Studente të shumta myslimane janë kthyer në qendër të debatit të stuhishëm rreth ndalimit të hixhabit në shkolla e universitete në shtetin Karnataka në Indinë jugore.
Ato përpiqen të hyjnë në shkollat dhe universitetet e tyre me hixhab, si gjithmonë, por po dëbohen nga policia që i ruan portat. Gjashtë studente paditën shtetin për të rrëzuar vendimin për ndalim, duke argumentuar se shkel të drejtat e tyre për arsimim dhe liri fetare, por Gjykata e Lartë të martën e mbajti në fuqi ndalimin, duke thënë se shamia myslimane nuk është një praktikë fetare thelbësore e Islamit.
Çështja është kthyer në pikë të zjarrtë për betejën mbi të drejtat e myslimanëve, të cilët kanë frikë se po shtyhen mënjanë si pakicë në Indi. Ata i shohin kufizimet e hixhabit si një përshkallëzim shqetësues të nacionalizmit hindu nën Qeverinë e kryeministrit Narendra Modi.
Kritikët dhe aktivistët e të drejtave të njeriut thonë se nacionalistët e partisë në pushtet po u bëjnë presion myslimanëve të Indisë, shumë prej të cilëve po detyrohen të largohen nga vendi.
/koha.net/