1.7 C
Pristina
Saturday, December 21, 2024

NA LA TURKU MBRAPA – Hoxhë Florian Leli

Më të lexuarat

NA LA TURKU MBRAPA

– Ç’ti bësh. Ne na la turku mbrapa – tha befas intelektuali.
– Po po, ashtu është.
– Ou, paske ndërruar mendim. Po më vjen mirë që e paske kuptuar – u përgjigj me një farë ngazëllimi.
– Jo mo ç’ne. Këtë mendim kam pasur përherë. Turku na la mbrapa kur iku e s’na mori me vete.

Mendësia se fajin na e ka tjetri. Është pikërisht kjo mendësi që e ka lënë mbrapa shqiptarin. Përpara bëjnë ata që pasi analizojnë veten, nxjerrin mësime dhe përmirësojnë. Kush e sheh veten të përsosur, shigjetat e kritikës i drejton përherë nga tjetri.

Është kjo mendësia e shumë “intelektualëve” shqiptarë, të cilët akoma na ushqejnë me iluzionin e rracës më të zgjuar, e cila ka mësuar gjithë botën por fatkeqësisht ka lënë pas dore veten.

Që të jemi realistë, fraza “turku na la mbrapa” është një e vërtetë e madhe dhe aktualitet i jetuar. Turku ka kohë që na e ka kaluar dhe na ka lënë mbrapa. Na ka lënë mbrapa në ekonomi, në industri, në infrastukturë, në arsim, etj. Mbrapa na ka lënë edhe e gjithë Evropa, sepse jemi në fund të listës. Mbrapa po na lë edhe Afrika. Nuk po flas për vendet e Gjirit Persik se atyre as nuk u afrohemi. Mbrapa po na lë edhe Afrika. Merrni Ruandën sa për shembull. Vetëm për dy dekada e ringriti vendin pas një lufte shkatërruese.

Turku ka kohë që na ka lënë mbrapa. Në fakt ishim ne ata që mbetëm vendnumro. Bota ecën para sepse punon. Mbrapa mbetet vetëm ai me mentalitet të prapambetur. Turku përparon se përpiqet, punon dhe zhvillon. Turku nuk ka pse të na presë ne.

Në fakt, varet si e kupton këtë frazë “turku na la mbrapa”. Po ta shohësh me syrin e realitetit, mbrapa na ka lënë, ata si lepuri e ne si breshka. E po ta shohësh me syrin e “intelektualit” tonë, duke përfytyruar fajtorë imagjinarë të cilët na kanë mohuar majat ne shqiptarëve, ne rracës më të shquar të botës, atëherë kjo frazë nuk është më shumë se një farsë dhe shfajësim i kotë për të mbulur dështimet tona.

Ne do ta kapim turkun dhe do të ecim me hapin e botës vetëm atëherë kur të ndryshojmë mënyrën e të gjykuarit dhe të përveshim mëngët më shumë se të hapim gojën. Ky është realiteti, paçka se është i hidhur për shumë ne.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit