Prishtinë, 3 mars 2022
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef.Tërnava, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, është pritur sot në takim nga kryetari i Komunës së Deçanit, z. Bashkim Ramosaj.
Myftiu Tërnava fillimisht e uroi z.Ramosajn për mandatin e ri në krye të Komunës së Deçanit, duke i uruar punë të mbarë dhe të suksesshme. Ai tha se udhëheqja e Komunës para së gjithash duhet të shihet si një përgjegjësi karshi qytetarëve të saj.Myftiu Tërnava më pas e njohu kryetarin Ramosaj edhe me mbarëvajtjen e aktiviteteve fetare në Kosovë në përgjithësi, e në veçanti në Komunën e Deçanit.
Nga ana e tij, kryetari Ramosaj falënderoi Myftiun Tërnava për vizitën dhe shprehu mirënjohjen dhe falënderimet e tij për bashkëpunimin e deritanishëm me Bashkësinë Islame në përgjithësi, e në veçanti me Këshillin e Bashkësisë Islame të Deçanit.
Gjatë vizitës në Deçan, Myftiu Tërnava mori pjesë në promovimin e librit “Shekuj drite në Deçan”, të autorit, imamit Harun ef. Shabanajt, ku mbajti edhe një fjalë përshëndetëse.