Agresoni rus në Ukrainë ka sjellë përçarjen e faktorit musliman në dy vendet. Veç faktit se lideri çeçen Kadyrov është krah Putinit, edhe krerët zyrtarë të muslimanëve rusë, janë përgjithësisht pro Kremlinit.
Ndaj, Said Ismailov, myftiu i komunitetit mysliman në Ukrainë (Umma), dënoi mbështetjen e myftinjve rusë për agresionin e Putinit.
Më poshtë është përgjigja e tij ndaj tyre.
“Unë nuk i konsideroj udhëheqës shpirtërorë ata njerëz që kanë bekuar dhe mbështetur vrasjen e grave, fëmijëve dhe kujtdo në vëndin tonë. Ata do mbeten përgjithmonë me turp që mbështesnin padrejtësinë, mëkatin dhe dhunën e drejtpërdrejtë.“Ata e dinë se autoritete të shumta muslimane kudo në botë, nga Evropa në al-Azhar kanë dënuar agresionin rus dhe vrasjen e ukrainasve”, tha myftiu Ismailov, duke shtuar se myftinjtë e Pekinit “me vetëdije u kthyen në anën e krimit”.
Në vazhdim të përgjigjes, myftiu Ismailov citoi një ajet nga sure En-Nis në Kur’an:
“Dhe pse nuk luftoni në rrugën e Allahut për të shtypurit, për burrat, gratë dhe fëmijët, të cilët bërtasin: ‘O Zoti ynë! Nxirrna nga ky qytet, banorët e të cilit janë zullumqarë, na cakto një mbrojtës dhe na jep nga ana Jotë një njeri do të na ndihmojë!” (Kur’an 4:75).
“Në këtë ajet, Allahu i Plotfuqishëm i thërret besimtarët që të ngrihen në këmbë për të shtypurit dhe i lejon besimtarët nga e gjithë bota të luftojnë duke mbrojtur viktimat e agresionit. Përkundrazi, ‘udhëheqësit shpirtërorë’ rusë u kthyen në anën e agresorëve dhe vrasësve. Ata jo vetëm që heshtin frikacakërisht, por edhe e miratojnë këtë gjenocid kundër popullit ukrainas, duke përfshirë edhe ne muslimanët e Ukrainës, të cilët u ngritëm në mbrojtje të atdheut të tyre”, tha myftiu Ismailov. /tesheshi.com/