4.5 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

Myftiu i Shtipit për iftarin në shkollën në Radovish: Shpresojmë që rasti të zgjidhet shpejtë

Më të lexuarat

“Shpresoj se kjo shpejtë do të zgjidhet dhe shpejtë do të sigurohen kushtet dhe mjedisi psikologjik që mesimi të zhvillohet në kushte normale”, ka thënë myftiu i Shtipit, Nasir Rexhepi

 

SHKUP (АА) – Myftiu i Shtipit pranë Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë (BFIM), Nasir Rexhepi, lidhur me rastin e organizimit të iftarit në shkollën “Krste Petkov Misirkov” në Radovish tha se shpreson se rasti do të zgjidhet shpejtë si dhe do të sigurohen kushtet që mësimi në shkollë të zhvillohet në kushte normale.

Myftiu i Shtipit, Nasir Rexhepi, në një prononcim për Anadolu Agency (AA) foli për ndodhitë dhe reagimet pas organizimit të iftarit në shkollën në Radovish.

“Jam i informuar rreth rastit. Në Myftininë e Shtipit erdhën tre mësimdhënës që e organizuan iftarin. Biseduam gjerë e gjatë rreth rastit. Për fat të keq është e pakuptimtë për dikë që i di kushtet, gjendjet në Maqedoni të ndodh një rast i tillë. Sipas informacioneve që i mora nga mësimdhënësit e kësaj shkolle, festat e religjioneve tjera festohen shumë më hapur, në të cilat marrin pjesë edhe nxënësit që nuk i përkasin atij besimi”, thekson Myftiu Rexhepi.

Ai sqaron se të enjten e kaluar, më 31 maj, pasi përfundoi mësimi në shkollë, nxënësit shkuan në shtëpi, e më pas me leje të prindërve, mësuesve dhe drejtorit të tyre morën pjesë në iftar. Siç thekson Myftiu Rexhepi, si edhe para fillimit të çdo iftari, ashtu edhe në këtë është thirrur ezani. Ezanin e ka thirrur një mësues që ka ligjëruar lëndën e religjionit.

“Për fat të keq ky rast disa ditë në dimensione të ndryshme qarkullon nëpër rrjetet sociale, televizione”, theksoi Myftiu Rexhepi. Ai shtoi se sipas informacioneve të tij, ka mundësi që shkolla të gjobitet ndërsa drejtori i shkollës të largohet nga posti.

Gjatë ditëve të fundit mediat bënë të ditur se Inspektorati Shtetëror i Arsimit për shkollën në Radovish, paralajmëroi gjobë prej 1.600 euro dhe 1.120 euro për drejtorin e shkollës ndërsa kryetari i komunës do të marrë rekomandim që të largojë personin udhëheqës.

“Edhe njëherë dua të nënvizoj se gjërat e tilla janë absurde, rast absurd. Neve na shqetësoi ajo që rasti shfaqet në dimensione shumë të ndryshme, derisa themi se e inkurajojmë tolerancën, bashkëjetesën, multukulturalizmin”, thekson myftiu Rexhepi.

Ai informoi se tashmë ka biseduar me mësimdhënësit që kanë organizuar iftarin, duke u bërë thirrje qytetarëve për qetësi dhe duke potencuar se iftari është organizuar me qëllim të mirë.

“Ata nuk duhet të bëjnë asgjë meqë iftari është organizuar me qëllim shumë të mirë. Presim dhe dëshirojmë që autoritetet të mendojnë në mënyrë të qetë dhe të marrin vendim të drejtë, me qëllim që të mos dëmtohet atmosfera e Ramazanit”, porositi myftiu Rexhepi.

“Bisedova edhe me kreun e BFI-së. Biseduam edhe me disa autoritete që i njohim, ua transmetuam rastin. Theksoj se ky iftar që është organizuar në kuadër të kushteve të Maqedonisë është diçka që është shumë normale, diçka e rregullt. Por, për fat të keq disa persona me qëllim të keq, këtë e sollën në nivele shumë të ndryshme. Po ushtrohet presion psikologjik mbi fëmijët dhe mësimdhënësit”, theksoi myftiu Rexhepi.

“Shpresoj se kjo shpejtë do të zgjidhet, dhe shpejtë do të sigurohen kushtet dhe mjedisi psikologjik që mesimi të zhvillohet në kushte normale”, tha ai.

Me rastin e iftarit në shkollën e Radovishit me deklaratë doli edhe drejtori i Komisionit për marrëdhënie me bashkësitë fetare dhe grupet religjioze, Darijan Sotirovski.

“Apeloj të gjitha institucionet, të gjitha organizatat që në të kaluarën për situata tjera të ngjashme, por edhe për të ndryshme të cilat janë trajtuar si të ngjashme në hapësirën publike kanë pasur reagim të zëshëm, atë ta bëjnë edhe kësaj radhe sepse si shtet patjetër sekularizmin ta kuptojmë në mënyrën e duhur. Ne doemos duhet të garantojmë që çdo fëmijë në pajtim me dëshirën e prindërve të tyre jashtë shkollës të kenë të drejtë të lirë për të praktikuar fenë por brenda në shkollë absolutisht nuk është vendi për gjëra të tilla”, tha Sotirovski.

Ministri i ri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, në pyetjen gazetareske për rastin në fjalë tha se sistemi do ta kryejë punën e vet.

“Dispozitat ligjore, zgjidhjet ligjore në çdo hallkë dhe në çdo sferë të sistemit arsimor janë të qarta, të sakta dhe sigurisht se institucionet e sistemit do ta kryejnë detyrën e tyre”, tha Ademi.

Kujtojmë se lidhur me rastin e iftarit në shkollën në Radovish, në rrjetet sociale ka reagime të ndryshme, ndërsa mes tyre edhe rikujtimi se në vitin 2008, kur shkolla është vënë në përdorim, është mbajtur akti i shenjtërimit. Informacioni për këtë ngjarje është në sajtin e Kishës Ortodokse Maqedonase ku thuhet se:

“Më 21.01.2018, në Radovish është vënë në përdorim shkolla e re ‘Krste Petkov Misirkov’ që ndodhet në afërsi të kishës ‘Shën Trioca’. Aktin e shenjtërimit të shkollës e kreu mitropoli i Bregallnicës z.Ilarion, ndërsa më pas u vu në përdorim nga kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit