-2 C
Pristina
Sunday, January 12, 2025

NATA E BEGATSHME – Komentim nga Shejh Sadi i sures el Kadr

Më të lexuarat

Duke treguar mirësinë dhe gradën e lartë të Kur’anit, Allahu i Madhëruar thotë:


– “Ne e zbritëm atë (Kur’anin) në Natën e Kadrit.”–
Në suren Duhan, ajetet 3 dhe 4, Allahu i Madhëruar e përshkruan këtë natë si “mubarake” – të begatshme e të bekuar. Ai thotë: “Ne e zbritëm atë në një Natë të bekuar. Ne gjithmonë kemi paralajmëruar (popujt). Atë Natë vendoset në mënyrë të prerë çdo çështje e urtë…” Dhe është shumë e vërtetë që Allahu i Madhëruar e filloi shpalljen e Kur’anit në muajin e Ramazanit, pikërisht natën e Kadrit. Kështu, Zoti i përfshiu robërit me një mëshirë të gjerë, për të cilën ata kurrë nuk do të mund ta falënderojnë dhe t’i shprehin mirënjohjen ashtu si e meriton. Ajo është quajtur Nata e Kadrit, për shkak të vlerës së madhe të saj. Në këtë natë, Allahu përcakton gjithçka do të ndodhë gjatë vitit, si afatin e jetës, rizkun e fëmijës etj. Më tej, për t’i dhënë më shumë rëndësi çështjes së Natës së Kadrit, Allahu bën një pyetje:

– “E ku mund ta dish ti se ç’është Nata e Kadrit?!” –
🔸️ Ajo është një natë shumë e rëndësishme dhe dobia e saj është e jashtëzakonshme.

“Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj.”
– Ajo është më e vlefshme se një mijë muaj. Edhe veprat e mira të kryera gjatë saj janë më të vlefshme dhe më të mira se puna në një mijë muaj, në të cilat nuk do të ishte ajo natë. Ky fakt çorodit arsyen e të mençurve dhe të urtëve, për bujarinë dhe mirësinë e madhe që Allahu i Madhëruar i ka dhuruar këtij umeti. Me bujarinë e Tij, Ai ka bërë një natë, puna në të cilën është më e mirë dhe më e shpërblyeshme se puna në një mijë muaj, pa atë natë mes tyre. Pra, çdo pjesëtar i këtij umeti, nëse e kërkon atë natë, mund të marrë shpërblim për një vepër që as për 80 vjet jetë të mbushur me adhurime e vepra të mira nuk do t’ia arrinte.

– “Në të zbresin melekët dhe Shpirti (Xhibrili), me lejen e Zotit të tyre, me çdo çështje (të përcaktuar nga Zoti).
Gjatë kësaj nate, duke filluar që nga perëndimi i diellit e deri në agim, melekët dhe Xhibrili shpeshtojnë zbritjen në tokë dhe ngjitjen prej saj. Zoti e ka përshkruar dhe emërtuar atë natë si selam – paqe, për shkak se ajo është e pastër nga sherri dhe është e mbushur me mirësi dhe bekime:

“Paqe është ajo (natë) deri në agim.” –
Janë të shumta hadithet rreth mirësisë dhe dobisë së madhe të kësaj nate dhe faktit që ajo është në muajin e Ramazanit, madje në dhjetënetëshin e fundit të tij, e pikërisht në netët teke. Ajo përsëritet çdo vit, deri në Ditën e Gjykimit. Për këtë arsye, gjatë këtyre dhjetë netëve të fundit të Ramazanit, Profeti (alejhi selam) hynte në itikaf dhe shtonte adhurimet, me shpresë që të arrinte shpërblimin e mrekullueshëm të kësaj nate. Por Allahu është më i ditur për gjithçka.


Nga tefsiri i Sadit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit