-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Namazlinjtë krenarë të Prishtinës

Më të lexuarat

Futbollistët e Prishtinës nuk po angazhohen vetëm në ushtrime. Shumë prej tyre po i kryejnë në tërësi edhe obligimet që ua përcakton feja islame. Gentrit Begolli, vëllezërit Azem e Berat Ahmeti, Akil Makolli e Agron Gashi falen në pesë kohët e namazit. Në xhami luten edhe për Prishtinën. Si besimtarë të devotshëm, respektohen shumë edhe nga trajneri Afrim Tovërlani.

A e dini se futbollistët e Prishtinës po i mbajnë dy fronte? Krahas përgatitjeve intensive për sezonin pranveror – gjatë të cilit e synojnë titullin e kampionit – bardhekaltrit po e mbajnë edhe një front tjetër. Ata me sukses po i kryejnë edhe obligimet që ua përcakton feja e tyre, islami.

Në fakt, shumë futbollistë të kampionit aktual agjërojnë në çdo muaj të Ramazanit, e po ashtu e falin namazin e xhumasë.

Por, janë pesë prishtinas, besimtarë aq të devotshëm, saqë nuk e lënë asnjë kohë të namazit pa u falur, çoftë në xhami, shtëpi, stadium apo kudo që ndodhen. Fjala është për vëllezërit Azem e Berat Ahmeti, Akil Makolli, Agron Gashi e Gentrit Begolli. Që të pestit këta, falen në të pesë kohët e namazit, pavarësisht angazhimeve që i kanë në skuadër.

Por, Gentrit Begolli thotë se praktikimi në përpikëri i islamit, asnjëherë nuk e pengon rreth kryerjes së obligimeve ndaj skuadrës. “Tani bëhen një vit që kam filluar të fali namaz. Gjithnjë gjej kohë për ta kryer obligimin fetar dhe kjo nuk më pengon aspak në punën time në Prishtinë, bile kjo nuk vjen as në konsideratë”, thotë Begolli për Arenën.

Njëjtë shprehet edhe shoku i tij, Azem Ahmeti, i cili vërtet është një besimtar i devotshëm. “Myslimani e ka për obligim t’i falë pesë kohët e namazit. Si mysliman që jam, e kryej këtë obligim. Falja e namazit nuk më pengon aspak në karrierën time si futbollist, sepse çdo kohë e namazit kryhet për rreth pesë minuta”, thotë Azemi, i cili obligimet fetare i kryen së bashku me vëllain e tij, mesfushorin tjetër të Prishtinës, Beratin.

Sikurse Azemi, edhe Gentriti i shpreh falënderime Zotit, siç thonë ata, që i ka udhëzuar në rrugën më të mirë, derisa shpresojnë se të njëjtën rrugë do të fillojnë ta ndjekin edhe shumë të rinj tjerë kosovarë.

Begolli, Makolli, Gashi e vëllezërit Ahmeti nuk janë të vetmit e Prishtinës që e praktikojnë islamin. Një gjë të tillë e bëjnë edhe shumë lojtarë tjerë të kësaj skuadre, të cilët e kryejnë namazin e xhumasë në çdo të premte, e po ashtu agjërojnë në Ramazan, por nuk ia dalin t’i kryejnë pesë vaktet e namazit.

Kryejnë namaz edhe në zhveshtore apo stacione të autobusëve

Pesë kohët e namazit besimtarët e devotshëm të Prishtinës nuk i kryejnë vetëm nëpër xhami apo shtëpi. Si futbollistë që janë, ata shpesh i ka zënë ndonjë kohë e namazit në stadium, apo duke udhëtuar me skuadrën e tyre si mysafirë të ndonjë klubi tjetër. Pavarësisht situatave të tilla, ata nuk e kanë lënë pa e kryer obligimin fetar.

“Ka ndodh jemi falë edhe në stacion të autobusëve, kur kishim shkuar për të luajtur ndaj Drenicës. Ndërkohë, edhe në stadiumin tonë i kemi kushtet e mira, andaj edhe në dhomat e zhveshjes kemi mundësi për ta kryer obligimin që na ka caktuar Allahu”, thotë sulmuesi, Gentrit Begolli.

Namazlinjtë e gëzojnë Tovërlanin

Futbollistët e Prishtinës, të cilët nuk lënë kohë të namazit pa u falur, e falënderojnë trajnerin e tyre që i mirëkupton dhe që mundohet t’u ndihmoi, duke u bërë orarin e stërvitjeve asisoj, që ata të mund ta kryejnë namazin. “Trajneri ka mirëkuptim për të gjithë neve që e praktikojmë fenë, e madje na respekton edhe më shumë”, pohon Azem Ahmeti, sikurse Gentrit Begolli. “Tovërlani gjithnjë na përkrah. Ka ndodh e ka shtyrë analizën e lojës, deri atëherë kur ne e kemi kryer namazin. Edhe si mysafirë ku luajmë, trajneri na pret derisa i kryejmë obligimet fetare. Gjithnjë na mirëkupton, sidomos në muajin e shenjt të Ramazanit, kur bënë lëshime dhe nuk na mundon shumë. Andaj, ai meriton falënderime për gjithë këtë mirëkuptim”, tha ai.

E mirëkuptimi i trajnerit Afrim Tovërlani nuk do t’u mungojë as në të ardhmen namazlinjëve të Prishtinës.

“Me qenë se shumica i përkasim fesë islame, kur kemi stërvitje, sidomos në ditët e xhumasë, e ndërrojmë orarin. Por, edhe ditëve tjera mundohem maksimalisht t’ua mundësoj lojtarëve t’i kryejnë obligimet fetare. Në këtë drejtim asnjëherë nuk iu kam përzier askujt, për ta kushtëzuar që ta ndërpres agjërimin, kryerjen e namazit, apo diçka ngjashëm”, thotë Tovërlani, i cili tregoi se edhe kur me skuadrën ndodhen jashtë shtetit, gjithnjë mundohet t’u krijoj mundësi lojtarëve që t’i kryejnë obligimet fetare. “Duhet të jemi të lumtur që kemi futbollistë që mundohen në përpikëri ta mbajnë fenë. Personalisht ndihem i lumtur që lojtarë të mi i përfillin rregullat e islamit”, theksoi trajneri prishtinas.

Në xhami, Begolli lutet për Prishtinën

Sa herë që shënon gol, Gentrit Begolli shihet duke iu falënderuar Zotit. “I falënderohem Allahut, sepse vetëm ai ma mundëson të shënoj”, thotë Begolli, i cili një kohë të madhe e kalon nëpër xhamitë e kryeqytetit. Pasi që ta kryen namazin, i lutet Zotit që t’i sjell suksese skuadrës së zemrës, Prishtinës. “Gjithmonë lutem në xhami që të fitoj skuadra ime, pavarësisht a do të luaj unë, apo jo. Në xhami duaja pranohet më lehtë, andaj kryesisht aty lutem shumë për Prishtinën”, thotë Gentriti. /Arena/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit