1.4 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Ndalimi i burkinit, të drejtat e femrave dhe rruga e Profetit Muhamed si zgjidhje

Më të lexuarat

Pas një presioni të madh ndërkombëtar, gjykata e lartë e Francës, e ktheu ditën e premte më 26 gusht 2016, vendimin për ndalimin e “burkinit.” Përpara kësaj lëvizjeje, me dhjetëra qytete franceze e kishin ndaluar burkinin. Ditët e fundit, disa policë të armatosur kishin detyruar një femër muslimane që të zhvishej, duke e kërcënuar me një sprej djegës dhe me arrestim. Pra në thelb, duke kriminalizuar modestinë.

Nuk është hera e parë që Franca dhe BE-ja kanë ndërhyrë me ligj në mënyrën e veshjes së femrave. Akti i zhveshjes me forcë të një femre është në fakt një tregues i një problemi më të madh global; keqtrajtimi sistematik i femrave si qytetarë të dorës së dytë.

kjo misogjeni shfaqet në forma dhe shkallë të ndryshme. Në Amerikë, për shembull, 97% e përdhunuesve nuk ndëshkohen për krimet e tyre. Të dhënat e shumta për dhunën ndaj femrave në Shtetet e Bashkuara janë tronditëse. Nuk bëhet fjalë për raste të izoluara. Në Amerikë, çdo nëntë sekonda rrihet një grua, një në katër gra vuan dhunë familjare dhe një mijë femra vriten në vit për shkak të dhunës familjare.

Në Indi, “afërsisht 1 në 10 vdekje tek fëmijët nën moshën 1 vjeç ndodh për shkak të dhunës familjare kundër nënës gjatë martesës.” Shmangja e këtyre mizorive kërkon një ndryshim të madh në sjellje. BBC-ja ka raportuar se në Indi ndodhin mbi 300 mijë krime në vit dhe se “mbi 54% e burrave e 51% e grave thonë se nuk ka problem që një mashkull të rrahë gruan e tij.”

Franca nuk është aspak më mirë në këtë aspekt, pasi të paktën një grua vritet çdo dy ditë për shkak të dhunës familjare. 100% e grave të Parisit të marra në pyetje kanë raportuar se kanë pasur ngacmime seksuale në publik. Kohëve të fundit, 17 femra politikane franceze kanë nënshkruar një ankesë të përbashkët, ku pohojnë për ngacmime seksuale dhe dhunë, ngacmime verbale, prekje dhe rrahje nga politikanë francezë meshkuj.

Në Kinë, ekspertët vlerësojnë se më shumë se një në katër femra janë rrahur nga një mashkull; shkalla dhe shtrirja e dhunës familjare ka gjasa të jetë shumë herë më e madhe dhe më e rëndë se sa tregojnë statistikat. Kjo për shkak të raportimit të ulët, sidomos nga zonat rurale. Kina është treguar e ngadaltë në përgjigjen e saj ndaj këtyre shkeljeve, duke miratuar ligjin për kriminalizimin e dhunës familjare në Mars të vitit 2016.

Organizata Botërore e Shëndetësisë raporton se 35% e grave në shkallë globale – mbi 1 miliard gra – përballen me forma të ndryshme të dhunës nga meshkujt.

Ilaçi për këtë dhunë të vazhdueshme ndaj femrave nuk varet vetëm nga edukimi i femrave për të drejtat e tyre – por gjithashtu nga edukimi i burrave mbi të drejtat e grave. Nuk është puna ta mësojmë një femër si t’i shmanget një përdhunimi apo dhunës, apo t’i detyrojmë ato të vishen në një mënyrë të caktuar – por duhet t’i mësojmë burrat që të mos përdhunojnë, të mos dhunojnë apo të nëpërkëmbin të drejtat e grave për vetëvendosje.

Ndërkohë që shumë e akuzojnë Islamin padrejtësisht për të ashtuquajturënshtypje ndaj femrave, janë pikërisht praktikat e Profetit Muhamed që mund të na ndihmojë në ndalimin e dhunës endemike kundër femrave në shkallë botërore. Kjo për shkak të aftësisë së tij për ta trajtuar kancerin e vërtetë, shkaktarin e dhunës së vazhdueshme ndaj grave; që është mashkulli autoritar.

Departamenti Amerikan i Shtetit, gjatë analizës se si Talebanët dhe grupet e ngjashme keq përfaqësojnë Islamin, ka arritur në përfundimin se “Islami ka një traditë të gjatë të mbrojtjes së  të drejtave të femrës dhe të fëmijëve. Në fakt, Islami ka masa specifike të cilat përcaktojnë të drejtat e grave. Versioni i Islamit të Talebanëve nuk mbështetet nga muslimanët nëpër botë.”

Vërseti 4:20 i Kuranit i urdhëron meshkujt që “të mos ua marrin pasurinë femrave kundër vullnetit të tyre,” duke e bërë të qartë se një burrë nuk ka të drejtë ta imponojë veten apo pikëpamjet e tij mbi një femër. Ajo e ruan të drejtën e  saj për vetëvendosje. Në mënyrë të ngjashme, dënimi i përdhunimit në mënyrë kategorike nga Profeti Muhamed vendos një rregull të qartë që duhet të ndiqet; kur një grua raportoi se një burrë e kishte përdhunuar, Profeti e besoi dëshminë e saj dhe e dënoi përdhunuesin.

Kur është puna të respektimi i trupit të femrës, Profeti Muhamed i ka paralajmëruar burrat: “Është më mirë për dikë që ta godasin me një hekur në kokë se sa të prekë një femër që është e ndaluar për të,” d.m.th asnjë përveç gruas së tij. Dhe siç është e sqaruar edhe në Kuran, një grua, qoftë edhe në marrëdhënie me burrin e saj, e ruan të drejtën e vetëvendosjes mbi trupin e saj.

Kurani i urdhëron meshkujt që të ndjekin një proces të përshkallëzuar për të parandaluar dëmtimin fizik të femrës. Teksa Kurani i këshillon femrat që të ruajnë modestinë e tyre, duke marrë si shembull Marinë, nënë e Jezusit, ai i urdhëron meshkujt që të mos i shikojnë femrat me epsh. Në lidhje me këtë, Profeti Muhamed pa njërin nga shokët e tij që po shikonte një femër tërheqëse. Ai nuk i tha femrës që “të mbulohej”, por urdhëroi shokun e tij që ta ulte shikimin.

Ndalimi i hixhabit dhe i nikabit janë simptomat e një dhune të gjerë ndaj femrave, si në Lindje ashtu dhe në Perëndim. Kjo dhunë do të marrë fund vetëm kur të gjithë meshkujt, nga të gjitha sferat e jetës, në të gjithë botën, të marrin drejtimin për t’i dhënë fund këtij kanceri. Modeli i Islamit, i mishëruar në veprat dhe mësimet e Profetit Muhamed, i obligon meshkujt që të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre dhe trajtimin e femrës.

Nëse vërtetë duam t’i japim fund dhunës kundër femrave, modeli i Profetit Muhamed është mënyra më e mirë për ta filluar. 

Ky artikull është publikuar për herë të parë në gjuhën angleze te Muftah.org

Observer.al

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit