Prishtinë, më 25 tetor 2022
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, gjatë vizitës zyrtare në Ankara të Turqisë, bashkë me bashkëpunëtorët e tij sot ka zhvilluar një takim në Drejtorinë e Përgjithshme të Vakëfeve të Turqisë – VGM, gjegjësisht me drejtorin e përgjithshëm z.Burhan Ersoy, i cili shoqërohej me zv. drejtorin Cem Aslanbay dhe shefat e sektorëve të tjerë.
Myftiu Tërnava falënderoi z.Ersoy për bashkëpunimin e frytshëm ndërmjet Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Drejtorisë së Vakëfeve-VGM në shumë fusha të rëndësishme, e sidomos në fushën e restaurimeve të trashëgimisë kulturore islame, ku janë realizuar një sërë projektesh të rëndësishme në disa qytete të Kosovës, në fushën e shëndetësisë, ku një numër i madh i pacientëve kosovarë janë trajtuar në spitalin “Bezmialem” në Stamboll që është pjesë e kësaj Drejtorie dhe fushën humanitare ku Drejtoria e Përgjithshme e Vakfëve të Turqisë ka dërguar për çdo vit nga 5 mijë pako ushqimore në vigjilje të muajit Ramazan, të cilat Bashkësia Islame e Kosovës ua ka shpërndarë familjeve me gjendje të rëndë sociale.
Bashkësia Islame e Kosovës është përjetësisht mirënjohëse për kontributin dhe ndihmën tuaj në këto fusha, theksoi mes tjerash Myftiu Tërnava.
Drejtori i përgjithshëm z. Burhan Ersoy falënderoi Myftiun Tërnava për vizitën dhe për bashkëpunimin me Drejtorinë e Vakëfeve-VGM dhe theksoi se falë këtij bashkëpunimi në një kohë të shkurtë kemi realizuar një sërë projektesh madhore, sidomos në restaurimin e monumenteve kulturore islame, ngritjen e vakëfeve të reja dhe fushën shëndetësore e humanitare.
Z.Burhan Ersoy theksoi përkushtimin e tij dhe të Drejtorisë së Vakëfeve-VGM, që sikur deri tani, por edhe në të ardhmen të bashkëpunojmë ngushtë në realizimin e projekteve të rëndësishme për Kosovën me Bashkësinë Islame të Kosovës.
The post Myftiu Tërnava vizitoi Drejtorinë e Përgjithshme të Vakëfeve të Turqisë – VGM appeared first on Bashkësia Islame e Kosovës.