Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur shqetësimin e saj të thellë lidhur me veprimet e fundit të ndërmarra nga autoritetet serbe për të bllokuar lëvizjen e disa autobusëve që transportojnë njerëz nga Kosova për në Evropën Perëndimore.
Oda Amerikane thekson se kjo bllokadë në vendkalimet kufitare ndërmjet Serbisë e Kroacisë dhe Serbisë e Hungarisë, paraqet shkelje të qartë të dispozitave të marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Duke penguar lëvizjen e qytetarëve të Kosovës në destinacionet e tyre të dëshiruara në Evropën Perëndimore, autoritetet serbe jo vetëm që po i minojnë këto marrëveshje por edhe po pengojnë përparimin drejt stabilitetit rajonal dhe integrimit evropian”, thuhet më tej.
Oda Amerikane beson fuqishëm se lëvizja e lirë e njerëzve është thelbësore për nxitjen e rritjes ekonomike, promovimin e shkëmbimit kulturor dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet shteteve, prandaj kufizimet e tilla jo vetëm që pengojnë jetën e individëve, por kanë edhe ndikim negativ në tregtinë, investime dhe aktivitete të biznesit në rajon.
“Prandaj, Oda Amerikane i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar që të kërkojë fuqishëm nga autoritetet serbe heqjen e menjëhershme të bllokadës dhe lejimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, duke mundësuar lëvizjen e tyre për në destinacionet e dëshiruara. Gjithashtu, ne u bëjmë thirrje autoriteteve të Serbisë që të përmbahen nga veprimet e ngjashme në të ardhmen duke respektuar angazhimet e tyre ndaj marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve.
Si përfundim, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mbetet e përkushtuar që të avokojë për parimet e lëvizjes së lirë, bashkëpunimit rajonal dhe prosperitetit ekonomik në Kosovë dhe në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ne jemi të gatshëm të punojmë me të gjitha palët e interesuara për të adresuar çdo sfidë dhe pengesë për arritjen e këtyre qëllimeve”, thuhet tutje në reagim. /Telegrafi/