4.7 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

NATO përforcon kufijtë lindorë ndërsa tensionet në Ukrainë rriten – vjen reagimi nga Rusia

Më të lexuarat

NATO po forcon kufijtë e saj lindorë me forca tokësore, detare dhe ajrore, ka thënë sekretari i përgjithshëm i aleancës ushtarake, pasi një pushtim rus i Ukrainës dukej gjithnjë e më i mundshëm.

Sipas The Guardian, përcjell Telegrafi, Jens Stoltenberg tha se “gjendja e përkeqësuar e sigurisë” i kishte çuar aleatët e NATO-s në gatishmëri fregate, avionë luftarakë dhe trupa për “mbrojtjen e tyre kolektive”.

Administrata amerikane ishte gjithashtu e gatshme të rriste praninë e saj ushtarake në Evropën Lindore, paralajmëroi shefi i NATO-s, një ish-kryeministër i Norvegjisë.

“Unë mirëpres aleatët që kontribuojnë me forca shtesë në NATO”, tha Stoltenberg. “NATO do të vazhdojë të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur të gjithë aleatët, duke përfshirë edhe forcimin e pjesës lindore të aleancës. Ne gjithmonë do t’i përgjigjemi çdo përkeqësimi të mjedisit tonë të sigurisë, duke përfshirë forcimin e mbrojtjes sonë kolektive”.

Dhe njoftimi u vlerësua si “histeri” perëndimore nga Kremlini.

“Ne shohim deklarata të Aleancës së Atlantikut të Veriut për përforcimin, tërheqjen e forcave dhe burimeve në krahun lindor. E gjithë kjo çon në faktin se tensionet po rriten”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. “Kjo nuk po ndodh për shkak të asaj që ne, Rusia, po bëjmë. E gjithë kjo po ndodh për shkak të asaj që NATO dhe SHBA po bëjnë dhe për shkak të informacionit që po përhapin”.

Zhvillime të tilla vijnë pasi Shtëpia e Bardhë dhe Downing Street thanë se kishin filluar të tërhiqnin familjet e diplomatëve nga Ukraina dhe ministrat e jashtëm të BE-së u mblodhën për të diskutuar krizën në përshkallëzim me sekretarin amerikan të shtetit, Antony Blinken.

Blinken do t’i informojë ministrat përmes një lidhje me video mbi bisedimet e tij javën e kaluar me ministrin e jashtëm rus, Sergei Lavrov.


Ndryshe, më shumë se 100,000 trupa ruse dhe armë të rënda janë mobilizuar në kufirin me Ukrainën. /Telegrafi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit