-3.2 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

NATO falënderon Maqedoninë e Veriut

Më të lexuarat

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski është duke realizuar vizitën e parë në Bruksel prej kur ka nisur mandatin.

Ai është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg ndërsa më vonë do të takohet edhe me zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian.

Situata e sigurisë në Evropë, sidomos rreth Ukrainës, si dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor, ishin temat kryesore të bisedës mes Stoltenbergut dhe Kovaçevskit.

Sekretari i NATO-s ka thënë se stabiliteti i rajonit të Ballkanit Perëndimor është me rëndësi të veçantë për NATO-n.

Ai ka falënderuar Maqedoninë e Veriut për kontributin e saj në stabilitetin e rajonit, përfshirë edhe kontributin e këtij shteti në misionin e KFOR-it në Kosovë.

Në takim, sipas Stoltenbergut, është diskutuar edhe grumbullimi i forcave ruse afër Ukrainës.

Ai ka thënë se Rusia ka grumbulluar mbi 100,000 ushtarë afër kufirit me Ukrainën dhe së fundi ka dërguar rreth 30,000 ushtarë në Bjellorusi, çka përbën pozicionimin më të madh të trupave ruse në këtë shtet prej përfundimit të Luftës së Ftohtë.

NATO vazhdon t’i bëjë thirrje Rusinë që të ulë tensionet, duke thënë se çfarëdo agresioni i ri rus do të përballet me përgjigje të rreptë dhe sanksione të ashpra.

“NATO nuk do të bëjë kompromise me parimet themelore të saj. Është e drejta e secilit shtet që të zgjedhë rrugën e vet”, ka thënë Stoltenberg.

Sipas tij, Perëndimi është i “interesuar të gjejë zgjidhje politike, por duhet të jemi të gatshëm edhe për më të keqen”.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut ka thënë se vizita e tij e parë në NATO dëshmon rëndësinë që jep vendi i tij anëtarësimit në këtë aleancë.

“Të jesh pjesë e NATO-s nënkupton siguri, paqe dhe stabilitet, si dhe prosperitetin e vendit dhe qytetarëve tanë. Politika e dyerve të hapura të NATO-s për ne ishte mundësi që të realizojmë synimet tona dhe të bëhemi anëtari i 30-të i aleancës. Ky hap ishte reflektim i të drejtës për vendim sovran”, ka thënë Kovaçevski, duke shprehur mbështetjen e plotë të Qeverisë së tij për politikën e qëndrueshme të NATO-s karshi kërcënimeve të Rusisë për sigurinë dhe stabilitetin në Evropë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit