2.2 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Myftiu Tërnava mori pjesë në ceremoninë e dorëzimit të rekordit botëror për Medresenë “Alauddin”

Më të lexuarat

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava mori pjesë në ceremoninë e dorëzimit të rekordit botëror për Medresenë “Alauddin” në Prishtinë.

Emri i Medresesë “Alauddin” arriti të shënohet në librin e rekordeve botërore “Genis”, kjo falë rekordmenes Arbnora Fejza-Idrizi, e cila i solli Kosovës një rekord të katërt botëror.

Bëhet fjalë për flamurin kombëtar, më të madhin në botë që Fejza-Idrizi arriti ta punojë bashkë me 74 medresistë vullnetarë të tjerë.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, vlerësoi lart kontributin e rekordmenes Idrizi, duke uruar që ky sukses të jetë motiv për të punuar në arritjen e sukseseve tjera.

Myftiu po ashtu dha një mesazh të fuqishëm për nxënësit e Medresesë dhe të gjithë rininë që të punojnë për atdheun e mos të largohen nga vendi.

“Unë dëshiroj që sot t’iu them juve diçka, t’ju porosis, mos synoni kurrë emigrimin nga Kosova, ndaluni në Kosovë, Kosova është e jona, nuk guxojmë t’ia lëmë të tjerëve, është dëshirë e Zotit, ne nuk guxojmë të punojmë kundër dëshirës së Zotit, ngase na krijoi këtu në këtë vend, sikur të kishte dashur Zoti, do të na kishte krijuar në vende të tjera. Andaj e kemi amanet ta ruajmë këtë vend, përmes ruajtjes së këtij vendi do ta ruajmë edhe dinin, dinjitetin tonë kombëtar, atdhetar që e kemi”, tha Myftiu Tërnava mes të tjerash.

Rekordmenia Arbnora Fejza-Idrizi, në fjalën e saj tha se ndihet e lumtur e krenare dhe mirënjohëse ndaj të gjithë atyre që e përkrahën në këtë rrugëtim.

Kurse, drejtori i Medresesë “Alauddin”, Fadil Hasani, tha se stafi i Medresesë me kënaqësi bashkëpunoi me Fejza-Idrizin, e cila bashkë me medresistët i sollën Kosovës një rekord të ri. Ai tha se Kosova ndihet krenare për kontributin e Medresesë në të gjitha periudhat e kohës, duke theksuar se ajo ishte aktive në të gjitha veprimtaritë më të rëndësishme të atdheut.

Në fund rekordi i ri botëror iu dorëzua Medresesë “Alauddin” dhe u ndanë certifikata për të gjithë ata që kontribuuan në një formë apo tjetrën që të arrihet ky sukses.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit