Por nëse e ka bërë me vetëdije dhe e përsërit atë, në këtë rast, mund ta ndëshkojmë duke e privuar nga disa privilegje, mëria, hakmarrja duke iu shfryrë dhe rrahur… Por mund të përdorim dhe metodën e zgjedhjes së ndëshkimit.
Ideja e kësaj metode është e tillë: I kërkojmë që të qëndrojë vetëm në dhomë dhe të mendojë rreth tre lloje ndëshkimi të cilat na i propozon ai vetë, për shembull; Privimi nga shuma monetare e përditshme, privimi nga vizita e shokut të tij për këtë javë, ose privimi nga përdorimi i telefonit të tij celular për një ditë. Pastaj, jemi ne ata që e zgjedhim njërin nga këta ndëshkime, për ta aplikuar pastaj ai ndaj vetes së vet. Nëse fëmija sugjeron tre ndëshkime që nuk u përshtaten prindërve, i kërkohet të sugjerojë tre të tjera.
Unë njoh shumë familje të cilat e kanë aplikuar këtë metodë edukimi dhe kanë pasur sukses. Në momentin kur fëmija e zgjedh dhe sugjeron vetë llojin e ndëshkimit, mandej e aplikon atë, ne e kemi transferuar betejën mes fëmijës dhe gabimit të bërë dhe jo mes fëmijës dhe prindërve të tij. Kështu, e kemi ruajtur të pacenuar lidhjen e dashurisë prindërore. Njëkohësisht, kemi  respektuar personalitetin e fëmijës, duke mos e poshtëruar dhe fyer.
Ajo, u përgjigj duke kundërshtuar:”Por ndëshkimi që propozon im bir, mund të jetë i tillë që të mos e shfryjë dufin tim!”
I thashë:”Ajo që duhet të bëjmë ne si prindër, është dallimi mes edukimit dhe torturimit. Qëllimi i edukimit është të korrigjojë sjelljet, gjë për të cilën lipset durim, maturi, mbikëqyrje, dialog dhe orientim të vazhdueshëm. Sakaq, të  bërtiturat dhe rrahja, nuk bëjnë pjesë fare tek edukimi. Kur i ndëshkojmë fëmijët tanë, nuk i ndëshkojmë në mënyrë të baraspeshuar me fajin dhe gabimin që kanë bërë. Ne jemi të prirur ti ndëshkojmë edhe fizikisht, për shkak të presioneve të shumta të jetës dhe ndjenjës së inatit që na pushton në ato çaste, gjë të cilën e vuajnë fëmijët tanë, ata shndërrohen në viktima të acarimit tonë dhe nervozizmit. Prandaj dhe pendohemi e bëhemi pishman kur i ndëshkojmë fizikisht, pendohemi se u treguam të nxituar dhe nuk e kontrolluam dot veten.”
Mandej shtova:”Unë po shtoj dhe diçka tjetër; Kur ti thuash tët biri shko qëndro vetëm dhe mendo për tre lloj ndëshkimesh për fajin që ke bërë, pastaj zgjidh njërin prej tyre dhe zbatoje, është një lloj edukimi, pasi e lë fëmijën të bisedojë shtruar me veten e tij. Kjo është një metodë shumë efikase që ndihmon në korrigjimin e gabimit të bërë dhe të reflektimit për çfarë ndodhi.”
Ajo tha:”Për Zotin qenka një ide shumë e goditur. Do e provoj menjëherë me fëmijët e mi.”
Unë ndërhyra dhe i thashë:”Po, unë personalisht e kam provuar me fëmijët e mi dhe ka qenë shumë e dobishme. Njoh dhe shumë familje të tjera që e aplikojnë dhe ndihen të lumtur për rezultatet e saj. “
Zonja u largua dhe u kthye sërish pas një muaji, ku më tha:”Metoda që më sugjeruat ishte e suksesshme me fëmijët e mi. Tashmë edhe niveli i inatit dhe nervozizmit tim ka rënë. Ata e zgjedhin vetë ndëshkimin që do të aplikojnë ndaj vetes. Erdha vetëm që të të falënderoj nga zemra për mendimin që më dhatë. Por para se të largohem, doja t’ju pyes:”Nga u erdhi kjo ide? Ku e morët dhe kush u frymëzoi?”
I thashë:”Në fakt, jam frymëzuar nga Kurani fisnik, ku Zoti i lartësuar, i ofron gjynahqarit tre alternativa për ta shlyer gjynahun dhe fajin: Dëmshpërblim monetar, pendim dhe agjërim. Këto tre alternativa, aplikohen sipas mundësisë, duke filluar nga e para.”
Ajo tha:”Domethënë qenka një metodë edukative e shkëputur nga Kurani!”
I thashë:”Po. Kurani dhe tradita profetike, përmbajnë shumë metoda edukative të dobishme lidhur me korrigjimin e sjelljes së njeriut, të vegjël dhe të mëdhenj. Zoti është Krijuesi i njeriut dhe Ai e di çfarë është më e dobishme për të.”
 
Përktheu: Elmaz Fida

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit