0.7 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Ndalimi i dinarit serb – BE reagon për rregulloren e BQK-së e cila pritet të hyjë sot në fuqi

Më të lexuarat

Rregullorja e re e BQK-së lidhur me operacionet me paratë e gatshme do të hyjë në fuqi sot, 1 shkurt.

Sipas kësaj rregullore, valuta e vetme që lejohet të përdoret për kryerje të transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Kosovë është euro.

E lidhur më këtë vendim të BQK-së, ka reaguar Bashkimi Evropian. Në një deklaratë zyrtare të lëshuar nga BE-ja, thuhet se ata janë të shqetësuar për pasojat që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës.

“Bashkimi Evropian merr parasysh rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila pritet të hyjë në fuqi sot. Rregullorja synon të rrisë transparencën e flukseve financiare, të sigurojë stabilitetin financiar dhe të luftojë pastrimin dhe falsifikimin e parave. BE-ja vëren se rregullorja do të ndikojë edhe në mbështetjen financiare që serbët e Kosovës marrin nga Serbia.

BE-ja është e shqetësuar për pasojat që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera në mbarë Kosovën për shkak të mungesës së konsultimeve paraprake, veçanërisht për ndikimin e tij në shkolla dhe spitale, duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave në këtë moment”, thuhet në deklaratën e BE.

Bashkimi Evropian tutje në këtë deklaratë ka insistuar që kjo çështje të përfshihet në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, si dhe të gjendet një zgjidhje.

“Periudha e shkurtër e tranzicionit për zbatimin e rregullores, e kombinuar me mungesën e informacionit dhe zgjidhjeve praktike për të gjitha komunitetet e prekura, rrezikojnë të ndërlikojnë seriozisht jetën e tyre. BE-ja i kërkon Kosovës që të sigurojë një periudhë mjaft të gjatë tranzicioni dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në deklaratën e Bashkimit Evropian.

Në rregulloren e BQK-së, thuhet se valutat joeuro mund të përdoren vetëm për t’u ruajtur “në formë fizike apo në llogaritë bankare” dhe me to mund të kryen pagesa ndërkombëtare dhe këto valuta po ashtu mund të përdoren për këmbim.

Por, këmbimi, sipas BQK-së, mund të kryhet vetëm përmes institucioneve të licencuara nga ajo për këtë shërbim.

Në një konferencë për media zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës e cila hyn në fuqi më 1 shkurt ka për qëllim të mbrojë konsumatorin dhe sistemin e pagesave në vend.

Sipas tij, objekt i kësaj rregulloreje nuk ka qenë dhe as nuk është ndalimi i qarkullimit të ndonjë monedhe specifike në vend.

Në një konferencë për media, zëvendëskryeministri ka deklaruar se rregullorja “as nuk e ndalon, as nuk e lejon e as nuk merret me dinarin serb”.

E ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se janë mbi 40 mijë llogari bankare që janë në dispozicion të qytetarëve të komunitetit serb në Kosovë, përmes të cilave mund të pranojnë pagesa edhe në transfere ndërkombëtare.

“Çështja e dytë që është parashtruar ka qenë përdorimi i valutës së huaj për pagesa në Republikën e Kosovës, që deri më tani në disa raste ka mundur të jetë edhe praktikë, por konsideroj që në një shtet ku valuta zyrtare është Euro është më e përshtatshme që Euro të përdoret për pagesë”, ka thënë Murati. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit