Modeli komunist në aspektin e ndërtimeve u ndoq paralelisht me ndërtimin masiv të pallateve, por edhe të disa prej objekteve të mëdha dhe të njohura që janë trashëgimi e regjimit komunist dhe që dëshmojnë influencën e regjimit në arkitekturë
Pas çlirimit të Shqipërisë në nëntor të vitit 1944 nga pushtuesit nazi-fashistë, institucionet e regjimit diktatorial filluan të projektojnë dhe ndërtojnë qytetet me ndërtesat e stilit komunist, duke përfshirë objektet e banimit, institucionet kulturore dhe ndërtesat e institucioneve të rëndësishme shtetërore, shkruan Anadolu Agency(AA).
Ndërtesat e periudhës së regjimit të ish-diktatorit Enver Hoxha sot gjenden në çdo qytet të Shqipërisë, por për shkak të hapësirës më të madhe të qytetit dhe statusit si kryeqytet, këto lloj objektesh gjenden më shumë në Tiranë, që edhe sot u kanë rezistuar zhvillimit urban dhe arkitekturës moderne të ndërtimeve.
Këto ndërtesa vazhdojnë të përdoren për qëllime të ndryshme, si pallate banimi, objekte për institucionet e shtetit shqiptar, për qëllime kulturore, por disa edhe janë shkatërruar apo braktisur, sidomos uzina, apo godina të ish-reparteve ushtarake.
Në Tiranë spikasin sidomos pallatet e banimit, të ndërtuara me parafabrikat, por edhe ndërtesa të tjera me tullat e bardha dhe të kuqe, të vendosura në zona pranë qendrës së Tiranës, por edhe në lagjet më të njohura të kryeqytetit, si dhe godina të tjera njohura që përdoren nga institucionet.
Ndërtesat e njohura të periudhës komuniste në Tiranë
Modeli komunist në aspektin e ndërtimeve u ndoq paralelisht me ndërtimin masiv të pallateve, por edhe të disa prej objekteve të mëdha dhe të njohura që janë trashëgimi e regjimit komunist dhe që dëshmojnë në ditët e sotme influencën e regjimit në arkitekturë apo në ndërtimet në përgjithësi.
Periudha komuniste është e përfaqësuar edhe në ndërtesa të njohura dhe të rëndësishme në Tiranë që sot janë funksionale si Pallati i Kulturës, Pallati i Kongreseve, ndërtesa e Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë dhe ajo e seancave parlamentare, Galeria Kombëtare e Arteve, Piramida, Muzeu Historik Kombëtar, ish-Kinostudio “Shqipëria e Re” dhe Tirana International Hotel.
Sipas të dhënave zyrtare nga Bashkia e Tiranës, Pallati i Kulturës u ndërtua mbi ish-Pazarin e Vjetër të Tiranës dhe tulla e parë u vendos nga ish-presidenti sovjetik, Nikita Hrushov(Nikita Khrushchev), më 3 qershor të vitit 1959. I vendosur në qendër të kryeqytetit, përfundoi në vitin 1963 dhe në brendësi të kësaj godine sot ndodhen edhe institucione kulturore.
Përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, spikasin disa ndërtesa të njohura që u ndërtuan gjatë regjimit komunist dhe disa edhe sipas ideologjisë komuniste, që sot janë ndërtesa unike dhe të njohura.
Pallati i Kongreseve që përfundoi së ndërtuar në vitin 1986, vlerësohet të jetë ndërtuar si simbol i ideologjisë komuniste dhe shprehje e fuqisë së regjimit të kohës. Sot ky objekt përdoret për kongrese, konferenca, festivale, panaire, koncerte dhe ngjarje të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare.
Gjithashtu ndërtesa aktuale e Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë, ndërtesa e seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, selia e Presidencës së Shqipërisë, Galeria Kombëtare e Arteve dhe Tirana Internacional Hotel, janë ende dëshmi e gjurmëve arkitekturore të periudhës komuniste.
Një tjetër ndërtesë tipike që i përket periudhës komuniste është edhe ish-Kombinati i Tekstileve “Stalin” i ndërtuar me mbështetjen e Bashkimit Sovjetik në fillim të viteve 50-të. Në lagjen e kryeqytetit “Kombinat”, që mori pikërisht emrin për shkak të kësaj ndërmarrjeje, edhe sot janë disa ndërtesa që “rikthejnë” stilin e jetës gjatë komunizmit në Shqipëri.
Në mesin e ndërtesave të regjimit komunist, spikat edhe ish-Kinostudio “Shqipëria e Re”, që si kompleks u projektua nga një grup arkitektësh sovjetikë dhe u ndërtua nga specialistët shqiptarë në vitet 1950-1952. Ajo ka qenë ndërtesa e Studios Kombëtare Shqiptare të Filmit e njohur si Kinostudio “Shqipëria e Re”, ndërkohë sot brenda kompleksit ndodhen disa institucione të rëndësishme të kulturës.
Godina e Muzeut Historik Kombëtar e vendosur në qendër të Tiranës u përurua në tetor të vitit 1981 dhe është institucioni muzeor më i madh në Shqipëri, që konsiderohet në harmoni me shijen estetike dhe klimën e përgjithshme të jetesës dhe kulturës që mbizotëronte gjatë regjimit komunist.
Një tjetër ndërtesë tipike dhe e njohur në kryeqytet është edhe “Piramida”, e njohur me këtë emër për shkak formës që ka. Ndërtimi i saj përfundoi në vitin 1988, duke shërbyer si një muze për trashëgiminë e ish-diktatorit Enver Hoxha deri në vitin 1991, vit i cili shënon edhe rënien e regjimit komunist në Shqipëri, ndërkohë sot ajo është në pritje të rikonstruksionit dhe shndërrimit në një qendër për teknologjinë dhe invoacionin.
Ndërkohë, në lagjen e njohur si ish-Blloku, përveç banesave që ishin ndërtuar para Luftës së Dytë Botërore, u shtuan banesa të tjera dhe u zgjeruan shtëpitë ekzistuese, për t’u përdorur si ish-rezidenca të udhëheqësve të lartë të regjimit komunist.
“Bashkëjetesa” e zhvillimit urban dhe ngjyrave me ndërtesat e komunizmit
Pas përmbysjes së regjimit komunist në vitin 1991, në Shqipëri shumë ndërtesa që ishin ndërtuar gjatë periudhës komuniste u shkatërruan, sidomos fabrikat, por objektet e banimit pothuajse rezistuan, duke u rikonstruktuar, por edhe duke u ruajtur në formën e dikurshme.
Procesi i transformimit të ndërtesave dhe pallateve që ishin ndërtuar gjatë regjimit komunist i dha kryeqytetit një pamje të re, pasi pas vitit 2000, ish-kryebashkiaku i Tiranës, kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama, realizoi projektin e ngjyrosjes së fasadave të këtyre ndërtesave, duke krijuar një “bashkëjetesë” mes zhvillimit urban modern dhe arkitekturës së godinave të periudhës së komunizmit.
Tirana ndryshoi ngjyrat e shumë fasadave të pallateve që i përkisnin regjimit komunist, sidomos në sheshet dhe rrugët kryesore, duke i përshtatur këto ndërtesa, me zhvillimin urban dhe ndërtesat moderne të metropolit shqiptar të ndërtuara në dekadat e fundit.
Ngjyrat që mbizotërojnë edhe sot në këto ndërtesa të transformuara janë e kuqja, e verdha, blu, jeshile dhe portokalli, duke iu dhënë në këtë mënyrë pallateve të ndërtuara gjatë regjimit komunist një “identitet” të ri.