Klodiana SMAJLAJ
Shiringa e hedhjes poshtë të tjetrit na është injektuar drejtpërdrejt në vena të gjithëve si popull. Hedh poshtë i madhi dhe i vogli. Hidhet poshtë i madhi dhe i vogli. Pa mëshirë, pa dallim, pa dhembshuri, pa asnjë vrasje ndërgjegjeje. Këtë proces, tashmë aq të familjarizuar si buka që hamë, e bëjmë çdo ditë, çdo orë, në thuajse çdo mendim e veprim. E bëjmë në familjet tona, kur të voglit i ndërpritet fjala sa herë që kërkon të japë një mendim për një gjë që diskutohet, apo kur plaku i shtëpisë injorohet pa folur ende. Tjetrin e hedhim poshtë në rrugë, kur lëshojmë përtokë çdo mbeturinë që na zë duart, duke përbuzur duart me vragë të pastruesve, dhe procesin e vazhdojmë edhe në punë, kur mundohemi me çdo kusht t’i biem në sy për mirë shefit, duke injoruar e përçmuar punën e kolegut. Ah, nuk harrojmë ta hedhim poshtë tjetrin asnjë ditë të vetme as në rrjetet sociale, duke hedhur vrer mbi çdo post a çdo foto që nuk përkon me “idealet” tona “të larta”.
Me këto gjasa, efektit të kësaj shiringe, ne të rriturit e kemi tepër të vështirë t’i gjejmë derman. Por më e trishta është kur sheh se në një hap me shembullin tonë po ecin edhe të vegjëlit tanë. Dikush mund të qeshë me një ngjarje ilustruese që do t’ju jap në vazhdim (duke e shoqëruar me fjalët e shpeshthëna: Hë, se punë kalamajsh!), por nëse do ta analizonit thellë, do të kuptonit se në ç’ndjesi të zymta varaviten mendjet dhe zemrat e të vegjëlve tanë.
Para dy ditësh, një vajzë e vogël, një e shtrenjtë e zemrës time, u listua nga mësuesja e saj për t’u bërë senatore e klasës. Së bashku me dy të tjerë, ajo priti për votat që do t’i vinin prej shokëve të saj. E dini se çfarë ndodhi? Në një klasë me mbi 30 vetë, ajo nuk mori as edhe një votë të vetme! Kur ma treguan këtë episod, thashë më vete: “Uau! Si është e mundur një gjë e tillë? As edhe një votë të vetme? As edhe një fëmijë i vetëm në atë klasë nuk paska menduar se ajo vajzë e vogël, me fytyrë engjëllore, meritonte një votë, një vlerësim? Si është e mundur që, përtej meritës, qoftë edhe për dashamirësi (duke qenë se kjo lloj ndjenje duhej të prevalonte te një moshë kaq e vogël) apo solidaritet, asaj s’i kishin dhënë asnjë votë të vetme?!” Sigurisht, ajo e shkreta ishte ndjerë shumë keq. Në fakt, në atë lloj situate, edhe një të rrituri do t’i vihej në provë vetëvlerësimi.
Mbase kjo nuk është për t’u bërë kaq e madhe, por për mua një situatë e tillë është një shenjë alarmi, një shenjë që flet qartë për një nivel të lartë të pandjeshmërisë që po rrënjoset te fëmijët tanë. Është një pandjeshmëri që ata e marrin prej nesh, prindërve, dhe e përçojnë zinxhir tek ata me të cilët mund të maten, te moshatarët e tyre. Prandaj, ju them me zemër nëne, por edhe si një njeri që ka studiuar në këtë fushë, se nuk duhet të injorojmë asnjë lloj sinjali të ngjashëm që na vjen nga fëmijët tanë.
Ne kemi nevojë të rrisim njerëz në radhë të parë. Përpara se të edukojmë profesionistët, gjenitë, bla bla bla-të e së ardhmes, ne kemi nevojë që fëmijët tanë të bëhen njerëz, të jenë empatikë, të kenë ndjeshmëri ndaj tjetrit, të mos e hedhin poshtë tjetrin e të tregojnë respekt për çdo qenie njerëzore. Ne duhet t’i vlerësojmë, në mënyrë që të mësojnë se si të vlerësojnë. Duhet t’i duam, që të mësojnë se si të duan. Secili nga ne mundet e duhet të ushqejë njerëzoren dhe të bukurën në shpirtrat e të vegjëlve tanë.