3.7 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Mustafa Nano në UET: Skënderbeu, më shumë i krishterë se shqiptar, nënën e kishte sllave

Më të lexuarat

“Skënderbeu ka qenë më shumë i krishterë se shqiptar”, kështu është shprehur publicisti Mustafa Nano, gjatë një takimi me nxënës, me të cilët ka diskutuar ndër të tjera edhe për çështje që lidhen me identitetin e shqiptarëve dhe fqinjërinë me serbët e grekët, tema të nxitura nga libri i tij më i fundit, “Sandwich; A është mirë me qenë shqiptar?”.

Mustafa NanoPërkundër të mbajturit të ndonjë “referati”, ai zgjodhi të bëjë një bashkëbisedim të çlirët me të rinjtë, duke ndarë me ta eksperienca personale, duke iu përgjigjur kuriozitetit të tyre në lidhje me karrierën e tij, por edhe duke nxitur reflektimin dhe reagimin e audiencës. Duke dashur të prezantojë veten e vet, në një mënyrë jo formale, Nano së pari u kërkoi nxënësve të flisnin për veten e tyre, për të kuptuar më mirë personat përballë, botën e tyre të brendshme, qëllimet, dëshirat, ata në vetvete. Një hyrje që do të ndiqej edhe nga biseda për prezantimin e shqiptarëve me fqinjët.

“Këtu te ne, kur vjen rasti të flasim për veten nuk themi gjëra që na përkufizojnë si duhet. Fjala vjen, themi gjëra të tilla si qytetin e lindjes, atësinë, gjëra të cilat nuk kanë lidhje të drejtëpërdrejtë me ne, me pasionet tona, me meritat individuale, me disponimet tona… Mua do të më pëlqente shumë që njerëzit të prezantoheshin bazuar në disa gjëra që e përkufizojnë vërtet atë si njeri. Do të doja që njerëzit të nxirrnin në evidencë, gjërat që kanë lidhje me ata dhe jo me të tjerët. Do të më pëlqente më shumë të merrja vesh për botën tuaj të brendshme, çfarë ju pëlqen të lexoni, çfarë natyre keni, çfarë marrëdhënieje keni me botën, ose çfarë mendoni për Europën, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, çfarë mendoni për fetë etj. Ky do ishte prezantim më esencial”.

E në vijimësi të kësaj ideje prezantimi, Mustafa Nano u tregua i gatshëm të ndante me nxënësit një pjesë të identitetit të tij.

“Për të ilustruar atë çka po thoja, po bëj një prezantim të vetes, të natyrës që ju thashë. Unë jam përgjithësisht një natyrë pesimiste, në rast se më del një situatë e veshtirë, unë filloj dhe e humbas toruan. Jam i marrosur pas librave dhe kur them i marrosur, merreni në kuptimin germë për germë, literal. Nëse në këtë botë dikush do t’i zhdukte librat nga faqja e dheut, për mua nuk e di nëse jeta do të kishte shumë kuptim. Unë jam 57 vjeç, dhe moshën e them për t’ju thënë që kam shumë përvoja mbas shpine. Deri në moshën 30 vjeç kam jetuar në komunizëm, do të kisha dashur që atë përvojë mos ta jetoja.”

Nxitur nga pyetjet e mëparshme që ngacmonin mendime që i përkasin botës së brendshme, një nga gjimnazistët e pyeti publicistin se cila ka qenë ëndrra e tij në rini.

“Kur kuptova çfarë ishin ëndrrat, unë doja të realizohesha. Doja të bëja në këtë botë disa gjëra që, si të thuash, përputheshin me natyrën time. Vazhdimisht kërkoja të zbuloja një talent te vetja, sepse ndieja që isha i patalentuar. Edhe pse ende e shoh veten me sy kritik, këtë gjë e mendoja atëherë, ndërsa sot, mendoj se që të gjithë kanë talente. Fatkeqësisht, një pjesë e njerëzve, mendoj, vdesin pa e mësuar se çfarë talenti kanë. Them se nuk duhen bërë me faj sidoqoftë, sepse të zhbirilosh brenda vetes se kush je, të kuptosh veten tënde, talentet e tua, ky është ndoshta zbulimi më i madh që mund të bëjë një njeri…”

Diskutimi pasoi me një pyetje që shpreh një shqetësim që qëndron për shoqërinë shqiptare.

Pyetjes se a mundet një i ri, i cili mbaron studimet sot, të ndjekë ambiciet e tij në bazë të parimeve dhe integriteteve që ka, apo duhet të bëhet si shumica në mënyrë që të jetë i suksesshëm, Nano iu përgjigj: “Unë jam shumë kritik ndaj kësaj bote ku jetojmë, veçanërisht ndaj Shqipërisë. E shoh një botë të shthurur, ku ka shumë padrejtësi, ku një i ri si puna juaj e ka shumë të vështirë të jetojë me idenë së unë duhet të bëhem i zoti, sepse po u bëra i zoti i kam të gjitha dyert e hapura. Nuk ndodh kështu në Shqipëri, sepse këtu një diplomë vlen më pak se një njohje me një njeri të pushtetshëm, se këtu një i ri preferon më tepër të jetë pjesë e një partie politike sesa të lexojë libra… Sfida është e juaja. Është e gjeneratës suaj. Ju duhet të mos dorëzoheni dhe të pranoni faktin që këtu e kanë në dorë këta të mëdhenjtë, të mendoni që ajo që na mbetet është t’u bashkohemi atyre sepse nëse nuk e bëjmë, do të mbetemi rrugëve, do të mbetemi pa perspektivë…”

Në këtë mënyrë ai vuri theksin te rëndësia që ka çdo individ, te fakti se të rinjtë mund të bëjnë ndryshimin, sado e zymtë të duket situata në vend.

“Sot bëhen diskutime të mëdha sepse sot demokracia është në njëlloj krize edhe në vende të tjera të botës. Unë vetë kam bindjen se demokracia është një sistem qeverisjeje që nuk mund të zëvendësohet me asnjë sistem tjetër, sado kritika t’i bëhen. Mirëpo, nga ana tjetër, demokracia shqiptare nuk është demokraci e mirëfilltë. Mua më pëlqejnë shumë demokracitë e vendeve të Europës Veriore, ku gjërat nuk janë perfekte dhe nuk do të jenë asnjëherë, por atje ka meritokraci, ka më pak padrejtësi… mund të ndodhë që ti nga hiçi të bëhesh dikushi. Këtu në Shqipëri e shoh të vështirë dhe këtë nuk e them për t’ju demoralizuar, por e them për t’ju mobilizuar. Për t’ju thënë që përpara keni një sfidë: Për ta mundur këtë realitet. Ky është një sistem ku ne duhet ta sjellim punën në atë pikë që gjërat të ndodhin ashtu siç ka kuptim të ndodhin, që një kryetar partie të zgjidhet vërtet nga njerëzit e asaj partie, jo nga vullneti i dikujt apo makinacionet e një grupi të caktuar… Ose një njeri që e ka pasion karrierën politike apo pasione nga më të ndryshme, t’i jepet një shans. Kjo është një nga gjërat më të bukura që mund t’i ndodhë një njeriu në jetë; t’i jepet një shans. Kështu që po iu dha ndonjëherë ndonjë shans, kapeni fort, mbërthejeni!”. Për të sjellë ndryshimin duhet që ai i cili ndjen se mund të sjellë ndryshimin, ta bëjë këtë gjë, pa u stepur se mos ndoshta do të “ndëshkohet” për faktin se flet, se artikulon mendimin e tij. Ndryshimi vjen pikërisht nga mbajtja e një qëndrimi, nga mbrojtja e një ideali dhe koha është e tillë kur kjo gjë mund të realizohet fare mirë. Ishte pikërisht meritokracia një ndër problematikat që shqetësonte maturantët. Meritokracia që në bankat e shkollës, meritokracia edhe më tej në të ardhmen…

“Unë vetë kam pasur njëlloj rebelimi ndaj botës që më vinte nga brenda, mirëpo nga ana tjetër kjo ndjesi rebelimi që kisha brenda meje, ishte në kontrast me njëlloj frike që ishte jashtë. Pikërisht për këtë arsye unë këtë lloj rebelimi nuk e nxora dot jashtë, në kohën e diktaturës, sepse po ta nxirrja, do të kisha rënë në burg. Madje në atë kohë burgu ishte më e pakta që rrezikoje. Sot është më e lehtë që të ngresh krye dhe ta thuash mendimin tënd. Është një avantazh që gjenerata juaj e ka. Të ngresh krye është një zgjedhje që ti e bën. Në rast se ke bërë zgjedhjen që t’i nënshtrohesh këtij realiteti, atëherë mos u anko, mos u qaj, fjalën duhet ta kenë ata që nuk pajtohen”.

Është pikërisht ky mesazhi që Nano përcolli te gjimnazistët, në një përpjekje për t’i ndërgjegjësuar ata për forcën që mbartin brenda vetes.

Sigurisht kurioziteti ishte i madh edhe për sa i përket karrierës së gazetarit të mirënjohur. Të rinjtë e pyetën edhe se si i ka lindur ideja për emisionin “DejaVu”. “Kam parë dikur, në një emision të huaj, që i bëhej një interviste fotografike të ftuarit. Por ishte intervistë e natyrës intime, i tregohej shtë- pia ku kishte lindur, babai, nëna dhe deri këtu. Në atë moment unë mendova pse mos ta “hap lojën”?! Ta ftoj dikë, por mos t’i tregoj babain, t’i tregoj një xhami, t’i tregoj një bunker, t’i tregoj një njeri nudo, një ushtar duke luftuar… Shtrirja është ideja ime, por ngacmimin e mora nga një televizion i huaj dhe ishte një formulë që qëlloi e lezetshme.” Ndërkohë përzgjedhja e të ftuarve ishte një tjetër pikë që përbënte interes për të pranishmit.

“Kriteri im për përzgjedhjen e të ftuarve ka qenë vetëm ky: njerëz publik që kanë vërtet për të thënë, që kanë mesazhe për t’i përcjellë publikut. Unë kam dashur që spektatorët të shohin disa modele pozitive. Qëllimi ka qenë që në studio të krijohej një bisedë dhe një dialog ku të mendohej, ku të thuheshin gjëra në mënyrë të fisme, në mënyrë elegante, që të mos kishte zhurmë…”.

Mustafa Nano zgjodhi të diskutojë me të pranishmit edhe disa tema që kanë të bëjnë me historinë e Shqipërisë, trajtuar edhe në librin e tij më të fundit “Sandëich. A është mirë me qenë shqiptar?”

Ai zgjodhi të ngacmojë imagjinatën e nxënësve, duke u kërkuar të imagjinojnë një moshatarin e tyre, si do të ishte ai, në Shqipërinë e shekullit XIV.

Diskutimet qenë të shumta. Ndërkohë që edhe tematika e marrëdhënieve me fqinjët u bë pjesë e diskutimit. “Atëherë, në shekullin XIV, etnia apo identiteti kombëtar nuk ka qenë shumë i rëndësishëm. Ne sot themi që Skënderbeu ka qenë shqiptar dhe ka qenë i joni, ndërkohë që ai ka qenë më shumë i krishterë se shqiptar kur u bë i famshëm, madje ai nënën e ka pasur sllave. Etnia nuk ka qenë shumë e rëndësishme atëherë dhe martesat mes shqiptarëve dhe serbeve bëheshin pa problem. Një pjesë e historianëve në Shqipëri i kanë mëshuar idesë se shqiptarët dhe sllavët janë armiq të përjetshëm, se ka një kimi të munguar dhe këtu thonë një gënjeshtër të madhe. Në 150 vitet e fundit po, raporti është i vështirë midis shqiptarëve dhe sllavëve apo shqiptarëve dhe grekëve. Por kjo sepse lindën nacionalizmat ballkanike, lindën këto ndjenjat kombëtare. Më përpara nuk kanë pasur gjëra të tilla, kanë bashkëjetuar për bukuri me njëri-tjetrin.”

Një sërë temash u bënë objekt diskutimi dhe njëkohë- sisht bashkëbisedimi midis maturantëve dhe të ftuarit special, i cili nuk ngurroi të jepte mendimin e tij të sinqertë për çdo pyetje që i drejtohej.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit