-1.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Na fal, Fatima

Më të lexuarat

Autor: Milosh Çiriq

Ky është një opinion i botuar nga aktivisti serb i të drejtave të njeriut, Milosh Çiriq në edicionin e djeshëm të gazetës serbe “Danas”, para shpalljes së vendimit nga Gjykata e Hagës për  ish-udhëheqësin ushtarak të serbëve të Bosnjës,  Ratko Mlladiq, i cili u dënua me burgim të përjetshëm.

Mbyllni sytë dhe imagjinoni një të re të Srebrenicës, Fatima Muhiq. Ajo është 22 vjeçare dhe ka flokë të zeza të krehura me kujdes nën një hixhab mëndafshi, fytyrë të ngushtë dhe krenare. Studion Filozofinë në Sarajevë, të gjithë në shtëpi janë krenarë për të.

Ajo është modeste dhe me humor, ka shumë miq.

Këtë mëngjes të artë ajo ulet vetëm në Bashçarshija, me një listë të shënimeve nga ligjëratat, e adhuron ajrin e pastër. Ajo merr frymë thellë, pi kafe dhe kafshon një llokum.

Ajo pi një gllënkë ujë të ftohtë, shikon në kodrat e mjegullta të Sarajevës dhe imagjinon për të shkuar në New York. Tani ajo e shikon orën, është koha për të lëvizur, i vendos duart në ballin e saj, përshkon fytyrën me gishta dhe i forcon flokët nën shami. Ajo i dërgon një porosi mamasë së saj, në Srebrenicë, duke i dëshiruar një mëngjes të mirë dhe i thotë asaj se i do të gjithë. Ajo ngrihet, vendos çantën mbi shpatullat e saj, dhe e buzëqeshur kalon përmes një grupi turistësh dhe më pas zhduket në turmë. A po e shihni? Tani hapni sytë.

Fatima ka lindur në Potoçari, një ditë pasi ushtria e Republikës Srpska u fut në Srebrenicë. Në një nxehtësi të padurueshme, mijëra njerëz u larguan nga paniku nga ushtria serbe – në pyje, kodra, për të mbërritur deri në Tuzla, në Potoçari. Atë ditë, serbët i kuptuan mirë fjalët e komandantit të tyre në deklaratën që dha, sapo shkeli në Srebrenicë. Ata festuan dhe kënduan deri në mesnatë ndërsa bosët po përgatisnin një masakër masive, kurse makineria nga Serbia u grumbullua për javët e gjakderdhjes së tyre. Për gjueti ndaj burrave në pyje, për komandat “në gjunjë”, për gënjeshtrat, “nuk do t`ju ndodhë asgjë, dilni lirisht”. Për qeshjen djallëzore prapa kokave të djemve të rinj të lagur me djersë dhe urinë, të paarmatosur të gjunjëzuar para heronjve serb, për xhirimin me kamera të vrasjeve të tyre, për zërin e shurdhër që e bën trupi i vdekur kur bie mbi barin e verdhë në tokën e rëndë boshnjake.

Më 11 korrik, gra, fëmijë, të moshuar dhe të rinjtë ikën në bazën e OKB-së.

Ata nuk dinin, si kanë mundur ta dinë se do të vraponin në një dhomë pritjeje për vdekjen duke siguruar vendin e tyre në një varr masiv. Në rrëmujën e shpirtrave të frikësuar, ishte e guximshmja Hava, me barkun e madh, duke u frikësuar se do të binte, që turma  do ta përmbyste në tokën e nxehtë. Hava ka lindur në Potoçari gjatë natës së parë në kushte të paimagjinueshme. Nata ishte më e keqe se dita, nxehtësia po i ngulfaste mijëra njerëz që ndanin ajrin e tmerrshëm të strehimit. Ajo lindi një vajzë.

