Prishtinë, më 29 shkurt 2024
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka takuar sot kryetarët e këshillave të Bashkësisë Islame të Kosovës.
Takimi filloi me leximin e një pjese nga Kurani fisnik, e më pas Myftiu Tërnava, shfrytëzoi rastin që fillimisht t’i uronte kryetarët e këshillave, duke ju uruar mbarësi dhe punë të suksesshme. Ai kërkoi nga ta përgjegjësi edhe më të madhe, duke ua rikujtuar kështu përgjegjësinë e organizimit të jetës fetare që kanë në këshillat ku ata udhëheqin. Ai tha se amanetin të cilin e kemi marrë mbi supet tona, të kumtimit dhe të shpjegimit të fjalës së të Madhit Zot, duhet ta çojmë në vend me nder e me përgjegjësi, ngase kështu na mësojnë fjalët e Kuranit fisnik dhe hadithet e Pejgamberit a.s..
Temë kryesore e këtij takimi ishte përgatitja për ardhjen e muajit të bekuar Ramazan, ku nga kryetarët u kërkua që të kenë koordinim sa më të mirë ndërmjet Kryesisë, këshillave dhe imamëve rreth përgatitjeve dhe aktiviteteve që priten të zhvillohen gjatë këtij muaji të bekuar. Myftiu Tërnava në fund, porositi kryetarët, e nëpërmes tyre edhe imamët që gjithnjë të jenë sa më pranë xhematit.