5.9 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

NATO me udhëheqje të re: Lidhjet e Mark Ruttes me Kosovën ndër vite

Më të lexuarat

Te kryeministri i Holandës, Mark Rutte, autoritetet në Kosovë shohin një partner me të cilin mund të bisedojnë për një gamë të gjerë çështjesh – nga avancimi i vendit në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian deri te siguria dhe stabiliteti afatgjatë.

Në krye të Qeverisë holandeze nga viti 2010, Rutte pritet të konfirmohet në pozitën e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s brenda ditësh.

Vizitën e fundit në Kosovë e zhvilloi korrikun e kaluar, kur së bashku me homologun e atëhershëm nga Luksemburgu, Xavier Bettel, i bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i ulnin tensionet dhe t’i ktheheshin dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, shkruan REL.

Tensionet mes dy vendeve ishin në kulm, pasi në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, pushtetin e morën kryetarët e zgjedhur shqiptarë.

“U bëjmë thirrje të dyja palëve që të marrin pjesë në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian, ta shtensionojnë situatën dhe përfundimisht t’i normalizojnë marrëdhëniet”, shkroi Rutte atëkohë në platformën X.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cilësoi takimin me dy udhëheqësit evropianë si mundësi për të diskutuar “përpjekjet për forcimin e bashkëpunimit, avancimin në rrugën drejt BE-së dhe përkushtimin e përbashkët për paqen, sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë në kontinent”.

Holanda ishte në mesin e shteteve që e njohën pavarësinë e Kosovës brenda muajit të parë pas shpalljes, më 2008. Atëkohë kryeministër ishte Jan Peter Balkenende.

Rutte mori detyrën e kryeministrit mbi dy vjet më vonë – në tetor të 2010-ës.

Në dhjetor të 2013-ës, ai priti në zyrën e tij presidenten e atëhershme të Kosovës, Atifete Jahjaga, së cilës i shprehu mbështetjen e Holandës për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit mes Kosovës dhe BE-së.

Kjo marrëveshje – e para kontraktuale mes dy palëve – u nënshkrua në vitin 2015.

Qeveria e Ruttes, për një periudhë të caktuar, ishte kundërshtare e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, së bashku me atë të Francës.

Një qëndrim i tillë i nxiti dhjetëra deputetë të Parlamentit Evropian t’i shkruanin letër Ruttes dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron, në vitin 2020, për t’iu kërkuar dritën jeshile për lëvizjen e lirë të kosovarëve.

Nga ajo kohë, procesi kaloi në disa faza dhe vizat u hoqën nga 1 janari i këtij viti.

Presidentja e Kosovës, Osmani, takoi për herë të fundit Rutten këtë javë, në margjina të një samiti për paqen në Ukrainë, që u mbajt në Zvicër.

“Samiti ishte një mundësi e shkëlqyer për të biseduar me kryeministrin holandez, Mark Rutte, për rëndësinë e së ardhmes euroatlantike të Kosovës”, shkroi Osmani në X.

Këta dy udhëheqës u takuan edhe në samitin e Komunitetit Politik Evropian, i cili u mbajt në tetor të vitit të kaluar në Granadë të Spanjës.

Osmani tha se në atë takim është folur për situatën e sigurisë në Kosovë, pas sulmit të armatosur të një grupi serbësh në pjesën veriore të vendit.

Në 2021-shin, ata patën një shkëmbim edhe në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, me ç’rast Osmani tha se është mirënjohëse për “mbështetjen dhe bashkëpunimin” e Ruttes.

Si e arriti Rutte majën e NATO-s?

Sekretarët e përgjithshëm të NATO-s zgjidhen me konsensus nga të 32 vendet anëtare.

Ruttes iu hap rruga pasi vende si Hungaria, Sllovakia dhe Rumania – përkundër hezitimeve fillestare – dhanë dritën jeshile.

Për pozitën u përfolën edhe emra të tjerë, si ai i presidentit rumun, Klaus Iohannis, apo i kryeministres estoneze, Kaja Kallas, por nuk shkuan përpara.

Rutte pritet ta marrë zyrtarisht detyrën më 1 tetor, nga shefi i deritashëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Rutte, 57 vjeç, është aleat i Ukrainës dhe kritik i ashpër i presidentit rus, Vladimir Putin.

Ai ka qenë një nga mbështetësit më të mëdhenj të ndihmës ushtarake evropiane për Ukrainën, prej se Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të saj në vitin 2022.

Mundja në fushëbetejë e Rusisë është jetike për të siguruar paqen në Evropë, thotë Rutte.

Nën udhëheqjen e tij, Holanda i ka rritur shpenzimet e mbrojtjes në më shumë se 2% të bruto prodhimit të brendshëm – prag ky që u kërkohet të gjitha vendeve anëtare të NATO-s.

Rutte do të tërhiqet zyrtarisht nga pozita e kryeministrit kur Qeveria holandeze e krahut të djathtë ta zëvendësojë koalicionin e tij të qendrës së djathtë – me gjasë brenda disa javësh.

Rutte, fillimisht, ka lënë të kuptohet se mund t’i pëlqejë të ligjërojë pas politikës, por, më pas, ka përmendur luftën në Ukrainë si arsye përse ka kërkuar një post ndërkombëtar.

Stoltenberg tha këtë javë se Rutte është një kandidat “shumë i fortë” për ta zëvendësuar atë.

Nën Stoltenbergun, i cili mori detyrën e shefit të NATO-s në vitin 2014, aleanca ushtarake u zgjerua me katër anëtarë të rinj: Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Finlandën dhe Suedinë.

Nën udhëheqjen e tij, NATO-ja përforcoi edhe misionin e saj paqeruajtës në Kosovë vitin e kaluar, pas rritjes së tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe, ndërsa Asambleja Parlamentare e aleancës miratoi avancimin e statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asociuar.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit