Sekretari i sigurisë kombëtare Jeh Johnson
Sekretari i sigurisë kombëtare Jeh Johnson bëri thirrje për bashkëpunim me komunitetin e myslimanëve amerikanë, gjatë një fjalimi në një simpozium për “Përballimin e Ekstremizmit të Dhunshëm”.
Ai bëri thirrje për bashkëpunim dhe ndërtim urash komunikimi, duke thënë se komunitetet e amerikanëve myslimanë nuk duhet të përgojohen dhe izolohen.
Sulmi terrorist në Bruksel muajin e kaluar ka ringjallur debatin rreth mënyrave për t’u përballur me ekstremizmin e dhunshëm në Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që disa kandidatë republikanë për president kanë bërë thirrje për mbikëqyrje të lagjeve të amerikanëve myslimanë.
Por, Sekretari i Sigurisë Jeh Johnson thotë se ky propozim nuk reflekton realitetin:
“Nuk mund të vëzhgohet qoftë edhe një lagje e vetme për të mbikëqyrur myslimanët amerikanë, megjithë këtë retorikë të nxehur politike”.
Megjithëse sulmi vitin e kaluar në San Bernardino të Kalifornisë risolli sërish shqetësimin për terrorizmin e kultivuar brenda vendit, zoti Johnson tha se përpjekjet e Departamentit të Sigurisë për të parandaluar sulme të tjera janë ndihmuar nga bashkëpunimi me komunitetin mysliman.
“Shumica dërrmuese e amerikanëve myslimanë, ku përfshihen edhe ata që shërbejnë në forcat tona të armatosura dhe në qeveri, janë njerëz patriotë të përkushtuar, të cilët e duan këtë vend dhe dëshirojnë të ndihmojnë sigurinë publike, pasi ky është edhe atdheu i tyre”, tha Sekretari Johnson.
Zoti Johnson hodhi poshtë aludimet se përpjekjet e Departamentit të Sigurisë kanë objektiv kryesor amerikanët myslimanë:
“Shteti Islamik, që është ndoshta organizata më e dukshme dhe më e rrezikshme me të cilën përballemi tani, është duke shënjestruar myslimanët amerikanë. Duhet të reagojmë duke e zmbrapsur këtë përpjekje si një çështje me rëndësi për sigurinë kombëtare.”
Zoti Johnson e përfundoi fjalimin me një thirrje për bashkëpunim dhe ndërtim urash komunikimi, duke thënë se komunitetet e amerikanëve myslimanë nuk duhet të përgojohen dhe izolohen.
* Ky material u publikua fillimisht në VOA Shqip.