Akademikja myslimane nga Australia, Susan Carland, është zotuar që do të dhurojë një dollar australian për organizatën bamirëse UNICEF për çdo mesazh urrejtjeje që pranon në rrjetin social Twitter. Për “Sunday Morning Heralde” ajo ka thënë se “rregullisht marr mesazhe urrejtjeje në Twitter dhe Facebook nga luftëtarët e guximshëm që fshihen prapa llogarive anonime të cilët më tregojnë mua, se unë si grua myslimane e dua shtypjen, vrasjen, luftën dhe seksizmin”.
Sipas saj, zakonisht kërcënimet që merr përfshijnë “kërkesa për ta lëshuar Australinë, dëshirë për vdekje, sulme rreth dukjes (me fokus special në hixhabin tim), akuza se jam xhihadiste dhe se po planifikoj ta pushtoj vendin”.
Kur Carland filloi t’i injorojë dhe bllokojë kërcënuesit e saj, asaj i shkoi në mendje të dhurojë një dollarë për çdo mesazh urrejtjeje dhe kërcënues që merr.
“Ndjeja se çdo plumb i gërditshëm drejt meje meriton përgjigje pozitive me vepra të mira”, ka thënë ajo.
Që prej kur e ka nisur këtë mision, ajo thotë se ka dhuruar më shumë se 1,000 dollarë australian për UNICEF-in. Nuk dihet ende nëse kërcënuesit e kanë ndalur aktivitetin e tyre ndaj Carlandit, por duke e shndërruar një situatë negative në pozitive është diçka me të cilën ajo duhet të krenohet.