Në të njejtën kohë, 120 kilometra nga atje, në një Beograd që kundërmonte, zotëriu nga kolltuku e shikonte “Dnevnikun” dhe dëgjonte deklaratën e gjeneralit: “Jemi këtu në Srebrenicën serbe. Më në fund erdhi momenti për t’u hakmarrë ndaj turqve në këtë rajon”. Zonjat përfunduan përgatitjet për pagëzimin e nesërm, Petrovdan (Ditën e Shën Pjetrit). Një javë më vonë, në Dnevnik të RTS-së, u dëgjua një zë i ri i deputetit Vuçiq, duke kërcënuar nga foltorja e Kuvendit: “Vrisni një serb, ne do t`i vrasim njëqind myslimanë”.

Mijëra muslimanë tashmë janë hedhur në varre masive. Kur u mbushën, trupat u copëtuan dhe u transferuan në varreza sekondare, më pas të ripaketuar u hodhën në një varr terciar. Serbët kishin duart plotë me punë deri në fund të verës. Kush i hapi ato me eskavator? Kush i voziti autobusët nga Valjeva, Shapca, Uzhica që u përdorën për t`i transportuar njerëzit nga Potoçari në vendet ku u qëlluan? Kush i ngriti kufomat dhe i hodhi ato në kanale në Tomasicë, Kozluk, Budak, Snagë, Kamenicë?

Komandanti i këtyre vrasësve, 16 vjet pas gjenocidit, ishte nën mbrojtjen e shtetit tonë, “në arrati”. Ai ishte parë shpesh në Beograd, në ndeshje, në mesin e mysafirëve nëpër kremta. Pastaj ai u zhduk. Sot ne e dimë se ai ishte fshehur në një objekt ushtarak në Topcider për një kohë. Kush janë Drazheni dhe Dragani? Dy roje të gjetura të vdekura më 5 tetor të vitit 2004 në të njëjtin objekt ushtarak. Shteti ynë dhe mediat pohojnë se kjo ishte një vrasje dhe vetëvrasje, dhe rojet u vranë në fakt, sepse e panë vet djallin aksidentalisht atë mëngjes. Në atë kohë, ministër i Mbrojtjes ishte Boris Tadiq.

Gjenerali “u gjet” në vitin 2011 në fshatin Lazarevë afër Zrenjaninit. Policisë menjëherë me krenari ia tha emrin e tij të vërtet, të  mallkuar. Presidenti i atëhershëm i Serbisë, Boris Tadiq pastaj informoi shkurtimisht publikun se heroi u arrestua. Komandanti menjëherë kërkoi që të vizitonte varrin e vajzës së tij, Ana, e varrosur në Topcider. Ana kreu vetëvrasje në vitin 1994, duke u qëlluar veten në kokë me pistoletën e  babait. Sipas thashethemeve, babai i saj kërkoi që ta shoh për herë të fundit si dhe pengoi hetimin e vdekjes së tij.

Thuhet se vdekja e vajzës së tij e preku aq shumë saqë për shkak të kësaj ai ndryshoi “strategjinë e tij të luftës”.

A ju kujtohet Fatima? Hava Muhiq nuk ia la emrin vajzës së saj deri në vitin 2012 kur edhe u identifikuan eshtrat e foshnjës së saj. Ishin të vogla dhe të përziera me të tjerët, nuk ishte e lehtë për t’i gjetur, as për të ditur se të kujt janë. Fatima është viktima më e re e gjenocidit në Srebrenicë. Ka të paktën 8,371 viktima të tilla, por Fatima ka jetuar më së paku në natën e ferrit të korrikut. Fatimën, që sot e imagjinojmë të buzëqeshur duke kaluar përmes Bashqarshisë, vdiq në të njëjtën orë kur edhe kishte lindur. Ajo kurrë nuk do të shohë kodrat e Sarajevës, as të pijë një gllënjkë me ujë të ftohtë. Nëna e saj sot është duke shikuar dënimin e vrasësit të fëmijës së saj, ndërsa vrasësit e tjerë të saj jetojnë të lirë në mes nesh, disa prej tyre janë në pushtet, disa në opozitë, disa na mësojnë fëmijët në shkolla, të tjerë na shkruajnë lajme, disa prej tyre na drejtojnë shtetin.

Na fal, Fatima

Autori është aktivist për të drejtat e njeriut nga Beogradi dhe bashkëpunëtor në Fakultetin e Studimeve të Medias, në Universitetin” New School” të New Yorkut.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit