Me largimin nga shirku dhe me pastrimin e zemrës arrijmë të na falen gjynahet
Profeti a.s. ka thënë: “Allahu i Lartëmadhëruar i vështron krijesat e Tij në natën e gjysmës (15) të shabanit, dhe kështu i fal të gjithë krijesat e Tij përveç një idhujtari ose një njeriu që ka urrejtje dhe armiqësi me dikë”.
Çështja e natës së pesëmbëdhejtë shaban e quajtur “Nata Beratit” ka nevojë për shkoqitje. Kjo natë ka mirësi, sepse Profeti a.s. ka thënë: “Allahu i Lartëmadhëruar i vështron krijesat e Tij në natën e gjysmës (15) të shabanit, dhe kështu i fal të gjithë krijesat e Tij përveç një idhujtari ose një njeriu që ka urrejtje dhe armiqësi me dikë”. Ky hadith është sjell nga një grup sahabësh me rrugë të ndryshme. Të gjitha këto rrugë kanë dobësi, por nuk janë shumë të dobëta. Duke qenë të tilla ato e përforcojnë njëra-tjetrën dhe hadithi del i saktë. Ky është qëndrimi i Ibn Tejmijes në “Iktidau sirratil mustekim” (2/136) dhe i Albanit në “Silsile sahiha” ( 1144). Për këtë arsye, Ibn Tejmije ka sqaruar se ka selef dhe dijetarë të ymetit, njëri prej të cilëve imam Ahmedi, që kanë menduar se ajo është një natë e mirë. Nga ana tjetër, nuk ka argument të saktë për konsiderimin e saj si festë, për shfaqjet festive në të, për grumbullimin në të, për falje namazi nafile me xhematë gjatë kësaj nate, qoftë në xhami apo duke tjetër, për namaz me numër rekatesh të caktuar apo me një sure të caktuar, për këndimin e një sureje disa herë të caktuara, për një lutje të caktuar, për kalimin e gjithë kësaj nate me namaz e ibadet, për veçimin e ditës 15 shaban me agjërim, kështu që të gjitha këto janë bidate. Disa nga këto forma ibadeti përmenden në disa hadithe të trillluara, siç është veçimi i ditës së 15 shaban me agjërim. Shihi disa nga këto hadithe të trilluara në librin “El Meuduat” të Ibn Xheuzit (2/127-130). Nuk lejohet të caktohet asnjë ibadet dhe asnjë formë ibadetit, qoftë edhe për këtë natë, pa argument të saktë. Atëherë, vetëm hadithi që përmenda në fillim është i saktë në lidhje me këtë nate. Si rrjedhim, nëse besimtari çohet më vete dhe fal namaz nafile, bën dhikër dhe bën lutje, pa bërë ndonjë përcaktim për të cilin s’ka argument, nuk ka gjë. Ka vëllezër të hajrit që e mohojnë krijetësisht mirësinë e kësaj nate, por shkoqitja që bëra është më e saktë.
Hoxhë Ismail Bardhoshi