Prishtinë, më 3 gusht 2024
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka pritur sot në takim anëtarin e Asamblesë së shtetit të Nju Jorkut, z. Charles D Fall, i cili shoqërohej nga anëtari i Këshillit të shtetit të Nju Jorkut, z. David Carr dhe nga veprimtari i njohur, z. Naser Kika.
Myftiu Tërnava fillimisht u uroi mirëseardhje mysafirëve, e më pas i njohu ata me historikun, misionin, punët dhe angazhimet e institucionit të Bashkësisë Islame të Kosovës, me theks të veçantë për kontributin e këtij institucioni në bashkëjetesën dhe tolerancën ndërfetare në vend. Ai tha se Bashkësia Islame e Kosovës, si institucioni më i madh fetar në Kosovë, ndër vite ka luajtur një rol kyç në kultivimin e tolerancës dhe bashkëjetesës fetare, ani pse jemi një vend i vogël, botës i japim shembullin më të mirë për këtë.
Nga ana e tij, z. Fall, falënderoi Myftiun Tërnava për pritjen, duke çmuar kështu rolin dhe kontributin e Bashkësisë Islame të Kosovës dhënë për proceset që ka kaluar populli i Kosovës.