Një grua myslimane nga Minnesota e Shteteve të Bashkuara është dëmshpërblyer me 120 mijë dollarë për ta zgjidhur një rast në gjykatë, ku ajo u ankua se u detyrua nga autoritetet që ta largojë shaminë në burg për t’u fotografuar pasi e kishte kryer një shkelje në trafik.
Aida Shyef Al-Kadi u paraqit së bashku me avokatët e saj në selinë qendrore të Këshillit për Marrëdhënie Amerikano-islamike në Minneapolis për ta dhënë njoftimin për këtë vendim të gjykatës.
Al-Kadi, 57 vjeçe, tha se trajtimi i saj në burgun e rajonit Ramsey në gusht të vitit 2013 ishte njëra ndër përvojat më shkatërruese dhe dëmtuese në jetën e saj.
“E dija se nuk doja që asnjë grua tjetër myslimane ta përjetojë atë që e përjetova unë”, tha ajo.
Një gjykatës e kishte lëshuar fletarrestimin për këtë grua pasi ajo nuk ishte paraqitur në gjykatë për shkak të një shkeljeje në trafik në kohën kur po e dërgonte vajzën e vet në spital.
Në ankesën ligjore, ajo u ankua se autoritetet lokale ia kanë shkelur të drejtat kushtetuese dhe e kanë diskriminuar për shkak të besimit fetar.
Zonja Al-Kadi është lindur dhe është rritur në Ohio të Shteteve të Bashkuara, por ishte vendosur në Minnesota në vitin 2005 në mënyrë që vajza e saj të kishte qasje në trajtim të veçantë mjekësor, shkruan “The Guardian”.