Shtëpia u trazua nga lëvizje të shqetësuara, telefoni nuk ndalej së cingëruari, ndërsa zëra të përzier ngriheshin në heshtje. Të gjithë po rrinim të trishtuar, të frikësuar dhe të dëshpëruar. Si të mos ishte ashtu, kur çështja kishte të bënte me atë njeri? Të gjithë ishim të trishtuar dhe të frikësuar përveç tij, ai qëndronte ashtu si çdoherë që ishim mësuar ta shohim, i buzëqeshur, i ngrohtë dhe durimtar.
Tek ulësja e tij e zakontë afër ngrohjes pinte në heshtje çajin në gota xhami. U ulëm përreth tij dhe nëna ime e filloi bisedën duke u munduar të thyente këtë atmosferë të rëndë. Bëhej një bisedë me ndërprerje, e vijonte me pauza, ndërsa ai rrinte në heshtje. Motra ime e vogël po mundohej të nxirrte një hurmë nga kutia… ishin hurma të njoma, të ngjitura dhe me ngjyrë mjalti, tamam nga ai lloji që ai i pëlqente… ajo më thirri mua që t’i nxirrja hurmat… ndërsa unë me humor i thashë: Ti e fillove këtë, ti mbaroje.- Atëherë ajo me zemërim më tha: -Jo, ti do ta bësh!- Jo, ti – ia ktheva unë.
Ai buzëqeshi dhe tha: -Ju jeni si Fatmiri dhe Fatmira!- Thashë më vete: oh, çfarë fatmirësie, ai sërish po flet, sërish iu kthye tregimeve të lezetshme, ai qenka mirë pra! Buzëqesha dhe thashë: -Çfarë thotë tregimi i Fatmirit dhe Fatmirës?
Të gjithë ngritën kokën me ngazëllim të madh, ai na u kthye prapë! Rrufiti edhe një herë çajin dhe ma dha gotën që t’ia mbush përsëri. Pastaj nisi:
– Fatmiri dhe Fatmira ishin burrë e grua dhe jetonin në varfëri të skajshme. Ata nuk kishin më shumë se një raft me hurma, mirëpo ato ishin të thata dhe të vjetra, ndaj ishte e vështirë nxjerrja e tyre. Ata u grindën duke i kërkuar njëri-tjetrit nxjerrjen e hurmave derisa u pajtuan që të mos flasë njeri: kush flet i pari ai detyrohet të marrë përsipër nxjerrjen e hurmave.
Filloi loja e heshtjes… vazhdimisht e shikonin njëri-tjetrin me shikim gllabërues… kaloi një udhëtar pranë tyre dhe i përshëndeti, por asnjëri nuk ia ktheu përshëndetjen! O njerëz, jam një udhëtar që po vdes nga uria, çfarë keni për të më dhënë?
Prapë, nuk mori asnjë përgjigje për kërkesën e tij përveç disa shikimeve të heshtura. Fatmiri zgurdullonte sytë e tij drejt Fatmirës dhe Fatmira gjithashtu i zgurdullonte drejt Fatmirit.- Rrufiti prapë çajin dhe vazhdoi tregimin: – Kur njeriu pa hallin, zbrazi raftin me hurma dhe iku me shpejtësi. Atëherë Fatmira shikoi Fatmirin duke dashur t’i thotë t’i shpëtojë hurmat… ashtu që bërtiti: Fatmir… hurmat… kape njeriun! Fatmiri buzëqeshi dhe tha: Humbe! Tani t’i detyrohesh t’i nxjerrësh hurmat nga rafti!
Na bëri të qeshim mendjelehtësia e këtyre dy bashkëshortëve, buzëqeshëm sepse ai buzëqeshi… dhe kështu biseda ecte si një ujë i pastër dhe i kulluar. Krejt papritur ai sërish heshti dhe kapi kokën me duar. E kuptuam se ishte një tjetër dhimbje koke… dëshpërimi u kthye përsëri, por ai nuk ankohej, nuk ofshante, as nuk e shprehte dhimbjen. Gjatë gjithë kohës ai përsëriste “Subhanallah – Vetëm Allahu është pa të meta” dhe “La haule ue la kuvete ila bilah – Nuk ka lëvizje dhe as forcë pa ndihmën e Allahut” dhe i thoshte ato me zë. Atëherë e kuptonim se dhimbjet ishin rritur dhe mundimi i ishte shtuar. Në këtë hall me një dhembshuri dashamiri e pyesnim: -A je mirë? Mirë jam, mirë! – na thoshte ai me vendosmëri. -Mirë jam me lejen dhe ndihmën e Allahut, falënderimi i takon Allahut në çdo gjendje.
Në errësirën e natës, rrotullohesha në shtrat, mundohesha më kot të fle, por pa rezultat. Pastaj u ula dhe e ndeza dritën, mora një libër dhe e hapa të lexoj, por shumë shpejt m’u mërzit dhe e mbylla. U shtriva dhe shikoja tavanin e dhomës kot e kot. Pasiguria kaploi zemrën time, ndërsa dhimbja po më shtrydhte shpirtin. O Zoti im! Çfarë të bëj?!…
Ashtu në qetësi, në veshët e mi u përvodh një zë tingëllues, i ëmbël që lexonte ajete nga Shpallja e të Urtit. Po, ai është…
E njoh këtë zë shumë mirë, që kur isha vashë e vogël e dëgjoja këtë zë çdo natë. E shikoja si qëndronte në këmbë me përulësi duke u falur, duke u lutur dhe duke qarë, por nuk mund të paramendoja se po e dëgjoj edhe sonte! Si ka mundësi në këtë gjendje? Kur po e përcillja më kaploi një rehati e lezetshme, qetësi e çuditshme dhe shkova në gjumë të thellë.
Të nesërmen filloi udhëtimi drejt ilaçit, nga një mjek te tjetri, nga një spital në spitalin tjetër dhe filluam të dëgjojmë zëra të pasigurt që thoshin: “mjeku nuk e di sëmundjen e tij”, “i dha vetëm një bar qetësues”, “mjeku tjetër është më i mirë, pse nuk e dërgojmë tek ai”, “duhet ta dërgojmë te spitalet e kryeqytetit, janë më të mira”…
Debat që na ngulfate vazhdimisht, mendime kundërthënëse, dyshim dhe pasiguri… u ktheva nga ai dhe e pashë të qetë, symbyllur duke bërë tesbih me gishtat e tij. Nuk e di si mund ta durojë këtë? Ku e gjen ai këtë sabër?
Midis mbrëmjes dhe mëngjesit të shndërrohesh nga njeri i aftë e i mbështetur në vetvete, njeri i lirë që lëviz si të duash dhe kur të duash, njeri i shëndoshë dhe aktiv në një trup krejt dhimbje që ecën pa kontroll nëpër një botë krejt zhurmë dhe potere, duke u mbështetur në krahë të tjetrit… është një ngarkesë shumë e rëndë që nuk e bartin as malet.
Sot pasdite u vendos ta dërgojmë për mjekim në kryeqytet. Nëna filloi të përgatisë sendet e duhura me gjithçka që i nevojitej, si dhe nuk reshte duke e urdhëruar që të hante disa kafshata para udhëtimit. Ha, që dje nuk ke shtyrë asgjë në gojë përveç pak… pije këtë qumësht të përzier me mjaltë, është i lehtë për lukthin… ja një gjevrek të lezetshëm… apo dëshiron të përgatis një përshesh të lehtë me kos…?
Pas gjithë kësaj këmbëngulje, ai mori gotën, rrufiti njëherë dhe me kaq u mjaftua. Ne vërtiteshim dhe ecnim përreth tij kot e kot, pa asnjë qëllim. Merrnim ndonjë teshë… e palosnim… pastaj e shpalosnim… futnim një këmishë në çantën e tij, pastaj e nxirrnim dhe fusnim një këmishë tjetër. E mbushnim çantën pastaj e zbraznim sërish, për të kuptuar nëse kemi harruar diçka dhe e mbushnim prapë, por pas pak çasteve e zbraznim edhe një herë…
Erdhi momenti për të ikur… u ndalëm te dera në rresht… e puthëm në ballë disa herë dhe mezi i shprehnim lutjet, që nuk i thoshim të plota dot… rrahjet në gjoks i duronim me vështirësi dhe u ndalëm të këqyrim si po hipën në veturë. Ngriti dorën dhe me një buzëqeshje të ngrohtë na përshëndeti, hipi në veturë, e mbylli derën dhe nuk shikoi mbrapa fare. Vetura humbi në horizont, ndërsa ne mbetëm koçanë te dera duke ndenjur të zbrazët.
Në mbrëmje, secili nga ne shkoi te shtrati i vet me qetësi dhe u mbështoll me plafin e vet duke u shtirë se është në gjumë të thellë, por në realitet më i lumturi do të ishte ai që do të bënte vetëm një gjumë të lehtë, por si do të ndodhte e gjitha kjo kur lumturinë e përcollëm nga shtëpia në atë çast që e përcollëm atë. Tashmë vendi i tij ishte i zbrazur dhe shtrati i tij i braktisur. Nuk e kuptuam madhështinë e pranisë së tij në jetën tonë, përveçse kur e humbëm atë. Ai ishte i pranishëm çdoherë për shkakun tonë saqë prania e tij ishte gjë e ditur, e kryer dhe realitet i domosdoshëm i jetës tonë.
Më kujtohet kur vëllai i vogël qante natën nga dhimbja e këmbës. Ai zgjohej dhe i frynte duke i lexuar suren Fatiha derisa qetësohej dhe flinte. Nëse jo, e merrte me veturë që ta qetësonte derisa të rehatohej. Vëllai im qante çdo natë dhe ai vepronte kështu çdo natë. Të gjithë e dinim, pavarësisht a ishte i lumtur, i mërzitur, i ngushtuar, i sëmurë, i gëzuar, me nevojë apo çfarëdo gjendje… e dinim se ai ishte pranë. Për ne çdoherë ai ishte gjoks i mbushur plot me dhembshuri, mendje me peshë, zemër e mirë, mendim i qëlluar dhe i përgatitur kurdoherë për ndihmë dhe pjesëmarrje.
Nata m’u duk e gjatë dhe pambarim, shtyllat e shtëpisë më dukeshin të dëshpëruara dhe sikur po qanin, u ngrita, ecja dhe po kërkoja por nuk e dija çfarë…
Kalova pranë dhomës së motrës, e cila ishte mbështjellë brenda plafit të saj, ndërsa një zë i dhimbshëm dilte me zor nga brenda. Si t’i jap gajret asaj, ndërsa edhe unë kam të njëjtin hall? Dhoma e vëllait kishte dritë dhe pasi trokita hyra brenda. Ai po luante me celularin, kurse unë e pyeta: Pse nuk fle? Është bërë vonë… Ai ma ktheu me një zë duke u munduar ta bëjë të fortë dhe burrëror: Nuk më flihet. Pastaj shtoi: Po ti, pse nuk ke fjetur akoma, a nuk është vonë?
Më befasoi më këtë pyetje, u ndala pak dhe i thashë: Unë… unë do të fle tani. Por desha t’ju shoh a jeni mirë të gjithë para se të fle.
Ne jemi mirë, të lutem na lër të qetë nga kontrolli policor i natës,– ma ktheu ai me një vendosmëri serioze dhe aspak i prekur nga situata. O sa zemër të fortë, sa shpirt të ngurtë! A nuk humbi edhe ai atë që ne humbëm? Kapa dorezën e derës për ta mbyllur dhe papritur dëgjova: -Mos ki frikë, do të shërohet!
E shikova vëllanë… i pashë sytë e tij të mbushur me lot, që do të rridhnin nëse ai nuk do t’i mbante me forcë. E mbylla derën me shpejtësi dhe ika drejt sallonit të madh. Aty vërejta derën e mbyllur te dhoma e nënës time, një gjë e pazakontë. U afrova dhe ja po dëgjoj një zë më të lartë… ajo ishte duke dëgjuar valët e radio Kuranit Fisnik. Domethënë edhe ajo nuk paska fjetur, desha të trokas, por preferova të tërhiqem. U ktheva te dhoma ime, u hodha në shtrat… por ndjeja zbrazëti dhe rrënim… djegie të ashpër në brendi dhe zjarr që merrte flakë, dhimbje lodhëse, shpirt të dëshpëruar, heshtje vrasëse… dhe qetësi të gërditshme.
Menjëherë m’u duk sikur po e dëgjoja. Zë tingëllues dhe i ëmbël që lexonte ajetet e Kuranit me përulësi. Shikova orën e varur në mur… po, ai është ai… tamam kjo orë… i njëjti zë.
Kërceva me lehtësi dhe u nisa drejt vendfaljes së tij, aty te salloni i madh pranë drurit të madh që e kishim blerë për zbukurim, aty ku falej gjithmonë… gjeta sexhaden e tij të vjetërsuar, të cilën nuk dëshironte ta ndërronte assesi. Sexhadja ende ishte e shtruar drejt kibles dhe anash kishte Kuranin Famëlartë në format të madh.
Për herë të parë, që kur kam njohur kuptimin e jetës i gjej këto dyja të vetme, pa praninë e tij. Kështu që me një përulësi që e mësova nga ai, qëndrova mbi sexhaden e tij, ktheva fytyrën drejt Shtëpisë së Lashtë, ndërsa lotët lagnin fytyrën time dhe pikonin mbi sexhaden e tij. U luta me gjithë shpirt: O Zoti im! Ruaje babanë tim dhe bëje të na kthehet me shëndet!/albislam.com
XHEMILE MUHAMED XHUFAN
Përshtati nga arabishtja: Omer Berisha