2.5 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

NATO në Çikago: Zyrtarizohet mbrojtja raketore

Më të lexuarat

Kriza financiare e detyron NATO-n të kursejë. Ideja e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s Rasmussen është “smart defense”.

Në samitin e saj në Çikago, NATO ka vendosur zyrtarisht në funksionim fazën e parë të mbrojtjes së saj raketore evropiane. Një vit e gjysmë pas vendimit themelor në Lisbonë, krerët e shteteve dhe qeverive të 28 vendeve anëtare të NATO-s deklaruan tani gatishmërinë për një angazhim të tillë, bëjnë të ditur qarqet diplomatike, transmeton Starti njoftimet. Deri në 2020 do të ndërtohet gradualisht mburoja dhe duhet të jetë në gjendje që të mbrojë të gjithë territorin evropian të NATO-s kundër sulmeve me raketa. Në hapin e parë është vendosur në Turqi një sistem, radari dhe po ashtu interceptorët e raketave të vendosur mbi një luftanije amerikane në Detin Mesdhe. Uashingtoni dhe NATO-ja e kanë ftuar Rusinë të marrë pjesë në mbrojtjen nga raketat. Ata thanë se sistemi mbrojtës nga raketat nuk ka në asnjë mënyrë si objektiv Rusinë. Rusia ka dyshime dhe kërkon të drejtë vendimmarrjeje për këtë çështje, së bashku me NATO-n.

Edhe problemi i ndarjes së barrës për mbrojtjen e përbashkët është tema që i preokupoi që në fillim të takimit të Çikagos kryetarët e shteteve dhe të qeverive të vendeve anëtare të NATO-s. Që në samitin e Pragës në vitin 2002 ishte vendosur që kapacitetet ushtarake të kombinohen me njëra-tjetrën dhe që projektet në fushën e mbrojtjes të financohen bashkarisht. Por kjo nuk solli ndonjë gjë të madhe, sepse shtetet anëtare të NATO-s nuk kanë dëshirë të heqin dorë nga sovraniteti i tyre, – thonë diplomatët e NATO-s. Por që prej dy apo tre vjetësh kriza financiare dhe ajo e borxheve i ka detyruar vendet anëtare të ndryshojnë mendim.

Problemi më i madh, paratë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, e konsideron krizën dhe kufizimet financiare si “sfida më e madhe”, me të cilat aleanca e NATO-s duhet të përballet në vitet e ardhshme, shkruan “DeutscheWelle”. Përfundimi i tij, të cilin ai po e përsërit që nga fillimi i vitit në çdo mbledhje ministrore: “Me paratë që kemi na duhet të bëjmë thjesht më shumë. Ne duhet të përcaktojmë prioritetet e duhura, të specializohemi dhe të përqëndrohemi në atë që bëjmë mirë, dhe në atë për të cilën ka më urgjentisht nevojë.” – tha Rasmussen në takimin e ministrave të mbrojtjes të NATO-s në prill. Për shpenzimin më inteligjent të parave Rasmuseni ka futur në përdorim formulën e bukur “smart defense” (mbrojtje e zgjuar). Si një shembull të suksesshëm në këtë drejtim NATO-ja prezanton sigurimin e hapësirës së përbashkët ajrore. Shtetet baltike nuk kanë avionë luftarakë për të mbrojtur hapësirën ajrore dhe mbështeten për këtë me radhë nga forcat ajrore të shteteve anëtare më të mëdha si p.sh. Gjermania.

I njëjti model ekziston edhe për Luksemburgun, Islandën dhe Slloveninë, të cilat nuk kanë kapacitete për të mbrojtur hapësirën e tyre ajrore. Në këmbim ushtria letoneze vë në dispozicon specialistë të lëndëve eksplozive për të shërbyer në Afganistan.

Avionët pa pilot kushtojnë shumë

Planifikuesit e takimit kanë përgatitur për samitin në Çikago një listë me 20 deri në 30 projekte prioritare që presin aprovimin e kryetarëve të Shteteve dhe të qeverive. Ndër projektet që përfshihen në konceptin e NATO-s “smart defense” është ai i mbrojtjes nga raketat në Evropë. SHBA vënë në dispozicion këto sisteme, të cilat evropianët duhet t’i bashkëfinancojnë në një periudhë afatgjatë. Një projekt i ngjashëm është ai i një sistemi për monitorimin e lëvizjeve të trupave në territorin e armikut. Aeroplanë shumë të ndjeshëm në madhësinë e një avioni jumbo-jet do të stacionohen në Itali prej nga ku do të drejtohen nga distanca, pra pa personel në bord, për të fluturuar mbi territorin e armikut në mënyrë që të sigurojnë të dhëna. Kostoja prej pesë miliardë eurosh është tepër e madhe për t’u përballuar nga një vend i NATO-s vetëm. Ministrat evropianë të mbrojtjes ranë dakord gjithashtu që së bashku të sigurojnë aeroplanë për furnizimin me karburant të avionëve luftarakë në ajër.

Tërheqja e trupave sjell kursim në një perspektivë afatgjatë

Efektin më të madh të kursimeve për NATO-n nuk e kanë projektet në kuadrin e “smart defense”, por tërheqja e planifikuar nga Afganistani në vitin 2014. Në Çikago u deklarua se pavarësisht tërheqjes së parakohshme të trupave franceze nga Afganistani, NATO do t’i përmbahet planit të saj kohor për dhënien fund të misionit luftarak në vitin 2014. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen deklaroi në samitin e Çikagos se strategjia, qëllimi dhe plani kohor për trupat e ISAF-it janë të pandryshueshme. Nuk do të ketë “garë për dalje”. Presidenti francez Francois Hollande deklaroi se ka një mirëkuptim të përbashkët të aleancës ushtarake. Trupat franceze do të tërhiqen deri në fund të vitit nga Afganistani, por tranierët do të qëndrojnë edhe më tej për forcat vendore të sigurimit.

Pas tërheqjes nga Afganistani do të nevojiteshin vetëm 4.1 miliardë dollarë për pagimin e forcave afgane të sigurisë. Madje edhe ato do të ndahen në mes të aleatëve. “Sigurisht është shumë më lirë për të paguar staf lokal, se sa të stacionosh vetë trupa,” thotë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Rasmussen, në lidhje me projektin për kursimet në Afganistan./koha/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit