3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

NATO bën thirrje për shmangien e fjalorit nxitës lidhur me Kosovën

Më të lexuarat

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, të mërkurën u ka bërë thirrje të gjitha palëve që në rastin e Kosovës të tregohen të përmbajtura nga përdorimi i fjalorit nxitës dhe të fokusohen në dialog.

Këto porosi Stoltenberg i ka dhënë duke folur para gazetarëve në Bruksel në prag të takimit të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s që zhvillohet më 14 shkurt në selinë e Aleancës.

“Kemi parë tensione në Kosovë dhe në pjesë të tjera të Ballkanit Perëndimor në muajt e fundit. Unë isha për vizitë në rajon para Krishtlindjeve. Mesazhi im kryesor ishte se të gjitha palët duhet të përmbahen nga fjalori nxitës dhe veprimet që mund të shkaktojnë rritje tensionesh në rajon”, ka thënë Stoltenberg duke shtuar se në Kosovë, Aleanca ka rritur praninë ushtarake si përgjigje ndaj sfidave të sigurisë, porse rruga e vetme për zgjidhjen e problemeve është dialogu.

“Kur është fjala për Kosovën, rruga përpara është dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian [BE] dhe unë inkurajoj edhe Beogradin edhe Prishtinën që të angazhohen me besim të mirë”, ka thënë ai.

Stoltenberg në përgjigjen e tij ka thënë se pas sulmeve dhe dhunës së fundit në Kosovë, aleatët e NATO-s kanë rritur praninë e tyre.

“Misioni i KFOR-it është atje për të ofruar një ambient të sigurt për të gjitha komunitetet. Kemi dërguar përafërsisht 1000 trupa shtesë për të siguruar një gjë të tillë dhe do të vazhdojmë në mënyrë që të jemi në gjendje të zbatojmë mandatin tonë nga OKB-ja”, ka thënë shefi i NATO-s.

Për situatën në Kosovë dhe më gjerë në Ballkanin Perëndimor është diskutuar të mërkurën edhe në Komisionin për mbrojtje dhe siguri të Parlamentit Evropian, ku pyetjeve të deputetëve u është përgjigjur Mirçea Geoana, zëvendëssekretar i përgjithshëm i NATO-s.

Ndër temat që nxisin shqetësimin e NATO-s, ai ka përmendur situatën në Kosovë dhe atë në Bosnje e Hercegovinë, por edhe përpjekjet e Rusisë për të ndikuar në proceset politike, sidomos në Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi, që janë edhe anëtare të NATO-s dhe vende kandidate për anëtarësim në BE.

“Ajo që po ndodh me dezinformimin, si dhe përpjekjet për ndikim në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, është shqetësuese për ne. Po shohim përpjekje të Rusisë për këtë. Qëllimi që të pengohen forcat pro- perëndimore në këtë vend“, ka thënë ai.

Edhe në rastin e Malit të Zi ka thënë se po vazhdojnë përpjekjet për ndikim në këtë vend me qëllim që të pengohet rruga pro-perëndimore e Malit të Zi.

“Isha i impresionuar pas takimeve, edhe me presidentin, edhe me kryeministrin e Malit e Zi. Por, në atë shtet, vërtet, ka ndarje ideologjike, fetare dhe ka forca që duan ta ndalin rrugëtimin perëndimor të Malit të Zi. Duhet t’i japim Malit të Zi më shumë mbështetje për përballje me sulmet kibernetike dhe fushatat e dezinformimit“, ka thënë zëvendëssekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana.

Numri dy i NATO-s tha se, në mënyrë indirekte rajoni i Ballkanit Perëndimor po i ndien ndikimet e agresionit të Rusisë në Ukrainës.

Sipas tij, zonat e Detit të Zi dhe të Ballkanit Perëndimor NATO-ja i sheh teknikisht si dy zona, por nga aspekti strategjik janë të ndërlidhura.

“Në Ballkanin Perëndimor shohim një nivel jostabiliteti, i cili nuk është i rrezikshëm. Por, kurrë nuk mund ta dini se si një shkëndijë mund të ndezë zjarrin. Rusia mund të jetë e interesuar që të krijojë probleme për ne edhe në atë pjesë“, ka thënë ai.

Në këtë debat është thënë se duhet të vazhdojë bashkëpunimi i NATO-s dhe BE-së, por vendet e BE-së duhet të investojnë më shumë për rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit