14.8 C
Pristina
Monday, September 16, 2024

Nata e Kadrit! – Kur është nata e Kadrit?!

Më të lexuarat

✔️ Allahu i Lartësuar thotë:
{إِنَّاۤ أَنزَلۡنَـٰهُ فِی لَیۡلَةِ ٱلۡقَدۡرِ }
“Ne e zbritëm atë (Kuranin) në natën e Kadrit.” [El-Kadr: 1].

✔️ Allahu i Plotfuqishëm përcakton në këtë natë çdo gjë që do të ndodhë për gjatë gjithë vitit të ardhshëm.
Allahu i Lartmadhëruar thotë:
{فِیهَا یُفۡرَقُ كُلُّ أَمۡرٍ حَكِیمٍ * أَمۡرࣰا مِّنۡ عِندِنَاۤۚ إِنَّا كُنَّا مُرۡسِلِینَ}
“Në të vendoset në mënyrë të prerë çdo çështje e urtë. Me urdhër prej Nesh. Ne përherë kemi dërguar Profetë.” [El-Dukhan: 4-5].
Në këtë natë Allahu i Madhëruar cakton fatet e gjithë krijesave, që do të ndodhin gjatë gjithë vitit, në të përcakton të gjallët dhe të vdekurit, të shpëtuarit dhe të shkatërruarit, të lumturit dhe të mjeruarit, të nderuarit dhe të poshtëruarit, dhe gjithçka që Allahu i Madhëruar dëshiron, çdo gjë që do të ndodhë në vitin e ardhshëm do të shkruhet në këtë Natë të Kadrit.

✔️ Nata e kadrit është një natë e bekuar:
Allahu i Lartësuar thotë:
{ إِنَّاۤ أَنزَلۡنَـٰهُ فِی لَیۡلَةࣲ مُّبَـٰرَكَةٍۚ}
“Ne e zbritëm atë në një natë të bekuar.” [El-Dukhan: 3].

✔️ Adhurimi në këtë natë është më i mirë se adhurimi në një mijë muaj:
Allahu i Madhëruar thotë:
{ لَیۡلَةُ ٱلۡقَدۡرِ خَیۡرࣱ مِّنۡ أَلۡفِ شَهۡرࣲ }
“Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj.” [El-Kadr: 3].
Adhurimi gjatë kësaj nate është më i mirë tek Allahu se adhurimi i njëmijë muajsh, pa natën e Kadrit.
Një mijë muaj janë të barabartë me tetëdhjetë e tre vjet e katër muaj.

✔️ Në natën e Kadrit, Xhibrili dhe engjëjt zbresin me mirësi dhe bekime:
Allahu i Lartmadhëruar thotë:
{ تَنَزَّلُ ٱلۡمَلَـٰۤىِٕكَةُ وَٱلرُّوحُ فِیهَا بِإِذۡنِ رَبِّهِم مِّن كُلِّ أَمۡرࣲ }
“Në atë natë zbresin engjëjt, dhe Shpirti (Xhibrili), me lejen e Zotit të tyre për çdo çështje.” [El-Kadr: 4].
Pastaj engjëjt zbresin këtë natë në tokë, me mirësi, bekim, mëshirë dhe falje.

✔️ Nata e Kadrit, është e gjitha paqe:
Allahu i Lartësuar thotë:
{ سَلَـٰمٌ هِیَ حَتَّىٰ مَطۡلَعِ ٱلۡفَجۡرِ }
“Ajo është paqe deri në agim.” [El-Kadr: 5].
Nata e Kadrit është një natë e pastër nga të këqijat, dhe të ndyrat. Në të adhurimet, veprat e sinqerta, dhe bamirësitë janë të shumta. Ajo është siguri nga dënimi. Ajo është e gjitha paqe dhe begati.

Kur është Nata e Kadrit?

✔️ Nata e Kadrit është e specifikuar që ndodhet në dhjetë netët e fundit të Ramazanit, dhe në netët tek prej tyre.
Ka ardhur në të dy Sahihët (Buhariu dhe Muslimi), nga Aishja se i Dërguari i Allahut ka thënë:
“Kërkojeni Natën e Kadrit në netët teke të dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit”.

✔️ Mundësia me e madhe, ose ajo që shpresohet më tepër, janë netët teke; siç ka ardhur në Sahihun e imam Buhariut nga Ibn Abasi, se Profeti, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, ka thënë:
“Kërkojeni atë në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, Natën e Kadrit, në të nëntën që ka mbetur, në të shtatën që ka mbetur, në të pestën që ka mbetur…”
Sikurse është transmetuar edhe në disa hadithe të tjera.

✔️ Kështu që këto dhjetë netë, janë netët më të mira të vitit, sepse në të është Nata e Kadrit. Ajo ka vlerë dhe rëndësi të madhe. Kështu që kushdo që agjëron, falet, lutet, me besim dhe duke shpresuar shpërblimin, do t’i falen mëkatet e mëparshme, dhe lutjet janë më afër pranimit. E ai që privohet nga kjo mirësi, nuk ka asgjë më të rëndë se ky privim.
Prandaj, Profeti, Sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, i ringjallte këto netë me adhurim, me shpresën se do të arrinte Natën e Kadrit. Mendimi më i saktë është se Nata e Kadrit lëviz nëpërmjet dhjetë netëve, në çdo vit ajo është në një natë prej netëve teke.

/HarizAllkoci

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit