0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Ndalimi i përgojimit

Më të lexuarat

Transmetohet nga Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari (salallahu alejhi ue selem) në një rast ka thënë: “A e dini se çfarë është gibeti (përgojimi)”?Ata që ishin prezent thanë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri.” Ai tha: “Të përmendësh diçka për vëllain tend pët të cilën ai nuk ka dëshirë (e urren) të përmendet.” Dikush nga të pranishmit e pyeti: “E nëse kjo që e them për vëllain tim, është një cilësi që ai e ka?” Resulullahu (salallahu alejhi ue selem) tha: “Nëse e thua atë që e ka, atëherë ti e ke përgojuar atë, e nëse e thua atë që nuk e ka, atëherë ti  ke shpifur ndaj tij.” (Transmeton Muslimi)

Kuptimi i hadithit

Të folurit është gjëja më e lehtë që mund të bëjë njeriu, por që lë ndikimin më të madh tek të tjerët.

Sa e sa fjalë të mira e kanë ngritur njeriun në grada të larta ose ka ndodhur e kundërta e kanë ulur atë shumë tek Allahu i Madhëruar dhe tek njerëzit.

Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “A nuk ke kuptuar se si Allahu bëri shembull fjalën e mirë si pema e mirë që rrënjët e saj janë thellë (në tokë) e degët e saj janë lart, e që me vullnetin e Zotit, ajo e jep frutin e vet në çdo kohë. Allahu, pra u parashtron njerëzve shembuj që ata të mendojnë. Dhe shembulli i fjalës së keqe si një pemë e keqe që është shkulur mbi tokë e që nuk ka të qëndruar.”(Suretu Ibrahim, 24-26)

Kurse Resulullahu (salallahu alejhi ue selem) lidhur me këtë ka thënë: “Njeriu mund të flasë ndonjë fjalë të mirë që e kënaq Allahun, pa ia ditur asaj rëndësinë, por Allahu i Madhëruar e ngre atë në një gradë të lartë, vetëm për atë fjalë. Po ashtu, njeriu mund të flasë ndonjë fjalë të keqe që e zemëron Allahun, pa ia ditur asaj rëndësinë, por Allahu i Madhëruar e hedh atë në vende shumë të ulta të zjarrit të xhehenemit.”

Përgojimi konsiderohet një nga mëkatet më të lehta që mund të bjerë në të njeriu, kurse në anën tjetër më e rrezikshmja që manifestohet me anë të gjuhës. Hadithi i përmendur në fillim e sqaron shumë qartë domethënien e përgojimit, pasi shumë nga njerëzit mendojnë se përgojimi është shpifja apo gënjeshtra ndaj të tjerëve. Dhe kështu, i lejojnë vetes që të flasin krejt çfarë dinë rreth të tjerëve, kurse gjatë tërë kësaj ai  krenohet se e thotë të vërtetën. Që do të thotë se përgojim është që ti ta thuash të vërtetën, mirëpo me atë të vërtetë që del nga gjuha jote dhe ti e publikon te të tjerët, ti bën një mëkat shumë të rrezikshëm. Allahu i Lartësuar thotë: “…Dhe mos përgojoni njëri-tjetrin! A mos ndonjëri prej jush dëshiron të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur? Atë pra e urreni. Kini frikë nga ndëshkimi i Allahut, e Allahu është mëshirues, Ai pranon shumë pendimin”

Shpesh herë neve na ipet rasti të lexojmë apo të dëgjojmë ligjerata rreth gibetit (përgojimit), ku hoxhallarët e përmendin atë, ua tërheqin vërejtjen muslimanëve që të largohen nga ky ves.

Shkaku është se përgojimit konsiderohet një nga ndalesat që më së shumti bien në të njerëzit. Është e mundur që shumë nga muslimanët t`i shpëtojnë mëkateve të tjera, por është shumë vështirtë që ai të ketë shpëtuar nga kjo ndalesë.

Për gibetin kemi shumë çfarë të flasim dhe ekzistojnë shumë citate nga Kurani dhe hadithi ku tregohet se sa i keq është, por pasi praktika jonë në komentimin e haditheve është që të mos zgjerohemi aq shumë, ne do të ndalemi me kaq.

Dobitë nga hadithi

1. Përkujdesi që i dha  Islami përsonalitetit dhe nderit të muslimanëve.

2. Nga ky hadith kuptojmë se gibeti është i ndaluar (haram).

3. Qartësimi se çfarë konsiderohet gibet.

4.Përmendja e dobësive (mangësive) ndaj të tjerve edhe nëse kjo është e saktë është e ndaluar.

 

Përgatiti: Alaudin Abazi

09.03.2006

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit